E Diel, 1 Nëntor 2026

Mustafaj: “Berisha shkeli Statutin, u pozicionua në krah të Bumçit”

Kandidati për PD-në e Tiranës reagon pas deklaratës së Berishës. “Nuk tërhiqem nga gara, nuk kam ardhur në PD në vitin 2006”

Eljona Ballhysa
Kandidati për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, ka reaguar në lidhje me deklaratën e një dite më parë të kreut të PD-së, Sali Berisha. Gjatë një interviste televizive kryetari i PD-së, Berisha, i pyetur për zgjedhjet për PD-në e Tiranës, u shpreh se një ndër kandidaturat më të shkëlqyera është ajo e Aldo Bumçit. Sipas Mustafajt, kjo deklaratë publike e Berishës është shkelje e hapur e Statutit të PD-së, pasi në Statut përcaktohet se kryetari nuk duhet të pozicionohet publikisht në mbështetje të njërës apo tjetrës kandidaturë. Mustafaj gjithashtu ka pohuar për mediat se nuk do të tërhiqet nga gara për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës.
Reagimi
“Më erdhi mirë që kryeministri Berisha mbrëmë përmendi Statutin e Partisë, duke u kujtuar kështu që në themel të Partisë është një dokument që duhet respektuar. Unë në asnjë moment nuk e kam vënë në dyshim të drejtën time parimore për të kandiduar. Unë jam në Partinë Demokratike qysh në sekondën e parë të ekzistencës së saj, njëherësh me Sali Berishën dhe nuk kam ardhur aty as në vitin ’96 e as në vitin 2006. Pra, i njoh mirë të drejtat e mia dhe përpiqem të mos i tejkaloj ato”, - theksoi Mustafaj. Deputeti demokrat kujtoi faktin se ai ka hyrë në këtë garë me bindjen se i “shërben Partisë Demokratike duke ngjallur brenda saj debatin dhe konkurrencën e ndershme, si parametra që e ndihmojnë partinë të gjallërohet e të demokratizohet për të marrë më mirë përsipër përgjegjësinë e jashtëzakonshme të fushatës që kemi përpara për zgjedhjet parlamentare”.
Mustafaj ka theksuar gjatë fjalës së tij se ai po përballet me një qëndrim të njëanshëm të kryetarit të PD-së për këtë garë të rëndësishme për PD-në. “Mbrëmë kryeministri Berisha shkeli parimin e paanësisë, që duhet ta ruajë deri në fund përballë të gjithë kandidatëve. Ai është kryetar i Partisë dhe e ka për detyrë të mbajë një qëndrim të paanshëm. Ky qëndrim do të ishte edhe në të mirë të rritjes së autoritetit të tij para gjithë shoqërisë shqiptare, e posaçërisht para demokratëve. Emocionin e tij personal ndaj njërit apo tjetrit kandidat Berisha kishte mundësi ta realizonte përmes votës së tij ditën e konferencës”, - sugjeroi deputeti. I pyetur se cili do të jetë hapi tjetër që do të hidhte pas konstatimit se Berisha mbështet haptas njërin nga kandidatët, duke synuar kështu të influencojë delegatët që do të zgjedhin kryetarin e Degës së Tiranës, përgjigjja e deputetit Mustafaj ishte: “Unë vazhdoj të jem në garë dhe do t’i ndjek me vëmendje zhvillimet deri në fund, duke bërë të gjitha përpjekjet që më takojnë, me qëllim që procesi të ruajë sadopak standardet e garës. Në qoftë se do të krijoj bindjen se këto standarde nuk kapin minimumin e nevojshëm, do të marr vendimin e përshtatshëm. Unë kam hyrë në këtë garë për arsye parimore, dhe jo klanore”, - tha Mustafaj.
Deklarata
Një natë më parë, kryetari i PD-së, Sali Berisha, i pyetur nga një panel gazetarësh nëse kishte ndonjë preferencë për kandidatët për PD-në e Tiranës, është shprehur në mbështetje të Aldo Bumçit. “Është një garë e hapur. Statuti ka një nen, që Kryesia përzgjedh kandidatët. Baza do të jetë ajo që do votojë dhe ka kandidatura të shkëlqyera, siç është Aldo Bumçi”, - është shprehur Berisha. Ndërsa për kandidaturën e Mustafajt ai tha se nuk do të pengohet kandidimi i tij. “Ju mendoni se ai do të përjashtohet nëse ka dëshirë? Absolutisht jo. Kur keni pyetur ju Mustafajn, tha që është konsultuar me Statutin. E ka pasur shumë të drejtë”, - është shprehur Berisha. Në Statutin e PD-së është përcaktuar se kryetari i PD-së nuk mund të mbështesë publikisht njërin prej kandidatëve, pasi influencon delegatët në kuvendin e degës ku do të zhvillohet votimi. Besnik Mustafaj është një ndër anëtarët më të vjetër të PD-së dhe ka firmosur anëtarësimin në këtë parti në ditët e para të themelimit të saj, duke qenë dhe krahu i djathtë i kryetarit të PD-së, Berisha. Marrëdhëniet midis tyre pësuan një krisje, e cila solli dhe dorëheqjen e Mustafajt nga posti i ministrit të Jashtëm rreth dy vjet më parë.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›