E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Edhe unë diç mbolla…!

Pak ditë më parë në komunitetin shqiptar të Detroitit, revista kulturore “Kuvendi”, ka organizuar promovimin e filmit dokumentar të Naum Priftit “Edhe unë diç mbolla…”. Titulli i këtij filmi nënkupton punën e madhe që bënë për gjuhën shqipe rilindasit tanë dhe, veçanërisht mësuesi i shkollës së parë shqipe, patrioti i njohur, Petro Nini Luarasi.

Filmin dokumentar, të realizuar nga “Media & Film Production”, me qendër në New York, e shoqëronte bashkëproducentja Rafaela Kondi, e cila foli para të pranishmëve për vlerat e tij, si dhe për nevojën e realizimit të sa më shumë filmave të tillë me shkrimtarët dhe krijuesit, sa janë ende midis nesh, megjithëse ata janë përjetësisht në mesin tonë dhe të brezave që do vijnë.

Filmi, më së shumti është realizuar në New York, ku vitet e fundit jeton dhe krijon shkrimtari Naum Prifti. Në sekuenca të veçanta jepeshin vlerësime nga poetë dhe shkrimtarë të njohur shqiptarë si Dritëro Agolli, Jorgo Bulo, Eqerem Basha e të tjerë, të cilët vinin në dukje veçoritë e këtij autori në letërsinë shqipe (për fëmijë dhe për të rritur).

Gjithashtu, veç anës biografike, ku jepej një kronikë e plotë e krijimtarisë së tij, e kohës kur u krijuan dhe qëndrimin kritikë e real ndaj një kohe të vështirë, jo pak flitej edhe për përshtatjen e disa krijimeve në filma të suksesshëm, realizuar nga kinematografia shqiptare dhe ajo e Kosovës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›