E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj: Topi të ndërhyjë në konfliktin qeveri-prokurori



Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, apelon se PD-ja në prag të zgjedhjeve të reja duhet të shmangë çdo lloj konflikti ndërinstitucional. Z. Mustafaj kërkoi dje që debati i fundit mes qeverisë dhe prokurorisë të analizohet me qetësi e me kujdesin më të madh, pasi prej tij nuk ka të fituar, por vetëm të humbur. Në kushte të tilla, z. Mustafaj i bëri thirrje kreut të shtetit, Bamir Topi, që të ndërhyjë dhe të ushtrojë kompetencat e tij për mbrojtjen e pavarësisë së institucioneve të pavarura. Mustafaj theksoi se "President i Republikës, si kryemagjistër i vendit, si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese për qetësimin e situatës, për t'i siguruar prokurorisë pavarësinë e plotë, siç ia siguron Kushtetuta, sepse qetësi dhe vetëm qetësi kërkohet kur kryhen reforma të mëdha". Sipas deputetit Mustafaj, PD-ja, si themeluesja e shtetit ligjor postkomunist, nuk mund të harxhojë në një duel të tillë absurd, as energji dhe as imazh po të kemi parasysh se jemi para zgjedhjeve dhe këto zgjedhje PD-ja duhet t'i fitojë patjetër. Deputeti i PD-së, ish-ministër i qeverisë Berisha, shprehu dje shqetësimin e tij për konfliktin mes qeverisë dhe prokurorisë. Mustafaj i bëri thirrje Presidentit Topi të “sheshojë” situatën e krijuar pas ardhjes së biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç në Shqipëri. “Përfitoj në këtë rast t’i bëj një thirrje të drejtpërdrejtë Presidentit të Shqipërisë, i cili si kryemagjistër i lartë, d.m.th. si kryetar i lartë i KLD-së, duhet të ushtrojë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese për qetësimin e situatës, dhe për t’i siguruar prokurorisë pavarësinë e plotë, ashtu siç ia garanton Kushtetuta për ushtrimin e kompetencave të saj”, - u shpreh z. Mustafaj. Duke e cilësuar konfliktin si një “duel absurd”, ai parashikoi humbës në të, vetë shtetin. ”Konflikti më i fundit mes qeverisë dhe prokurorisë është një ngjarje shume e rëndë e cila duhet analizuar me kujdesin më të madh nga klasa jonë politike dhe nga trupa jonë juridike. Është një duel absurd, nga i cili nuk do të ketë të fituar, por përkundrazi, humbësi më i madh do të jetë shteti”. Duke numëruar pasoja negative të shkaktuara nga kjo situatë, Mustafaj kërkoi ndaljen e menjëhershme të këtyre mosmarrëveshjeve institucionale. Por si pjesëtar i mazhorancës parlamentare, ai siguroi miqtë e Shqipërisë se askush nuk do t’i pengojë reformat e Shqipërisë për t’u integruar plotësisht në NATO dhe në BE.

Deputeti i PD-së i adresoi një këshillë edhe Berishës lidhur me mesazhet më të fundit adresuar qeverisë shqiptare nga SHBA-ja dhe BE-ja, duke i kujtuar se duhet t’i lexojë ato me qetësi. Me tone disi më të zbutura ish-ministri i Jashtëm shpreson që Berisha do t’i lexojë si duhet kritikat e bëra nga përfaqësia e huaj diplomatike e akredituar në Tiranë. "Unë kam besim se Kryeministri Berisha do ta lexojë me vëmendje mesazhin e qartë që vjen qoftë nga Uashingtoni, qoftë nga Brukseli". Në këtë rast, Besnik Mustafaj i ka parasysh deklaratat zyrtare të ditëve të fundit të BE-së dhe ambasadës së SHBA-ve në Shqipëri. Diplomatët perëndimorë kërkuan respektimin e dispozitave kushtetuese, parimet e mirëqeverisjes, pjesë të së cilës diplomatët evropianë kanë nënvizuar llogaridhënien para ligjit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›