Hetohet vdekja e 22 vjeçarit
Hetuesit e Policisë së Kosovës, hetojnë rastin e një vdekjeje nën rrethana të dyshimta të një 22 vjeçari, të përkatësisë etnike serbe.
Rreth orës 1 e 45, zyrtarët policor të njësisë patrulluese të stacionit policor Zveçan, gjatë patrullimit të rëndomtë, kanë identifikuar një trup të pajetë të një personi të gjinisë mashkullore, në vendin e quajtur Ballban, të komunës së Zveçanit.
Sipas policisë, njësitë policore kanë takuar viktimën, të shtrirë përtokë, mbi urën e lumit Ibër, në fshatin Ballaban, në gjendje të palëvizshme dhe pa shenja jete.
Ekipi mjekësor i emergjencës spitalore, të cilët janë njoftuar lidhur me rastin kanë dalë në vend të ngjarjes dhe kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
Marrë parasysh rrethanat në të cilat është regjistruar rasti, policia ka njoftuar prokurorin publik të prokurorisë së qarkut në Mitrovicë i cili ka autorizuar hetuesit rajonal të policisë së Kosovës së bashku ne teknikët e kriminalistikës, të bëjnë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe inicimin e hetimit të rastit për të sqaruar rrethanat e rastit të paraqitur.
“Me urdhër të prokurorit publik trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion me qëllim të përcaktimit të shkaktarit të vdekjes”, thotë toger besim Hoti, zëdhënës i policisë.
Sipas tij, në automjetin e braktisur, janë gjetur dokumentet e N.Radovanoviq 22 vjeçar, banor i Zveçanit, i cili njëkohësisht është identifikuar si personi i gjetur pa shenja jete në fshatin Ballaban.