Vazhdon gjykimi i “Grupit të Gjilanit”
Dëshmitari i emëruar si “B1”, siç është prezantuar në gjykatë, deklarohet se kinse është një nga viktimat e 17 të akuzuarve shqiptarë nga Lugina e Preshevës të njohur si “Grupi i Gjilanit”, të cilët janë akuzuar për krime ndaj serbëve, joshqiptarëve dhe shqiptarëve në zonën e Gjilanit pas luftës në Kosovë, në vitin 1999.
Dëshmitari, i futur në një hapësirë të veçantë në sallën e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Beograd, ka thënë se disa nga këta persona e kanë rrahur dhe më pas ia kanë marrë veturën dhe e kanë keqtrajtuar në konviktet e shkollës së mesme atje.
Dëshmitari i mbrojtur, ka deklaruar se njeh dy nga të akuzuarit, të cilët i ka mbajtur mend për shkak se e kanë rrahur më së shumti.
Ai ka rrëfyer se ka qenë i rrëmbyer pas luftës dhe është keqtrajtuar për disa orë dhe më pas ata e kanë liruar.
Dëshmitari ndër të tjera, ka theksuar se ka parë në rrugën e tij edhe një kufomë disa ditë para rrëmbimit, për të cilin ka dëgjuar më vonë se ka qenë serb.
Nëntë shqiptarë nga Presheva, janë arrestuar me 26 dhjetor të vitit të kaluar pas një aksioni të policisë serbe. Ndërkaq tetë të akuzuarit e tjerë do të gjykohen në mungesë pasi shumica prej tyre jetojnë në Kosovë.
Ata akuzohen se kinse pas hyrjes së pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Gjilanit kanë keqtrajtuar dhe vrarë të paktën 80 persona, kryesisht të nacionalitet serbë, prej të cilëve 34 ende janë të zhdukur.
Prokuroria ka akuzuar edhe për 153 persona të arrestuar dhe keqtrajtuar, të cilët më pas janë liruar.
Aktakuza ngarkon të pandehurit se pas marrëveshjes së Kumanovës, ata kanë vazhduar me sulmet mbi popullatën civile gjatë tërë vitit 1999, deri në demilitarizimin e UÇK-së. (Kosovapress)