E Diel, 1 Nëntor 2026

Muzeu i Korçes, zbulohet ikona e pikturuar ne dy ane

27/01/2005  Muzeu i Korçës

Zbulohet ikona e pikturuar në dy anë

Pasi është restauruar ikona që tregon Shën Mërinë me Krishtin, punonjësit e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar kanë tani në dorë disa vlera të reja ikonografike që nuk i kanë ndeshur më parë.

Për herë të parë ka dalë në dritë një ikonë e përmasave të vogla, e pikturuar në të dy anët, me skena të darkës mistike nga njëra anë e saj dhe pamjen e tre hierarkëve fetarë nga ana tjetër. Specialisti i muzeut, studiuesi Kristofor Naslazi, i ka thënë agjencisë telegrafike të lajmeve, se pjesa më e madhe e fondit të ikonave i përkasin shekujve XIII-XIV të punuara nga duar mjeshtrish me famë. Në këtë muze gjenden një kategori ikonash që kërkojnë ndërhyrje urgjente, një kategori tjetër që studiohen dhe kategoria e tretë që ekspozohet.Pikërisht gjatë këtyre proçeseve, studiuesit dhe restauratorët kanë filluar të ndeshen me ikona që nuk i kanë hasur më parë. Drejtori i Muzeut të Korçës shpjegon se në punën e restauratorëve po zbatohen me rreptësi rregullat e Kartës së Venecias, sipas së cilës nuk lejohen korrigjime të origjinalit në ikonat me dëmtime të pjesshme.

Ndërsa brezi i tanishëm i restauratorëve, falë një specializimi në Muzeun Bizantin të Selanikut (Greqi) shikohet si një garanci e mirë që thesari ikonografik i muzeut jo vetëm të ruhet, por edhe të shtohet më tej me ikona që ende fshehin nën shtresat e bojës dhe pluhurit vlera të rralla historike e fetare.

"Prej 4 vjetësh bashkëpunojmë me muzeun e Selanikut dhe kemi restauruar 60 ikona që do të paraqiten në një ekspozitë vitin e ardhshëm në Greqi", tregon drejtori Glozheni. Vitin e ardhshëm ky muze i rrallë për nga vlerat që ruan, shënon 20-vjetorin e hapjes dhe me siguri do të ketë të pasuruar fondin e tij të ikonografisë si pjesë e kulturës së hershme shqiptare.

"Një punë e gjatë dhe e lodhshme duhet të përballohet në disa faza derisa ikonat të zënë vend në sallën e ekspozimit", tha drejtori i muzeut, Lorenc Glozheni.

Piktorë e krijues nga më të njohurit në qytetin e Korçës janë pjesë e stafit të muzeut prej 20 vetësh që merren me identifikimin, restaturimin e konservimin, pajisjen me

dokumentacion të plotë çertifikimi dhe ekspozimin e ikonave.

"Puna jonë programohet që në fillim të vitit me ndarjen në tre kategori të fondit të ikonave që i nënshtrohen restaurimit dhe dezinfektimit", tha Glozheni

Afro 6 mijë ikona pas portës së hekurt

Qendra më e rëndësishme muzeale e qytetit të Korçës, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në pamje të parë të befason me bashkëjetesën e tij nën një çati me kishën orthodokse. Pak metra më larg hyrjes së Mitropolisë, ndërtesa e përbashkët e muzeut dhe e kishës është e vetmja godinë disa katëshe që dallon mbi shtëpitë e vjetra korçare të një lagjeje karakteristike. Një mur i ndan korridoret e kishës dhe të muzeut, në ambjentet e brendshme të të cilave ndeshet një heshtje disi mistike që të duket se ka autoritetin e dyfishtë të institucionit të trashëgimisë kulturore dhe institucionit fetar.

Hyrja kryesore e muzeut mbyllet me një kërcitje të lehtë dhe në gjysmëerrësirën e korridorit nga ku fillojnë shkallët që të çojnë në katet e sipërme dallohet në të djathtë një portë me hekura. Pas kësaj dere është salla e ekspozimit të ikonave, ku vizitorët kanë mundësi të shohin nga afër një pjesë të fondit prej gati 6 mijë ikonash që ruhen në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar. Piktorë e krijues nga më të njohurit në qytetin e Korçës janë pjesë e stafit të muzeut prej 20 vetësh që merren me identifikimin, restaturimin e konservimin, pajisjen me dokumentacion të plotë çertifikimi dhe ekspozimin e ikonave. "Puna jonë programohet që në fillim të vitit me ndarjen në tre kategori të fondit të ikonave që i nënshtrohen restaurimit dhe dezinfektimit", thotë Glozheni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›