Muzeu i Kosovës bëhet me ueb faqe zyrtare

Zëvendësministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi, me këtë rast ka thënë se kjo ueb faqe do të jetë një dritare e re e Muzeut të Kosovës, ku të gjithë qytetarët e saj, do të kenë mundësi të njihen me pasurinë dhe begatinë e të gjitha kulturave dhe grupeve etnike që jetojnë në Kosovë.
“Qëllimi i kësaj ueb faqeje është që kultura e Kosovës, trashëgimia e Kosovës, e cila është brenda saj që është një trashëgimi që i përket popullit të Kosovës të prezantohet dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që nga fillimi, por sidomos me ardhjen e z. Krasniqit në krye të saj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë trashëgimisë kulturore si mënyrë e përafrimit e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, ka thënë ai.
Drejtori i muzeut të Kosovës, Shafi Gashi, këtë projekt e cilësoi si shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm për promovimin e mëtutjeshëm të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës. Ai, po ashtu, tha se kjo ueb faqe do ta rritë edhe më shumë performancën e Muzeut të Kosovës, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
“Ne jemi sot shumë të kënaqur që 13 vjet pas luftës Muzeu i Kosovës po bëhet me ueb faqe dhe shpresojmë që me këtë ueb faqe ta rrisim performancën e këtij institucioni shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Sepse Muzeu i Kosovës, por edhe instituti arkeologjik, dita-ditës, po thuajse po pasurohet me fonde dhe ky material shumë i pasur arkeologjike, etnologjike dhe të fushave tjera vërtetë ka nevojë që të ketë një prezantim më të fuqishëm”, ka thënë ai.
Ky projekt, përveç përkrahjes së Ministrisë së Rinisë, është përkrahur edhe nga OSBE-ja.
Eduard Pesendorfer, drejtor i Departamentit për të drejtat e njeriut dhe komunitete, tha se ruajtja e trashëgimisë kulturore është në prioritetet e organizatës që ai i takon, sepse, sipas tij, trashëgimia kulturore është mjaftë e rëndësishme edhe për faktin që ndihmon në integrimin e të gjitha kulturave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
“Muzeu i Kosovës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në promovimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ky vend shfaq dhe tregon, mban e ruan të gjitha artifaktet dhe të gjitha gjërat tjera që janë gjetur nga vendgërmimet e që janë një artifakt i rëndësishëm për trashëgiminë kulturore të Kosovës. Trashëgimia kulturore është tepër e rëndësishme për Kosovën sepse ajo promovon dhe mban në vete një ndjenjë të përbashkët të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë ai.
Sado që sot ishte planifikuar të bëhet edhe një demonstrim i kësaj ueb faqeje, për shkaqe teknike një gjë e tillë u pamundësuar, megjithatë u tha se ueb faqja www.muzeu-rks-gov.net do të jetë funksionale që nga 1 janari i vitit 2013. /kosovapress/