Një mesazh për të ndryshuar
Sot, 25 gra të dënuara nga institucioni penal "Ali Demi" do të ndjekin shfaqjen "Filumena Marturano" në Teatrin Kombëtar. "Filumena Marturano" bën fjalë për jetën e një gruaje që prostituohej dhe ndryshimin që i mori jeta pas një vendimi të saj. Ky është dhe mesazhi kryesor që edhe këto gra të dënuara duhet të marrin nëpërmjet veprës. Pavarësisht situatës në të cilën ndodhen, ato, njësoj si personazhi kryesor, duhet të marrin nën kontroll jetën dhe ta shndërrojnë plotësisht duke bërë më të mirën. Gratë e përzgjedhura për të ndjekur shfaqjen teatrale janë vlerësuar pozitivisht për sjelljen e tyre në institucion, si dhe janë në muajt e fundit të dënimit të tyre, ndaj nuk paraqesin asnjë rrezikshmëri për qytetarët e lirë. Kjo është hera e parë që grave u jepet mundësia të jenë pjesë e një aktiviteti të këtij lloji, pas dënimit për veprën penale të kryer. Pjesëmarrja e grave të dënuara në teatër është bërë e mundur nëpërmjet iniciativës së drejtorit të Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami.