Mustafaj: “Topalli po cenon rëndë imazhin e Shqipërisë”
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike Besnik Mustafaj, ka deklaruar dje se kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka cenuar rëndë imazhin e Shqipërisë në konflktin e hapur me deputetin Biberaj. Sipas Mustafajt, Topalli e ka shkelur dy herë rregulloren e Kuvendit duke marrë më tepër kompetenca se sa i lejon ligji. “Së pari, zonja Topalli ka shkelur dy herë kompetencat e saj dhe detyrat e saj. Si kryetare e Parlamentit, ka shkelur detyrimet e saj për t’i mbuluar shpenzimet zotit Biberaj në kohën kur ai duhej të kryente funksionet e tij si kryetar i delegacionit parlamentar të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe, së dyti, ka shkelur procedurat në zëvendësimin e tij. Në këtë kuptim, unë do të thoja se është e palejueshme që zonja Topalli e ka vënë seancën para faktit të kryer kur e ka zëvendësuar zotin Biberaj pa njoftuar seancën parlamentare. Pa dyshim, kjo ngjarje në KE lë gjurmë në imazhin e Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë lë gjurmë negative, të dëmshme, për imazhin e mazhorancës sonë”, - tha Mustafaj.
Reagon opozita, PS, LSI e PSD, bashkë kundër Topallit
Opozita ka reaguar në bllok kundër kërkesës së kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli ,drejtuar Asamblesë së Këshillit të Europës për shkarkimin e kryetarit të delegacionit shqiptar Aleksandër Biberaj. Në emër të PS-së, zëdhënësja Mimi Kodheli e ka cilësuar veprimin e Topallit si një turp që i bëhet Shqipërisë në sytë e botës. “Kur na ndajnë edhe 153 ditë nga fundi i kësaj epoke, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli na treguan edhe një herë se do të mbeten deri në fund udhëheqësit që nuk meritojmë, politikanët që nuk na duhen, njerëzit që për interesat e përfitimet e tyre personale dhe larjen e hesapeve të tyre klanore sakrifikojnë çdo interes të vendit e të qytetarëve pa dallim. Pas 153 ditësh, të keqqeverisurit përditë e më të shumtë të këtij vendi, të të gjitha moshave e anëve të Shqipërisë, do të bëjmë realitet ndryshimin e madh dhe ndarjen me të keqen që mishëron pushteti i sotëm i Sali Berishës e Jozefina Topallit. Të cilët, duke na turpëruar të gjithëve në sytë e mbarë Europës, na dhanë sot një tjetër arsye për t’u bërë bashkë, në emër të një politike të re qytetarësh për të ardhmen kundër një politike të vjetër”, - u shpreh zëdhënësja e PS-së, Mimi Kodheli. Edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e cilësoi absurde dhe në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit kërkesën e Topallit.
“Nuk e kuptoj se si mund të anashkalohen të gjitha procedurat parlamentare dhe se si në mënyrë arbitrare të zëvendësohet një përfaqësues i miratuar nga Parlamenti, thjesht me një nënshkrim të Kryetares. Por, nuk është hera e parë që shkelen procedurat parlamentare, gjë që nuk ndihmon as Parlamentin të funksionojë më mirë, por që, për fat të keq, në rastin konkret, krijon dhe një problem imazhi për vendin tonë”, - është shprehur Meta. Në emër të socialdemokratëve, Diana Çuli u shpreh se kërkesa e Topallit është shkelje e standardeve demokratike. “Urdhri i kryetares së Kuvendit për shkarkimin nga detyra të deputetit Aleksandër Biberaj si kryetar i delegacionit shqiptar në KE dhe zëvendëspresident i Asamblesë së Këshillit të Europës, siç u shprehën vetë zyrtarët e lartë të këtij institucioni, është shkelje e standardeve demokratike. Delegacionit shqiptar, për shkak të një veprimi të tillë, mund t’i hiqet e drejta e votës. Kështu dëmtohet rëndë imazhi i Shqipërisë, kështu kthehemi disa hapa mbrapa në procesin e integrimit. Këto veprime absurde kryhen në një periudhë të vështirë”, - është shprehur Çuli.
27 Janar 2009