E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mustafaj e Leka, në një takim poezie

Manifestimi më i madh italian kushtuar vargjeve do të nisë në datë 10 qershor në Xhenova të Italisë. Në këtë edicion të 16 të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, ashtu si çdo vit, do të marrin pjesë poetë të rëndësishëm e mjaft të njohur nga vende të ndryshme të botës.

Nga Shqipëria pritet pjesëmarrja e poetëve Arjan Leka dhe Besnik Mustafaj, të cilët do të jenë pjesë e seksionit “Europian Voices”, ku marrin pjesë edhe poetë nga 20 vende të tjera të botës. Ndërkaq, emra të rëndësishëm të poezisë, si amerikani Mark Strand, konsideruar si poeti më i madh i vendit të tij dhe me dy çmime “Nobel” afrikanojugori John Coetzee dhe nigeriani Wole Soyinka, do të nderojnë këtë festival me pjesëmarrjen e tyre.

Gjatë edicionit të këtij viti, i cili do të zgjasë deri më 20 qershor, do të zhvillohen rreth 90 veprimtari mes leximit të poezive, koncerteve, konferencave, e performancave të ndryshme. Tema e këtij viti do të jetë “Rindërtimi poetik i universit”, duke vënë edhe një herë theksin se kjo veprimtari nuk ka të bëjë vetëm me takime mes poetëve, por është njëkohësisht edhe një laborator ku analizohen dhe studiohen tendencat dhe skenarët e ardhshëm të shoqërisë, përmes syve të krijuesve dhe artistëve të arteve pamore.

Gjatë ditëve të këtij festivali nuk do të mungojë edhe një homazh për letërsinë anglosaksone, një maratonë letrare ku thelbi do të jetë “Uliksi” i Joyce. Ky Festival Ndërkombëtar i Poezisë prej 16 vitesh është kthyer në një pikë takimi mes poetëve nga e gjithë bota. Për shkak të rëndësisë dhe takimit mes kulturave të ndryshme, ky festival njihet nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë që mbrohet prej saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›