E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sulmon Ramën nga Korça: “Po pengon ndërtimin e shkollave”



Kryeministri Berisha vizitoi dje qytetin e Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e përfundimit të disa investimeve të rëndësishme në infrastrukturën arsimore të qytetit, me vlerë rreth 1.95 milionë dollarë. Kryeministri Berisha inauguroi përfundimin e rikonstruksionit dhe të zgjerimit me ambiente të reja të shkollës “Sevasti Qiriazi”, me vlerë 65 milionë lekë dhe rikonstruksionit të konviktit të shkollës profesionale “Demir Progri”, investim me vlerë 30 milionë lekë. Kryeministri Berisha vizitoi ambientet e brendshme të shkollave, të pajisura me laboratorë të ndryshëm mësimorë dhe kabinet informatike, duke i konsideruar ato mjedise bashkëkohore të mësimdhënies të standardeve europiane. Kryeministri Berisha tha se një ndër objektivat ka qenë ulja e numrit të nxënësve në klasa dhe ky objektiv po realizohet kur sot numri i nxënësve në klasa është 25-35 nxënës. Ndërkohë, kryeministri shprehu keqardhjen që ky objektiv nuk po gjen realizim në Tiranë. “Kam kënaqësi kur më informojnë autoritetet vendore se ky objektiv është drejt realizimit, ndërkohë në Tiranë ekzistojnë probleme jo për shkak të fondeve, sepse ne i kemi dhënë Tiranës fonde për arsimin më shumë se çdo rrethi tjetër. Sigurisht që i takon, se është rrethi më i madh. Ju më informuat se për qarkun e Korçës kanë qenë në dispozicion 6.5 milionë dollarë investime, për Tiranën 24 milionë dollarë investime nga Këshilli i Europës, krahas granteve të tjera apo fondeve të buxhetit. Kudo po realizohet ndërtimi i shkollave, ndërkohë që kjo nuk po ndodh në Tiranë, sepse trojet e shkollave nuk kanë përqindje dhe kjo është arsyeja. Megjithatë, ne do të bëjmë përpjekje që edhe Tirana të gjejë mënyrat për ta realizuar këtë objektiv. Tirana, si kryeqyteti i vendit, duhet të ishte në krye të përpjekjeve në këtë drejtim. Sërish ne nuk do të pranojmë që nxënësit e Tiranës të mësojnë në shkolla pa kushte, ku mungon ngrohja, ndërkohë që në çdo rreth ku kam vizituar shkolla, ato kanë qenë me sistem ngrohjeje dhe standarde të tjera të nevojshme”, - u shpreh kryeministri.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›