E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha i kompleksuar për Fazliçin

Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së Valentina Leskaj tha se kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha do të vazhdojë

Partia Socialiste tha dje se kryeministri Sali Berisha është i kompleksuar për çështjen “Fazliç” e se në mocionin me debat ai nuk iu përgjigj pyetjeve të opozitës. Numri një i socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj, deklaroi se PS-ja i bën thirrje shefin të ekzekutivit për debat për lidhjet tij të dyshimta me një përfaqësues së botës së interesave të paligjshme. Socialistët besonin se në një shtet demokratik duhet të funksiononte sistemi i kontrollit dhe i balancave, por edhe llogaridhënia e qeverisë në parlament, çka nuk u realizua. Sipas kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kreu i qeverisë u mundua të fshehtë të vërtetat që tashmë dihen. “Ka kohë që vendi nuk po qeveriset më, ndaj ne kemi kërkuar dje e do të vazhdojmë të kërkojmë largimin e Berishës nga qeverisja. Ai nuk u përgjigj se cili është statusi i këtij njeriu, që siguria kombëtare është në duart e tij, për sa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtare raportojnë përpara tij, edhe pse dihej kohë më parë, se “BG&R” që e solli këtu, kishte lobuar kundër çështjes së Kosovës. Nuk u përgjigj se çfarë përfaqëson ky njeri që ka në dorë shtetin, që duket hapur se i krijohen lehtësira e merret edhe në mbrojtje, duke bërë presion mbi prokurorinë”, - u shpreh Leskaj. Ajo shtoi se Berisha nuk foli për marrëdhëniet e Fazliçit me qeverinë, me “BG&R”, për mospagimin e taksave, pastrimin e parave e për përfitimet e tij nga paratë publike të energjisë. Sipas numrit një të grupit parlamentar të PS-së, shefi i qeverisë si gjithmonë, nuk ofroi transparencë, aq më tepër të shprehte pendesë. Sipas Leskajt, shefi i mazhorancës kërkoi të zhvendoste vëmendjen nga skandali “Fazliç”, që siç tha ajo, e bën direkt përgjegjës. Kjo sipas saj është kapje e shtetit. “Kryeministri nuk u përgjigj pse ka shpërfillur interesat e shtetasve të këtij vendi, për sa kohë që mes interesave të vendit dhe atyre të Fazliçit ka zgjedhur këtë të fundit. Natyrisht që kryeministri është i lirë në zgjedhjen e tij, është i lirë të zgjedhë mikun e tij personal, Fazliçin, përpara shqiptarëve, po jo në cilësinë e kryeministrit të vendit”, - deklaroi liderja e socialistëve në Kuvend. Valentina Leskaj shtoi se kreu i qeverisë, Sali Berisha, duhet të bëjë mirë ndarjen mes mikut personal dhe punëve të shtetit, mes interesave personale të tij, familjes e miqve të tij dhe punëve të shtetit. Sipas saj, Berisha ngatërron shtetin me marrëdhëniet personale, çka e cilësoi si një mënyrë tipike tribale në drejtimin e punëve të shtetit. Ajo shtoi se kjo është mënyra e të qeverisurit të kryeministrit aktual. Liderja e socialistëve në Kuvend shprehu sërish mbështetjen në vazhdimësi ndaj prokurorisë për zbardhjen e skandaleve të kësaj qeverie, duke filluar nga tragjedia e Gërdecit e deri tek çështja “Fazliç”, të cilën vetë kryeministri u mundua ta shmangë në seancën plenare të së hënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›