Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës, historiani: Turistët kuriozë të vizitojnë birucat e paraburgimit

I hapur në mjediset e ish-degës së punëve të brendshme Muzeu i Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër përfshihet në guidën turistike të rrjeteve të muzeve në këtë qytet.
Historiani i muzeut Xheraldo Nikjari thotë se po presin një numër të lartë turistësh kryesisht të huaj ende pa nisur zyrtarisht sezoni turistik.
Birucat e paraburgimit në këtë muze i bëjnë turistët kuriozë për historinë e Shqipërisë, ndërsa këta të fundit përjetimet dhe sugjerimet e tyre i hedhin në librin e përshtypjeve të muzeut.
Në Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës janë ruajtur qelitë e ish të burgosurve, vendet e torturave dhe marrjes në hetuesi, por edhe vuajtjeve dhe qëndresës së elementëve antikomunistë të qytetit të Shkodrës.
Në pavionin e dytë të muzeut janë ekspozuar fotot e qindra ish të burgosurve politikë si dhe të pushkatuarve gjatë viteve 1944 deri në vitin 1990, kur edhe u rrëzua komunizmi në Shqipëri.
Gazetar: Mirsar Rakaj
/rtsh.al/