E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzeu i Shkencave të Natyrës, viktimë manipulimi

Muzeu i Shkencave të Natyrës dhe i gjithë investimi prej disa dekadash në këtë objekt, duket se ka rënë viktimë e manipulimit të fakteve. Një përfundim i tillë mbështetet mbi dokumentet zyrtare të arkivave shtetërorë shqiptarë. Kjo godinë është shpronësuar në vitin 1940 me një dekret të posaçëm, i cili gjendet i dokumentuar në Arkivin e Shtetit, por që asnjëherë nuk iu vu në dispozicion gjykatës gjatë shqyrtimit të çështjes. Kjo edhe për faktin se Gjykata e Shkallës së Parë u mor me shqyrtimin e kësaj çështjeje menjëherë pas trazirave të 1997-ës. Madje, gjatë gjykimit dhe dhënies së vendimit për një objekt të tillë, i konsideruar si një pasuri me vlera të patjetërsueshme për shkencën shqiptare, nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i shtetit.

Dokumentet

Gazeta ka mundur të nxjerrë disa dokumente nga Arshiva Teknike dhe ajo Qendrore e Shtetit Shqiptar që nga viti 2002 e në vazhdim. Faktet e siguruara dëshmojnë se në momentin e rekuizimit me dekret Nr. 77, datë 2 shtator 1939-XVII, dhe më pas të shpronësuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 1521, datë 2 shtator 1940, të firmosur nga mëkëmbësi i mbretit Francesco Jacomoni dhe Kryeministri Shefqet Verlaci, datë 3-9-1940 dhe të botuar në Fletoren Zyrtare nr. 144, datë 14 shtator 1940, prona në fjalë kishte një tjetër formë dhe madhësi nga ajo që pretendohet sot nga pronarët. Këta të fundit, sipas dokumenteve të arkivuara dhe proceseve gjyqësore e kanë mohuar gjatë gjithë kohës se kjo pronë është shpronësuar në shtator të 1940 dhe që shtesat janë bërë nga shteti, pikërisht pas daljes së dekretit të shpronësimit të lartpërmendur.

Gjithnjë duke ju referuar dokumentacionit të kohës bëhet e ditur se pas daljes së dekretit të shpronësimit në shtator 1940, mbi pasurinë e paluajtshme konvikti "Naim Frashëri" janë bërë ndryshime dhe shtesa gjatë vitit 1941-‘42 që e kalojnë 60% të sipërfaqes së objektit të mëparshëm ekzistues (ish-konvikti "Naim Frashëri"), ku përveç dy krahëve anësorë, njëkatëshe nga lindja dhe perëndimi, është shtuar dhe një pjesë dykatëshe nga veriu, duke e rrethuar kështu godinën e mëparshme dhe duke i dhënë asaj formën e sotme të germës "U". Në këtë ndërtesë gjatë periudhës 1940-1943 ka qenë vendosur Komanda Aeronautike e Shqipërisë, shkurt "Aeronautika" dhe ka shërbyer si strehë e personelit dhe magazina të kësaj komande.

Gjithashtu, ndër faktet e shtrembëruara të servirura përpara gjykatës është edhe një vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të vitit 2000, i cili përkufizon gjendjen e godinës ekzistuese "pa shtesa konstruktive dhe anësore". Një gjë e tillë hidhet poshtë nga këto dokumente, që asnjë gjykatë që e ka shqyrtuar këtë çështje nuk i ka marrë në konsideratë, si ajo e Apelit, ashtu edhe Gjykata e Lartë.

Vendimi

Gjykata e Lartë, më 24 prill 2009 u shpreh me vendim të formës së prerë, duke kërkuar lirimin e godinës së ish-konviktit "Naim Frashëri" (ose Komanda e Aeronautikës së Shqipërisë gjatë periudhës 1939-1943), aktualisht të zënë nga Muzeu i Shkencave Natyrore, të Fakultetit të Shkencave Natyrore, të Universitetit të Tiranës. Sipas këtij vendimi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Universiteti i Tiranës dhe FSHN, duhet të lirojnë objektin, si dhe t‘u paguajnë pronarëve qiranë e kësaj ndërtese që nga data 24.02.2001. Një gjë e tillë jo vetëm që zhbën Muzeun e Shkencave të Natyrës, por i kushton një kosto jo të vogël taksapaguesve shqiptarë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›