E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhani, shoku që të mban varur

24/01/2005  Fiziku i adoleshentëve krijon më shpejt varësi prej duanit, faktorët fizikë dhe shoqëror që të shtyjnë për të nisur duhanin

Mjekët shpjegojnë varësinë fizike dhe psiqike që krijon njeriu prej duanit

Vazhdimi i konsumit të duhanit është pasojë e varësisë së nikotinës duke vështirësuar lënien e duhanit. Duhanpirja zakonisht ndodh në moshën e adoleshencës, kjo është koha e zbulimit, eksperimentimit dhe sfidës. Arsyet që i motivojnë gratë të pijnë duhan janë të ndryshme, nga ato që i nxisin vajzat e reja për ta filluar atë.

Irma Paloli

"Mua më duket absurde të lë duhanin, për mua ai është shoku që nuk më shet kurrë", thotë Linda, e cila e pi cigaren prej mëse 10 vitesh. Ajo nuk e mban mënd se kur e ndezi cigaren e parë. Ndoshta në konvikt mes shoqeve duke bërë muhabet. "Por, tamam e mësova kur nisa punë, prej tensionit", thotë ajo. "Dëgjoj shpesh në televizor citime të rëndomta, vajzat e nisin duhanin për snobizëm, djemtë për t'u dukur më burra. Në fakt cigarja e parë ndizet për kuriozitet, por nuk pihet më për kuriozitet. E, kjo, s'ka të bëjë më as me snobizmin, e as me burrërinë", thotë Linda.

“Duhani dëmton rëndë shëndetin”, kjo është fraza më ironike që lexohet në paketa duhani e kudo. Rreziqet që përhap janë të ditura dhe për to është folur dhe është shkruar shumë. Por a janë njerëzit të vetëdijshëm për këto dëme? Përse vazhdohet të pihet gjithnjë e më shumë cigare? Janë disa pyetje të cilat kanë një përgjigje, por që asnjëherë nuk jepet e drejtë.

Nikotina, të qetëson, ajo të shqetëson

Po t'i pyesësh njerëzit për dëmet që sjell ky zakon, në përgjithësi të përgjigjen që i dinë dëmet, por prapë vazhdojnë të pijnë duhan. Ata që janë konsumatorë të duhanit, referojnë që e kanë të pamundur për ta lënë atë. Kjo është pjesërisht e vërtetë. "Nikotina një nga përbërësit e duhanit zëvendëson Acetil Kolinën, një përbërës që ka rolin përcjellës të impulsit nervor në sinops (pjesë e Sistemi Nervor Qendror dhe atij Periferik). Organizmit pas lënies së duhanit i duhet një periudhë prej 40 ditësh që të prodhojë sasinë e duhur të Acetil Kolinës", shprehet mjeku Roland Shuperka. Gjatë kësaj kohe ish-duhanpirësi është i stresuar, nevrikoset edhe nga zhurma më e vogël, ka pagjumësi etj. Por të gjitha këto vështirësi kalohen me pak vullnet dhe këmbëngulje. Megjithatë shumë njerëz mundohen t'iu largohen këtyre kërkesave, por dorëzohen shumë shpejt duke thënë se ju mungon vullneti. Shkencëtarët thonë se kur një person e fillon duhanin që në moshë të re, ai e ka më të vëshirë se sa të tjerët për të hequr dorë prej tij. Ndërsa kur nis duhanin, të duket sikur të qetëson, por pastaj "shqetësohesh" më keq dhe çdo tre minuta ke nevoj për një cigare, për të të ulur impulset nervore, thotë një tjetër mjek.

Adoleshentët, më të ndjeshëm, varësia më e madhe

Sipas studiuesve, adoleshentët, mund të bëhen më të varur nga nikotina se sa të rriturit, për arsye se organizmi i të rriturve reagon ndryshe nga ai të rinjve. Meqenëse ndjeshmëria ndaj efekteve negative të duhanit është më e vogël tek të rinjtë, kjo i bën ata ta pijnë më tepër duhanin. Shumë duhanpirës e fillojnë atë që kur janë ende fëmijë. Që të ndalosh fëmijët të fillojnë të pinë duhan është një prioritet." Qëllimi i reklamave është që të tërhiqen sa më shumë njerëz, paraqitet duhani si diçka magjepsëse dhe që sjell kënaqësi, argëtim", thotë, mjeku Shuperka. Nuk janë pak dhe ata që mendojnë se njerëzit për t’u bërë të suksesshëm dhe të bien sa më shumë në sy, duhet të pinë duhan dhe janë me mendimin se po kryejnë punë tërheqëse. Për prodhuesit e cigareve, të fokusohen tek të rinjtë është më efektive, ndonëse kostua për t’i arritur ata është më e lartë, sepse ata janë të gatshëm të eksperimentojnë, kanë influencë më të mdhe tek njëri-tjetri në shoqërinë ku bëjën pjesë. Nikotina shkakton varësi, është një drogë që shkakton varësi dhe nëse fillon ta marrësh e ke shumë të vështirë që ta lësh. Duke folur me doktorë dhe me ekspertë të kësaj fushe arrihet në përfundimin se, mosha e cila është më e prekur nga nisja e cigares është adoleshenca.

Pasoja më e rëndë fizike

Te femrat kanceri i mushkërisë nuk ka rol parësor në vdekshmërinë, por rreziku prej tij, është rritur çdo 10-vjeçar me rritjen e përdorimit të tij prej femrave. Eshtë vërtetuar se për çdo 10 cigare të pira rreziku për kancer pulmonar pesëfishohet dhe për çdo 20 cigare reziku 15-fishohet.

Numri i adoleshentëve në rritje

Doktor Roland Shupreka shprehet se, është zhvilluar një projekt në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Organizatën e Shëndetit Publik. Ky projekt konsiston në testimin e shumë shkollave 8-vjeçare dhe të mesme në vendin tonë. Në bazë të këtij studimi kanë dalë disa shifra interesante dhe shumë probleme me të cilat duhet punuar shumë. Ka një numër të madh fëmijësh, të cilët fillojnë ta nisin cigaren dhe akoma i madh është numri i atyre që janë duhanpirës të rregullt. Një nga problemet me të cilat hasen në fillim specialistët është se, programet e shkollave, në lëndën e edukatës shoqërore, kanë një orar shumë të kufizuar për këtë problem të madh që ka zaptuar gjithë shoqërinë. “Kjo neglizhencë – sipas dr. Shuprekës -, është një nga faktorët bazë që nuk arrin të jap informacionin e duhur te fëmijët. Përderisa duhani është një problem i kohës, ashtu si dhe droga, alkooli, sida, atëherë duhet t’i jepet përparësi e madhe dhe t’i kushtohet vëmendje”. Në faktorët e brendshëm bëjnë pjesë kurizoiteti, shkalla e stresit dhe vitaliteti i njeriut, ndërsa në faktorët e jashtëm pranueshmëria shoqërore dhe reklamat e dunahit. Vazhdimi i konsumit të duhanit është pasojë e varësisë së nikotinës duke vështirësuar lënien e duhanit.

Duhanpirën edhe duke ndenjur

Duhani ju shkakton dëm edhe personave që nuk e pinë, por qëndrojnë në ambjente duhanpirëse. Ndotja me tym duhani e duhanpirësve pasivë, bëhet në intervalin midis dy shtëllungave dhe ky tym është më i pasur në lëndë helmuese sesa tymi që thithet nga duhanpirësi. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që, të vendosen parandalime që shprehin duhanpirjen në ambjentet që konsumohet. Të ndalohet duhanpirja në të gjitha mjediset që ka grumbullime njerëzish. Pirja e duhanit duhet të bëhet në ambjente të caktuara me tabela përkatëse.

Adoleshentet për rebelim dhe për t'u dukur tërheqëse, gratë prej halleve

Në dallim nga vajzat gratë

e nisin, për arsye të tjera

Faktorët që ndikojnë në fillimin dhe vazdimin e duhanit janë krejt të ndryshëm mes vajzave dhe grave. Duhanpirja zakonisht ndodh në moshën e adoleshencës, kjo është koha e zbulimit, eksperimentimit dhe sfidës. Arsyet që i motivojnë gratë të pijnë duhan janë të ndryshme, nga ato që i nxisin vajzat e reja për ta filluar atë. Shumica e vajzave e eksperimentojnë duhanin në moshën 10 deri 14 vjeç. Më e pakët është mundësia e duhanpirjes në moshën 18 – 21 vjeç. Por të bëhesh duhanpirës është shumë e ndërlikuar dhe ka lidhje me kushtet shoqërore dhe familjare. Shumë të rinj e fillojnë duhanin për arsye të ndryshme duke përfshirë stimulin dhe sfidën, tendencën kundërshtuese për t’u dukur i pavarur, kurioziteti dhe kënaqësia për të krijuar një identitet, snobizëm, për t’u ndier më mirë, për t’u dukur më i rritur dhe më i ndërlikuar, për t’u dukur “e mirë”. Por shumë vajza të reja e përdorin duhanin për t’u dobësuar. Adoleshenca është një periudhë rebelimi dhe duhanpirja i referohet asaj sjelljeje që mund të jetë “tërheqëse”. Shumë njerëz ndikohen nga ambjenti ku jetojnë dhe nga ndrojtja e mos mbetjes mbrapa nga shoqëria, ata “detyrohen” ta fillojnë duhanin dhe të bëhen pjesë e kësaj shoqërie. Kudo që të shkojmë, kudo që të jemi duhani është bërë pjesëtar pothuajse i përhershëm dhe i pranishëm, një shok "i mirë", por i rrezikshëm. Njerëz, të punësuar apo jo, të vjetër ose të rinj mbushin lokalet ndërkohë që duhani është shoqëruesi i përhershëm. Në më të shumtën e rasteve bashkë me alkoolin. Dhe ç`është më e keqe, deri dje këto dy vese ishin përgjithësisht pronë e meshkujve, por që pas viteve '90, përdorimi i alkoolit dhe duhanit nga femrat filloi të rritej në mënyrë të frikshme, sa sot në Shqipëri ashtu si edhe në botë, statistikat flasin për një barazim të përdorimit midis dy gjinive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›