Topi, Veltroni: Shqipëria, magjia e biznesit të huaj
Presidenti Bamir Topi “reklamon” në Romë klimën e mirë ekonomike në Shqipëri dhe kushtet e favorshme që ajo ofron për investitorët e huaj dhe sidomos ata italianë. Z. Topi zhvilloi dje një takim me kreun e koalicionit të së majtës italiane, me sekretarin kombëtar të Partisë Demokratike, z. Valter Veltroni. Presidenti Topi vuri në dukje faktin se Italia është partneri kryesor strategjik politik dhe ekonomik i Shqipërisë dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve do të thellohen akoma edhe më tej, sidomos në fushën ekonomike dhe shkëmbimet tregtare. Topi shprehu besimin në kontributin e vyer politik dhe institucional të z. Veltroni në drejtim të rritjes së mëtejshme edhe të bashkëpunimit parlamentar, ku Italia do të vazhdojë të ofrojë ndihmesën dhe përvojën e saj në përmbushjen e aspiratës integruese evropiane të vendit tonë. Pasi bëri një përshkrim të reformave themelore, si reforma në drejtësi, ajo zgjedhore, ekonomike etj., Presidenti Topi vuri në dukje arritjet dhe sukseset e Shqipërisë, duke shprehur njëkohësisht edhe vlerësimet e falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme të Italisë në mbështetje të vendit tonë për integrimin e plotë në strukturat e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në Bashkimin Evropian. Z. Veltroni u shpreh se vizita e Presidentit Topi në Itali dëshmon më së miri nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe dhe lidhjet e ngushta e të gjithanshme mes dy vendeve tona. Në takim u diskutua edhe për krizën financiare globale si dhe efektet që ajo mund të sjellë për ekonomitë e vendeve tona dhe masat e marra për parandalimin e përhapjes dhe thellimit të kësaj krize.