Mustafaj ngre shtabin pranë zyrës së Berishës

Zyra e shtabit elektoral e ish-ministrit të Jashtëm, do të ngrihet brenda selisë blu dhe saktësisht përballë zyrës së Kryeministrit Berisha.
Dy ish-miqtë e vjetër, Berisha-Mustafaj, kanë vendosur të mos i kthejnë shpinën njëri-tjetrit në prag të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare që do të paraprihen nga votimi për kryetarët demokratë të 12 qarqeve.
“Shtabi im elektoral nuk do të ketë zyra jashtë selisë së PD-së. Ai do të mobilizohet brenda asaj selie për të cilën do të bëhen edhe zgjedhjet”, tha Mustafaj.
Pesha e fitores, apo e humbjes së zgjedhjeve të qershorit 2009 do t’i faturohet drejtpërdrejt kryetarit të degës së Partisë Demokratike për secilin qark.
Nga ana tjetër, rikthimi i Mustafajt për garën në Tiranë ka në fokusin e këtij të fundit edhe betejën e vjetër mes tij dhe ish-rivalit të tij të dikurshëm, Edi Ramës.
Fjala e Kryeministrit Berisha për numrin një të PD-së për Tiranën nuk është thënë ende. Berisha do të kontrollojë të gjithë procesin e garës për dy qytetet më të mëdha, për Tiranën dhe Durrësin.
Partia Demokratike do t’i përqendrojë të gjitha forcat në dy qytetet më të mëdha dhe kryesore të vendit. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, zona 31 dhe duke vazhduar deri te zona 50, i përkasin Qarkut të Tiranës.
Ndërsa zona 23, deri në zonën 30 i përkasin Qarkut të Durrësit. Pra, sipas ndarjes aktuale, për kryeqytetin luftohet për 19 deputetë, ndërsa për Durrësin për 7 të tillë.
Tirana dhe Durrësi kanë treguar gjithmonë në të gjitha zgjedhjet që janë luajale në votën e elektoratit kundrejt partive politike.
Askush nuk mund ta parashikojë se si do të përfundojnë zgjedhjet në këto dy qytete, pasi ato nuk konsiderohen si bastion i ndonjë partie fikse.
Zgjedhja e kryetarëve të degëve për këto dy qytete do të sjellë më pas edhe betejën për emrat që do të vendosen në listën për deputetët e ardhshëm.
Shtabi i Mustafajt
Zgjedhjet brenda PD-së do të varen jo vetëm nga performanca e kandidatëve, por edhe nga përzgjedhja e mbështetësve të tyre në radhët brenda selisë blu.
Besnik Mustafaj ka deklaruar për “Shqip”, se në shtabin e tij ka figura aktive nga radhët e deputetëve demokratë dhe anëtarë të kryesisë së PD-së.
Mustafaj theksoi se “si këshilltarë juridikë dhe ekonomikë kam figura të reja nga anëtarësia e PD-së, të cilët do të më ndihmojnë me fushatën që do të startojë vitin tjetër”.
Mustafaj nuk ka preferuar të zbulojë emra konkretë, ndërkohë që nga radhët e deputetëve demokratë janë të qartë se cilët janë mbështetësit e tij në këtë garë, ku kryesuesi i saj do të jetë Edmond Spaho, ndërkohë që do të përfshihen edhe mbështetësit e ish-deputetit të Tiranës, Bamir Topi.