OSBE: Kodi të miratohet në nëntor
Ambasadori i OSBE Bosch shprehet i kënaqur që rekomandimi i OSBE-së për të mos vonuar ligjin e zgjedhjeve, po respektohet kësaj here. Bosch apel partive politike: Ligji të zbatohet drejt, jo vetëm të shkruhet.
TIRANE- Kodi i ri Zgjedhor do të votohet në Parlament javën e parë të nëntorit. Garancinë e jep Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Përfaqësuesi i saj në vendin tonë, ambasadori Robert Bosch në një prononcim të djeshëm për mediat tha se reforma zgjedhore nuk do të zvarritet, me gjithë shqetësimet për kohën e pamjaftueshme. Bosch shprehet i kënaqur që më në fund rekomandimi i OSBE-së drejtuar politikës shqiptare për të mos vonuar ligjin e zgjedhjeve, po respektohet kësaj here. “Jam takuar me drejtuesit e komisionit të reformës zgjedhore dhe ata më dhanë garanci se Kodi i ri Elektoral do të votohet javën e parë të nëntorit. Jam optimist se do të ndodhë. Përderisa ata më garantuan, unë e besoj”, - u shpreh Bosch. Reagimi optimist i ambasadorit të OSBE-së vjen një ditë pasi Partia Socialiste deklaroi se nuk do të votojë më asnjë ligj që kërkon shumicë të cilësuar votash, pa kaluar më parë në seancë Kodi i ri Zgjedhor. Ndërkohë, vetë anëtarët e komisionit të posaçëm kuvendor të hartimit të ligjit të ri elektoral, prej kohësh e kishin lënë të hapur mundësinë e marrjes së një mandati tjetër.
Apeli
Ambasadori i OSBE-së, Bosch nuk ka harruar sakaq të apelojë nevojën e zbatimit korrekt të Kodit të ri Elektoral që pritet të miratohet. “Partitë politike të zbatojnë drejt Kodin. Tjetër gjë është një ligj i shkruar dhe tjetër gjë të zbatohet ajo që shkruhet”, - është mesazhi i tij. Qëndrimin në fjalë Bosch e bëri gjatë një takimi të organizuar dje me parlamentaret femra të rajonit nga Kuvendi i Shqipërisë me mbështetjen e OSBE-së. Referuar natyrës së këtij aktiviteti, Bosch u ndal edhe në zhvillimet e fundit legjislative në vendin tonë për sa i përket rritjes së pjesëmarrjes së gruas në vendimmarrje. “Në Shqipëri ka optimizëm se Kodi Zgjedhor do të promovojë një përfaqësim më të barabartë; në propozimet më të fundit propozohet një kuotë gjinore prej 30%. Një propozim i tillë duhet përshëndetur si një hap i madh përpara”, - tha ai. “Unë kam shumë besim se klasa politike në Shqipëri do ta vlerësojë përgjegjësinë e saj të përbashkët për një ripërkufizim pozitiv të rolit politik të grave në këtë vend.
Gjithashtu, jam i sigurt se në të dyja këto tema të rëndësishme ju keni përvojat tuaja personale dhe praktikat më të mira që do të donit të ndanit me të tjerët. Vetëm nëpërmjet ndarjes së përvojave të tilla, rajoni në tërësi mund të përmirësojë statusin e grave në jetën politike”, - ka përvijuar në fjalën e tij ambasadori i OSBE-së, i cili gjithashtu vlerësoi në mënyrë të veçantë iniciativat dhe rolin e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përkundrejt çështjeve gjinore. “Do të doja t’ju përgëzoja ju, zonja kryetare, për angazhimin dhe këmbënguljen e dëshmuar në mbrojtjen e çështjeve gjinore dhe promovimit të grave në Shqipëri”, - përfundoi Bosch.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)