Mustafaj: Serbë provokatorë

Ish-ministri i Jashtëm thotë se deklaratat e klerikut serb për varret e ushtarëve është një provokim që nuk duhet marrë seriozisht. Sipas tij, personazhe të tillë duhet të shmangen nga skena
“Kemi ardhur për të vizituar varrezat e ushtarëve serbë, të cilët së bashku me të tjerë kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë. Këtu kanë rënë më shumë se 10 mijë ushtarë serbë”. Një deklaratë e tillë e bërë pak ditë më parë nga mitropoliti i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfollihije Radoviç, cilësohet si një “provokim dhe falsifikim i historisë” nga diplomati i njohur dhe ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj. Duke folur për çështjen e varreve të ushtarëve serbë në Shqipëri, Mustafaj thotë për “Korrierin”, se një kërkesë e tillë nuk është një kërkesë zyrtare që vjen nga qeveria serbe, dhe si e tillë nuk duhet marrë seriozisht. Ai thotë se nuk e di se sa varre ushtarësh serbë ka në Shkodër, megjithatë ajo që di, është se të gjithë ata janë vrarë si pushtues dhe jo si çlirues. Ish-ministri i Jashtëm vlerëson pasardhësin e tij, Lulzim Bashën dhe diplomacinë shqiptare, e cila nuk ka reaguar për këtë çështje, dhe për këtë shpjegon arsyet. Sipas tij, diplomacia është treguar e matur dhe nuk ka rënë në kurth. Ndërkaq, Mustafaj shpreh bindjen se, në rast se një kërkesë e tillë merr tonet zyrtare, atëherë shteti shqiptar do ta hedhë poshtë menjëherë, sepse ajo nuk është realiste.
-Zoti Mustafaj, pak ditë më parë mitropoliti i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfollihije Radoviç, deklaroi se në Shqipëri ka 10 mijë varre ushtarësh serbë, të cilët kanë rënë për çlirimin e Shqipërisë. Si diplomat, si e shikoni një deklaratë të tillë?
“Kjo nuk është një kërkesë zyrtare që vjen nga qeveria serbe, sepse në atë rast do ta meritonte të merrej me shumë seriozitet. Por fakti që vjen nga një prift provokator, do të thotë që nuk duhet marrë me seriozitet. Unë nuk e di se sa varre serbësh ka në Shkodër dhe rrotull Shkodrës, por unë di një gjë, që të gjithë ata janë vrarë si pushtues në Shqipëri dhe se rrethimi i famshëm i Shkodrës në kohën e luftës ballkanike me të vërtetë shprehte pikësynimin e mbretërisë serbo-kroate, e qeverisë serbe dhe e nacionalistëve serbë për t’ia bashkangjitur Shkodrën Malit të Zi. Pra, në këtë kuptim, ata janë vrarë si pushtues në Shqipërisë, sado që të jenë, dhe si të tillë do të trajtohen edhe nga historia dhe nga opinioni i sotëm”.
-Si ish-ministër i Jashtëm, si e vlerësoni qëndrimin e mbajtur deri tani nga diplomacia shqiptare, e cila nuk ka reaguar as në këtë rast dhe as në disa raste të tjera të ngjashme?
“Diplomacia ka për detyrë që të mos bjerë në kurthin e provokimeve. Asgjë nuk ndërtohet me provokime. Unë do të thosha deri tani, se diplomacia është sjellë me pjekuri, sepse nuk mund t’i marrë seriozisht provokime të tilla, që mund t’i kthejë në probleme midis dy vendeve. Kështu që nuk ka ndonjë vend për qortim ndaj diplomacisë shqiptare. E rëndësishme është që personazhe të tilla, mashtrues ndaj historisë, siç ishte rasti i mitropolitit serb të Malit të Zi, në emër të vetëpërmirësimit të marrëdhënieve mes dy popujve tanë, (përmirësim për të cilin ka nevojë edhe rajoni dhe jo vetëm dy popujt), personazhe të tillë duhet të shmangen nga skena”.
-Në rast se një kërkesë e tillë, e artikuluar nga prifti serb bëhet kërkesë konkrete, si duhet të veprojë qeveria shqiptare?
“Ne nuk duhet të parashikojmë skenarë që nuk janë realistë. Një kërkesë e tillë nuk është realiste dhe sigurisht që shteti shqiptar do ta hedhë poshtë në mënyrë të prerë, sepse është një falsifikim i historisë dhe sepse pushtuesit nuk janë kurrë të respektuar në një vend”.