NATO, Oketa: Do përmbushim detyrimet
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, garanton SHA-të se qeveria shqiptare është e angazhuar në plotësimin e reformave dhe po punon që Shqipëria të bëhet anëtare e plotë brenda samitit të ardhshëm të NATO-s. Këtë siguri ministri i Mbrojtjes Oketa i shprehu dje Komandantit të Komandës Strategjike Aleate në Evropë (SACEUR) dhe të SHAPE, Gjeneralit John Craddock. Duke folur për situatën e sigurisë në rajon, ministri Oketa garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të luajë rolin e saj në dobi të paqes dhe stabilitetit. Ai informoi gjeneralin e NATO-s për rritjen e numrit të ushtarëve profesionistë në Forcat tona të Armatosura për të arritur sipas planifikimit 100% forcë profesioniste në 2010-ën, si dhe për mbështetjen e qeverisë shqiptare, e cila ka rritur në 2% të GDP-së buxhetin e mbrojtjes. Për sa i përket misionit të paqes në Afganistan, ministri Oketa theksoi se "ai do të jetë një angazhim yni për sa kohë NATO-ja do të jetë e pranishme atje". Gjatë ciklit të 9-të të MAP-it Shqipëria ka kontribuar me një personel prej rreth 350 vetësh në operacionet e drejtuara nga NATO-ja dhe në operacione të tjera ndërkombëtare. Nga ana e tij, Gjenerali Craddock vlerësoi arritjet e FA Shqiptare në rrugën e tyre të transformimit e modernizimit, duke përmbushur gjithnjë e më mirë standardet për integrimin e plotë në strukturat e NATO-s. Ai vlerësoi dhe kontributin e trupave shqiptare në Afganistan, duke shprehur konsiderata të larta për performancën e trupave atje. Gjenerali Craddock shprehu gatishmerinë për të ndihmuar për shkatërrimin dhe asgjësimin e municioneve të tepërta. Komandanti Craddock u prit sot në takim dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Gjeneral brigade, Maksim Malaj. Gjenerali Craddock, i shoqëruar nga Gjeneral brigade Maksim Malaj, vizitoi regjimentin Komando në Zall-Herr, ku ndoqi edhe një demonstrim ushtarak nga trupat e këtij regjimenti.