E Diel, 1 Nëntor 2026

Obama i shqetësuar, Morsi kërkon dialog

Presidenti egjiptian, Mohamed Morsi, ka ftuar forcat politike të vendit për një takim të shtunën. Kjo me qëllim që të fillohet një dialog kombëtar për përgatitjen e planit aksional pas mbajtjes së referendumit për kushtetutën e re.

Morsi ka folur publikisht pak orë pas konfirmimit të vdekjes pesë personave dhe plagosjes së 644 të tjerëve si pasojë e përleshjeve mes kundërshtarëve dhe mbështetësve të tij. Morsi theksoi se e mbështetë të drejtën e protestimit, megjithëse tha se disa njerëz ishin paguar për të nxitur dhunë.

‘Vëllazëria Myslimane’, e cila e mbështeti Morsin në zgjedhjet presidenciale, njoftoi të premten se janë djegur zyrat qendrore të saj në Kajro.

Në një deklaratë për media, Morsi shprehu dhembjen e tij për viktimat e ditëve të fundit, dhe njoftoi se janë arrestuar 80 njerëz “si të implikuar në aktet e dhunshme". Ai i cilësoi mbështetësit e ish-regjimit të presidentit Mubarak si fajtorë për dhunën e fundit.

Mirëpo, Morsi u ofroi shumë pak lëshime kundërshtarëve të tij politik, ngase vetëm tha se neni i diskutueshëm i dekretit të tij të fundit mund të modifikohet, por jo dhe të pezullohet.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan, Barack Obama, ka mirëpritur apelin e Morsit për bisedime, ndonëse ka nënvizuar se dialogu duhet të bëhet pa "parakushte".

"Presidenti Obama i telefonoi sot presidentit Morsi, për t’i shprehur shqetësimin e tij të thellë për protestuesit e vrarë e të plagosur në Egjipt", thuhet në kumtesën e Shtëpisë së Bardhë.

"Obama thekson se të gjithë liderët politikë në Egjipt duhet t’ua bëjnë të qartë përkrahësve se dhuna është e papranueshme", thuhet tutje në kumtesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›