E Diel, 1 Nëntor 2026

Paris, vidhen 100 milionë euro piktura



Të bësh alpinizëm ka gjithmonë avantazhe, mund të marrësh ajër të pastër në lartësi, mund të zhdërvjellësh trupin, por mund të fitosh edhe 100 milionë euro me një “shëtitje” të vetme. Muzeu i arteve moderne në Paris ka pësuar një vjedhje “model”, e cila ka pasur brenda ditës çuditërisht vlerësime të ndryshme, mjaft larg njëra-tjetrës. Mendohet se hajduti ka qenë një i vetëm. Pesë piktura nga Picasso, Matisse dhe artistë të tjerë të mëdhenj janë vjedhur nga muzeu i Arteve Moderne në Paris. Pikturat janë vlerësuar rreth 100 milionë euro nga Christophe Girard, zv/sekretari i kulturës në Francë, por më parë zyra e prokurorit kishte folur për një vlerë prej 500 milionë eurosh. Veprat janë marrë gjatë natës, në orët e para të së enjtes. Muzeu, përgjatë Lumit Seine nga kulla Eiffel, qëndron tashmë i rrethuar nga kordonët e policisë. Pamjet nga kamerat e sigurisë kanë treguar një “alpinist” që hynte në muze nëpërmjet një dritareje gjatë natës. Në imazhet e filmuara duket një burrë i veshur me të zeza, i cili ka hyrë me mjete alpinisti në muze, duke thyer xhamin e një dritareje. Xhami që ai ka thyer nuk ka qenë i lidhur me sistemin e alarmit. Ai ka kaluar fare i qetë nëpër korridore, duke parë pikturat dhe statujat. Pastaj ka këputur një dry me pinca për të hyrë në sallën e kryeveprave. Gjithnjë i vetëm ka marrë pesë kryeveprat, duke i prerë një e nga një sipas metodës klasike, me shumë kujdes. Më pas pikturat janë mbledhur duke u rrotulluar dhe janë futur në një çantë të madhe pikturash që ai e mbante me vete. Gjithçka në qetësi në plotë. është ende e paqartë pse sistemet e alarmit nuk kanë rënë për të sinjalizuar stafin. Kjo vjedhje u krahasua me vjedhjen misterioze të vitit 1990 në muzeun e “Isabella Stjuart Gardner” në Boston. Ka shpesh spekulime që vepra të tilla vidhen “për të vënë drejtësi” nga koleksionistët e pandershëm. “Ky është një krim serioz për trashëgiminë e njeriut”, tha Girard në një konferencë. Vjedhja është kryer “nga një apo më shumë individë, që qartësisht ishin të organizuar”, tha Girard. Ai tha se hetuesit po përpiqeshin të zbulonin se si u tejkalua sistemi i sigurisë së muzeut dhe disa roja. Pesë pikturat që mungojnë janë “Pëllumbi me bizele të gjelbra” e Pablo Picasso-s (pikturuar në vitin 1912), “Pastoral” (1905) nga Henri Matisse, “Pema e ullinjve” nga Georges Braque, “Gruaja me erashkë” nga Amedeo Modigliani dhe “Ende jetë me llambadarë” nga Fernand Leger. Kjo është cilësuar si një nga vjedhjet më të guximshme të të gjitha kohërave. Nuk është ende shumë e qartë nëse hajduti ka vepruar vetëm apo ka pasur bashkëpunëtorë brenga muzeut. Të gjitha veprat e vjedhura kanë histori. Muzeu u mbyll për vizitorët. Ai është i vendosur pranë “Palais de Tokyo”, muze tjetër më i njohur i arteve moderne. Edhe pse pikturat kanë një vlerë shumë të madhe, drejtori muzeut fqinj, “Pallati i Tokios”, tha se do të ishte shumë e vështirë që ato të shiteshin. “Nuk mund të bëjnë asgjë me këto piktura”, tha Pierre Cornette. “Të gjitha vendet e botë janë në dijeni për to dhe asnjë koleksionist nuk është aq budalla që të blejë një pikturë, të cilën nuk mundet as t’ua tregojë koleksionistëve të tjerë, pasi rrezikon të shkojë në burg. “Këto piktura janë të pashitshme, prandaj hajdutë, zotërinj, ju jeni budallenj, kthejini ato”, tha ai. Vitet e fundit ka pasur shumë vjedhje arti. Në janar, rreth 30 piktura përfshi edhe disa të Picasso-s dhe Henri Rousseau, u vodhën nga një vilë private në Cote d’Azur.

Media: Vjedhja më e madhe në histori
Vjedhja më e madhe e njohur në një muze arti ka ndodhur rreth 20 vjet më parë në Boston, në muzeun “The Gardner”. Kjo vjedhje mbetet ende mister, pasi kryeveprat e artit, të cilat kishin një vlerë prej rreth 500 milionë dollarësh, nuk janë shfaqur ende në asnjë ankand të fshehtë apo te ndonjë koleksionist. Një prej veprave më me vlerë ishte “Stuhi në detin e Galileut” e Rembrandit. Dhe tjetra, “Koncerti” një nga 36 pikturat e zbuluara të Vermeer-it, e realizuar mes viteve 1658-1660, me vlerë rreth 220 milionë euro. Vjedhja ka ndodhur në orët e para të 18 marsit 1990, ku të dyja pikturat u hoqën nga kornizat e tyre. Ato u zhdukën bashkë me dy punë të tjera të Rembrandit, pesë skica nga Degas, një pikturë e Monet, një peizazh nga Flink dhe çuditërisht një shkop bronzi nga një flamur beteje i Napoleonit. Trembëdhjetë vepra arti u vodhën atë natë në atë muze. Hajdutët kishin hyrë ndërmjet dy dyersh të mbyllura të sigurimit në orën 1:24 të mëngjesit. Thuhet se kanë qëndruar ekzaktësisht 81 minuta brenda galerisë. Një shpërblim prej 5 milionë dollarësh u vendos në atë kohë, për atë që ofronte informacionin që të çonte në kthimin e veprave të artit në muze, në kushte të mira.

100 milionë euro
është vlera e deklaruar nga autoritetet franceze të kulturës për pesë pikturat e vjedhura së fundmi në muzeun e artit modern "de la Ville" në Paris.

vjedhja 2009
çdo gjë që mban firmën e Picasso-s tentohet të vidhet sepse çdo gjë ka një supervlerë dhe është e kërkuar nga koleksionistët milionerë. Një libër skicash, me 32 vizatime nga Pablo Picasso, me vlerë rreth 8 milionë euro, u vodh një vit më parë (8 qershor 2009) në një muze në Paris. Vjedhja nga muzeu “Picasso” u zbulua një ditë më pas. Libri i skicave mbahej në një sirtar të qelqtë të hapur, në katin e parë të muzeut. Nuk ka pasur shenja të hyrjes me dhunë në muze dhe nuk ka rënë asnjë alarm. Menaxherët e muzeut nuk pranuan në atë kohë të komentojnë ngjarjen. Picasso vlerësohet si artisti më i madh i shekullit XX.

te mbesat
Në shkurt 2007, tre piktura të Pikasos u vodhën nga apartamenti i mbesës së tij në Paris. Veprat, së bashku preknin shumën e 50 milionë eurosh, përfshinin një portret të vajzës së tij, “Maya me kukullën” dhe një të gruas së tij të dytë, Jacqueline Roque. Ato u gjetën po në Paris, në gusht 2007, në kushte të mira. Tre vetë u arrestuan për këtë vjedhje. Tre pikturat konsideroheshin shumë të famshme për t’u shitur në treg të hapur. Punët e Picasso-s janë shpesh në shënjestrën e hajdutëve. Në vitin 1989, hajdutët kishin hyrë në shtëpinë e mbesës tjetër të Picasso-s, Marina Picasso. Ata morën 12 piktura me vlerë 17 milionë dollarë. Të gjitha më pas u gjetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›