E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frattini, në Tiranë për tre projekte energjetike

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, këtë të hënë do të mbërrijë në Shqipëri, në kuadër të konferencës vjetore të ambasadorëve shqiptarë.

Lajmi është konfirmuar dje nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme italiane, Pasquale Ferrara, i cili, ndër të tjera, tha se “vizita në Tiranë do të jetë edhe me rastin e firmosjes së katër marrëveshjeve, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”.

Kur nuk kishin kaluar as tri ditë nga qëndrimi zyrtar i Gjermanisë për të qenë sa më shumë e pranishme në projektet e mëdha të vendit tonë, italianët kanë treguar direkt ambiciet e tyre, ku njëra lidhet direkt me parkun energjetik të Durrësit, nga ku kompanitë italiane kërkojnë të ndërtojnë një termocentral.

Mësohet se kreu i diplomacisë italiane do të takojë Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha, Presidentin e Republikës, Bamir Topi etj.

Projektet

Projekti i parë, që do të firmoset mes dy palëve, është parku industrial që do të ndërtohet në Koplik, në veri të vendit, afër Shkodrës.

Projekti koncesionar është ide e investitorëve italianë, të cilat kanë në plan të investojnë disa milionë euro. Projekti tjetër lidhet me ndërtimin e disa centraleve të prodhimit të energjisë elektrike nga era, në zonën e Lezhës, me vlerë investimi që prek shifrën e rreth 150 milionë eurove.

Po në kuadër të investimeve në fushën energjetike, lidhet një tjetër kontratë që do të firmoset të hënën për rikonstruksionin e stacionit elektrik në Tiranë, i cili lidhet me linjat e transmetimit 400 kv Elbasan-Podgoricë.

Një tjetër projekt, po i rëndësishëm ka të bëjë me kredinë 25 milionë euro, që do t’u akordohet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME), në drejtim të zhvillimit të tyre.

Gjatë vizitës në Tiranë, Frattini do të firmosë një marrëveshje për njohjen e patentave të drejtimit të automjeteve për vendet e BE-së, por më së shumti do të mbajë qëndrimet e tij lidhur me procesin e përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, në kuadër të liberalizimit të vizave.

Parku i Durrësi

Nuk është përmendur në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme italiane, por në fakt ajo që i intereson më tepër palës përtej detit Adriatik është ndërtimi i dy centraleve të prodhimit të energjisë elektrike në zonën e Porto Romanos, në afërsi të Durrësit.

Italianët e ENEl me kohë kanë shprehur interes për ndërtimin e një termocentrali me qymyr, madje burime jozyrtare shprehen se ekziston një marrëveshjes mes tyre dhe qeverisë shqiptare.

Problemi në këtë pikë vazhdon të mbetet sasia e energjisë elektrike, e cila në masën 90 për qind të saj do të shkojë për furnizim të konsumatorëve italianë.

Tregtia

Për vite me radhë, që pas liberalizimit të tregut, bizneset italiane sundojnë sektorin privat në Shqipëri, duke kapur të parët fusha të ndryshme të ekonomisë.

Bilanci tregtar mes dy vendeve flet qartë për një marrëdhënie të ngushtë, që për vitin 2007 regjistroi shkëmbimin e mallrave në vlerë rreth 900 milionë dollarë.

Italia, në konkurrencë të fortë me grekët dhe gjermanët, ka prekur sektorë kyç të vendit, si banka apo ndërtimin, e tashmë radhën do ta ketë energjetika.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›