Partizani te shtunen miqesore me Besen

Skuadra e Partizanit është detyruar të ndryshojë programin stërvitor gjatë ditës së djeshme dhe për këtë shkak është bërë ndeshja e Tiranës në Kupën UEFA ndaj turqve të Kajzerisporit. Të kuqtë kanë zhvilluar një stërvitje me ngarkesë të madhe gjatë orëve të paradites nga ora 09:30 deri në 11:30 minuta. Stafi teknik ka pasur në dispozicion të gjithë lojtarët në kodrat e liqenit artificial. Seanca e zakonshme e pasdites nuk është zhvilluar dhe Bajko i ka lënë lojtarët të lirë. Këta të fundit kanë dashur të ndjekin në aksion skuadrën e Tiranës në turin e dytë të kompeticionit evropian, kështu që ia kanë shprehur këtë dëshirë teknikut, i cili ua ka plotësuar atë. Megjithatë, lojtarët do të mblidhen sot në mëngjes nën urdhrat e Bajkos në të njëjtën orë. Më pas, skuadra do të grumbullohet si zakonisht pasdite në ambientet e klubit, ku do të zhvillojë një seanca taktike. Ndërkaq, të shtunën të kuqtë do të udhëtojnë drejt Kavajës për të luajtur miqësoren e programuar një javë më parë. Takimi do të luhet në stadiumin e Kavajës dhe Bajko do të ketë mundësinë më të mirë për të parë në aksion lojtarët në një fushë të shkëlqyer kundër një skuadre të Kategorisë Superiore. Më pas, një ditë pushim dhe skuadra do t'i rikthehet sërish punës nga e para të hënën.