E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafa u kërkon të pasivizuarve të aktivizohen urgjentisht

Nga Express më 07 qershor 2011 në ora 21:15

Ata që janë të pasivizuar në degën e LDK-së në Mitrovicë duhet të aktivizohen urgjentisht, në të kundërtën ata duhet t’i lirojnë vendet e tyre për kuadrin e ri, sepse ne duhet të përgatitemi për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen vitin e ardhshëm, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas një takimi me dyer të mbyllura që ka pasuar të martën me degën e kësaj partie në Mitrovicë.

Sipas tij, është koha që LDK-ja në tërë Kosovën, por edhe në Mitrovicë, të konsolidohet, sepse reformat duhet të vazhdojnë në mënyrë që zgjedhjet presidenciale që do të jenë në vitin 2012 dhe ato lokale në 2013, ta gjejnë LDK-në të përgatitur.

Mustafa potencoi se reformat brenda LDK-së duhet të jenë të thella, në mënyrë që të përgatiten për marrjen e pushtetit.

“Dega që vizitova këtu në Mitrovicë, në përgjithësi është duke punuar mirë, por pati disa vërejtje për pasivizim dhe këta duhet të aktivizohen ose të lëshojnë postet e tyre për gjakun e ri që do të vi në këtë parti”, tha ai.

Në anën tjetër, burime të Kosovapress-it brenda këtij takimi, kanë thënë se anëtarë të LDK-së kanë njoftuar kreun e kësaj partie se në degën e Mitrovicës mungon bashkëpunimi me media, dhe se puna e këshilltarëve të kësaj partie në Asamblenë Komunale të Mitrovicës është nën çdo nivel.

Pas këtij takimi, numri një i kësaj partie ka vizituar edhe degën e LDK-së në fshatin Çabër të komunës së Zubin Potokut. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›