E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr për femra, vritet në bilardo 22- vjeçari

Policia shpall në kërkim autorin e dyshuar të krimit i cili arriti të largohej nga vendi i ngjarjes

TIRANE- Vret me pistoletë në bilardo, djalin që i ngacmonte motrën, shpallet në kërkim autori i dyshuar i krimit. Gëzim Marku, 22 vjeç, banues në kryeqytet, mbeti i vrarë dje në mbrëmje në rrugën "Don Bosko", në një bilardo, kur u qëllua me një armë zjarri pistoletë. "Një person qëlloi me armë dhe u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes, - tha një burim policie.


Menjëherë pas ngjarjes, policia identifikoi dhe shpalli në kërkim si të dyshuar Artur Lleshin, 24 vjeç, banues në Tiranë. Ngjarja ndodhi dje në mbrëmje rreth orës 9:30, në rrugën "Don Bosko", kur viktima ndodhej në një bilardo, ndërsa u sulmua nga një person i armatosur.


Menjëherë Marku, u nis për në spitalin ushtarak, por shpresat e tij për jetë nuk zgjatën shumë dhe ai ndërroi jetë. Policia mbërriti në pak minuta në vendin e ngjarjes dhe menjëherë nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të mundshme dhe autorësisë së krimit.


Nga veprimet e para hetimore, policia ka arritur të identifikojë si autor të dyshuar të krimit, 24- vjeçarin Artur Lleshin, banues në kryeqytet. Nga dëshmitë e para të marra, policia ka ngritur dy versione mbi ngjarjen.


Atë të një grindjeje të momentit të ndodhur në bilardo dhe atë të një grindjeje të ndodhur për motive të dobëta që lidheshin me një femër. Hetimet e policisë kanë treguar se më të shumta ishin mundësitë që krimi të kishte ndodhur për shkak të faktit se viktima, ngacmonte motrën e autorit të krimit.


Një fakt të tillë Artur Lleshi, nuk e ka pranuar dhe ka qëlluar në drejtim të Gëzim Markut. Pas veprimeve të ndryshme hetimore, policia shpalli në kërkim të dyshuarin, ndërsa mësohet se mbrëmë blutë kanë kryer disa kontrolle banesash për të gjetur të kërkuarin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›