Basha kërkon liberalizim të vizave me Gjermaninë
Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, i kërkon shtetit gjerman liberalizimin sa më të shpejtë të vizave me Shqipërinë. Nga ana e saj Gjermania jep siguri se do të përkrahë Shqipërinë në procesin e plotësimit të standardeve për të arritur liberalizimin e plotë të vizave dhe lëvizjen e lirë të njerëzve. Ministri i Brendshëm i landit të Brandenburgut dhe kryetar i Konferencës së Ministrave të Brendshëm të RFGJ-së Jörg Schönbohm, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare zhvilloi dje një takim me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, i cili e informoi me reformat që qeveria “Berisha” po bën në këtë drejtim. Z. Schönbohm vlerësoi përparimet që janë arritur në Shqipëri, masat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në drejtim të procesit të reformave, dhe rikonfirmoi mbështetjen e palës gjermane për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në drejtim të plotësimit të standardeve të nevojshme evropiane për të arritur liberalizimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë. Ministri Basha e njohu z. Schönbohm me hapat që janë ndërmarrë për arritjen e standardeve evropiane: krijimi i regjistrit të përgjithshëm të popullsisë, pasaportat biometrike, forcimi i kontrollit të kufijve dhe një bashkëpunim më i ngushtë me partnerët evropianë. Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, gjë që doli në pah edhe gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha në Berlin. Ministri Basha i bëri prezent ministrit gjerman z. Schönbohm edhe situatën e fundit politike dhe ekonomike nё vend, ecurinë e procesit tё reformave, luftën kundёr korrupsionit dhe krimit të organizuar.