E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu Mesjetar i Korçës, 40 ikona në restaurim

Të paktën 40 ikona të vjetra nga fondi i pasur i Muzeut të Artit Mesjetar po i nënshtrohen këto kohë një procesi restaurimi për t‘i kthyer në identitet e njëkohësisht për të ruajtur vlerat kulturore dhe historike të tyre. Drejtori i këtij muzeu, Lorenc Glozheni, bën të ditur se restaurimi që ka nisur tashmë nën përkujdesjen e një ekipi restauruesish, përfshin ikonat e vjetra, punime të ikonografëve të njohur, por edhe të autorëve anonimë. "Ikonat datojnë nga shekulli XIV deri në shekullin XVII dhe janë pjesë e fondit të Muzeut të Artit Mesjetar. Një pjesë e tyre janë të paidentifikuara, ndërsa disa të tjera që kanë pësuar dëmtime me kalimin e kohës, janë vepra të ikonografëve si Onufri, Shpataraku, Vëllezërit Zografi etj. Me restaurimin e plotë të tyre dhe ndërhyrjet për pastrimin nga agjentët e jashtëm, por edhe me theksimin e ngjyrave, muzeu ka marrë përsipër që të rifreskojë vlerat që kanë pasur ikonat më të vjetra të fondit të këtij institucioni", shprehet drejtori Lorenc Glozheni. Pas restaurimit, këto ikona do të jenë të ekspozueshme dhe sipas Glozhenit do të pasurojnë fondin e veprave të ekspozuara në ambientet e muzeut. Për të kthyer në identitet këto vlera kulturore, që vijnë nga shekujt e kaluar, janë angazhuar 14 restaurues dhe stafi i muzeut. Sipas drejtorit, ky është një staf i specializuar për kryerjen e këtyre restaurimeve, ndërsa për të parën herë është vendosur bashkëpunimi me Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik. "Këto janë ndër ikonat më me vlerë të muzeut, të cilat do t‘u bashkohen objekteve me rëndësi të veçantë, të panjohura më parë për publikun, që gjenden në ambientet e ekspozimit", ka theksuar Glozheni. Krahas kësaj nisme, që ruan të gjallë trashëgiminë tonë kulturore me rifreskimin e veprave të rëndësishme nga dëmtimet e tyre, gjatë gjithë vitit do të ketë bashkëpunime me muzeume të vendeve të ndryshme. Bëhet fjalë jo vetëm për restaurimin e tyre, por edhe për ekspozimin e ikonave jashtë vendit. Në muajin qershor pritet që një ekspozitë me ikonat e Muzeut të Artit Mesjetar të prezantohet në rajonin e Pulias në Itali, ndërsa në vazhdim këto vlera të ikonografisë shqiptare mund të prezantohen edhe në disa shtete të tjera. Austria dhe Gjermania janë dy vende me të cilat janë vendosur kontaktet e para. "Nga aktivitetet e mëparshme, fondi i muzeut është vlerësuar si një nga më të veçantët, duke prezantuar kështu trashëgiminë tonë të pasur kulturore", shprehet Glozheni. Edhe më parë, Muzeu i Artit Mesjetar të Korçës ka bashkëpunuar me institucione të huaja për restaurimin e ikonave të fondit. Bëhet fjalë për Muzeun e Kulturës Bizantine në Selanik, i cili u përkujdes për 88 ikona të Onufrit, Kostandinit, Shpatarakut, Zografëve. Restaurueset Dhimitra Lazidhu dhe Dhimitra Drosaqi, në përfundim hartuan edhe një manual restaurimi, i cili vitin e shkuar u prezantua në Galerinë e Arteve në Tiranë, së bashku me një ekspozitë fotografike të ikonave para dhe pas ndërhyrjes në to. Ekspozimi i vlerave të veçanta të këtyre ikonave në vende të ndryshme synon jo vetëm njohjen e tyre, por edhe vendosjen e pikave të kontaktit për bashkëpunime të mëtejshme. Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, që e bën një nga më të mëdhenjtë e këtij lloji për shkak të fondit, gjenden të paktën 6500 ikona që mbajnë emra të ikonografëve të mirënjohur, si dhe 1500 objekte prej guri, druri, tekstili e metali. Ky muze është nga më të frekuentuarit dhe thith çdo vit numrin më të madh të turistëve vendas dhe të huaj. Në ambientet e muzeut prej vitesh funksionon edhe laboratori i restaurimit të ikonave dhe një laborator kimik ku kryhen ndërhyrjet për restaurime të objekteve dhe kryesisht ikonave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›