Muzeu i munguar i qytetit Memaliaj!
Nga Edmond Ismailati
New York City
Qendra e Memaliaj ne vitin 1972
Nëse një qytet nuk ka një muze, do ta quaja një fatkeqësi, por edhe një detyrim moral të brezave për ta ndërtuar atë. Edhe qyteti Memaliaj pati fatin e mirë që ta kishte këtë. Shprehem kështu pasi me dëshirën dhe punën e njerëzve të përkushtuar, u kërkua dhe u ngrit në qendër të qytetit muzeumi ku përballë në sheshin e tij, kishte shtatoren e minatorit. Ndërsa historiku i minierës, duke prekur pak edhe minatorët e parë, familjet e para që punuan në hapat e para të hapjes së minierës, u shkruajt nga historiani Vasil Banka. Historiku është punuar falë një studimi shumë serioz të këtij historiani dhe sot ndodhet në arkivat e bibliotekës kombëtare. Përsa i përket muzeumit i cili fliste vetëm për minierën, kishte një godinë njëkatëshe e ndërtuar në qendër të qytetit. Përmasat e saj mund të gjenden lehtësisht në arkivat e bashkisë së qytetit. Ishte ndërtuar me mure prej tulle, çati prej tjegullash qeramike dhe një tavan prej formatësh tallashi të presuar. Brenda ka patur formacione të ndryshme qymyrore nga çdo galeri, duke u shoqëruar me legjendën përkatëse të sektorëve dhe puse që shfrytëzoheshin në ato vite. Ka patur dhe një numër të konsiderueshëm fotografish që pasqyronin jetën punëtore, minatorë e punëtorë të dalluar, heronj pune, vegla pune, …etj. Ishte një muze që të ngjallte kureshtje për të mësuar më shumë dhe të mbushte njëkohësisht edhe me emocione. Vizitohej shpesh nga bashkëqytetarët, gjithashtu edhe nga nxënës që vinin të organizuar me klasat, ashtu siç pata fatin edhe unë të vizitoja për herë të parë bashkë me shokët e shoqet e klasës së tretë fillore ku shoqëroheshim nga mësuesja jonë e përkushtuar Zhaneta Hila. Më vonë kam patur fatin ta vizitoj edhe vetëm kur muzeumi hapej disa orë përgjatë ditës së diel.
Më pëlqente mënyra sesi ishin sistemuar sendet muzeale të shoqëruara me një legjendë shpjeguese ku të jepte mundësinë të njiheshe më shumë me sendet e ekspozuara. Fatkeqësisht ky muzeum nuk pati jetëgjatësi dhe nuk e mësova kurrë, se kush e dha idenë dhe urdhrin për ta rrafshuar si godinë dhe aq më shumë për fatin e sendeve me vlerë të muzeumit nuk u mësua asnjëherë se ku përfunduan. Ndoshta ata që hodhën idenë e hedhjes së kazmave të para, kanë menduar fare shkurt, duke patur parasysh se miniera akoma punon, qymyri është po atje në çdo kohë dhe sendet apo vegla pune ka plot duke i gjetur në çdo moment që do u duhen. Shumë bashkëqytetarë u përfshinë nga një indinjatë e thellë. Këtë ndjeva edhe unë që isha shumë i vogël në moshë për të më dëgjuar fjalën, edhe pse në ato momente muzeumi ekzistonte vetëm në kujtesën time dhe të shumë bashkëqytetarëve të tjerë si unë. Padyshim që po të kërkohet në arkivat e bashkisë, do të gjenden edhe të dhëna për arsyen e prishjes së muzeumit dhe kush urdhëroi për ta prishur. Ndërsa shtatorja e minatorit u ndërtua dhe vlerësohej nga të gjithë bashkëqytetarët si një simbol i origjinës së themelimit të qytetit, ku kjo e fundit pati jetëgjatësi më të madhe, por me një përfundim tragjik, për të cilin do të ndalemi enkas në një shkrim tjetër.
Përsa i përket muzeumit, përsëri me vendim të bashkisë duhet të grumbullohen fonde për të lehtësuar realizimin e saj, duke dhënë për momentin një nga ambientet e pallatit të kulturës së qytetit, për ta kthyer në muzeum, derisa të vij momenti i përshtatshëm për të ndërtuar një godinë të veçantë, në një nga truallet që do të shikohet si më i përshtatshëm nga qeverisjet e ardhshme të bashkisë. Në lidhje me këtë dëshirë që ka ngelur ëndërr për këdo memaliot kam menduar gjithmonë. Madje me hapjen e faqes Memaliaj në Facebook kam pat filluar të shkruaj disa shënime sesi mund fillojë rindërtimi i muzeumit të qytetit tonë. Për fat të mirë, shtytje për ta përfunduar këtë u bë shkas edhe mbërritja e një poste vija mesazh privat në Facebook-u nga bashkëqytetarja Onida Çibuku e cila shprehet: “Përshëndetje z. Mondi. Unë që po ju shkruaj jam Oniada Novrus Çibuku. Megjithëse mua nuk më njeh, se jam e vogël po babin tim ndoshta po, punoj në Bashkinë Memaliaj si inspektore e arsim, kulturës, rinisë dhe sportit, dhe në projektet e punës time kemi menduar si staf të hapim muzeun e qytetit. Do kisha shumë dëshirë nga ana jote të me jepje informacion apo sugjerim mbi këtë punë, sepse shoh që ti ke shumë foto të vjetra të jetës artistike të qytetit Memaliaj që mua më nevojiten për hapjen e këtij muzeu. Ku mund ti gjej këto foto, historinë e Memaliajt, apo ndonjë dorëshkrim. Do të isha shumë e nderuar nëqoftëse ti më ndihmon ndopak. Faleminderit dhe të uroj gjithë të mirat. Të përshëndes”. Sinqerisht ky lajm më gëzoi pa masë dhe e përgëzova Onidën për këtë nismë duke i dhënë të gjitha të drejtat për të marrë nga faqja Memaliaj çdo fotografi që do t’i hynte në punë për të realizuar këtë projekt.
Për të vazhduar më tej, duke dhënë disa mendime në lidhje me ringritjen dhe pasurimin e këtij muzeu shprehem se kërkohet ngritja e një grupi pune siç e mësojmë se kanë filluar, por pa harruar që të afrojnë edhe të tjerë që gëzojnë njohuri përkatëse në fusha të ndryshme për informacionet dhe materialet që mendohen se duhet të pasqyrohen në këtë muze. Si në çdo muze, dihet që është mbështetur dhe ndërtuar në disa pavionë sipas etapave të ndryshme historike dhe të zhvillimit nëpër fusha të ndryshme. Muzeumi duhet filluar me Pavionin e Lashtësisë, Pavionin e Memaliajt, (ku do jenë sende dhe orendi të ekspozuara nga fshati Memaliaj dhe nga krahu tjetër i qytetit); Pavioni i Minierës, Pavioni i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, Pavioni i Etnokulturës memaliote, Pavioni Sportiv, këndi i besimeve fetare, këndi i të persekutuarve, Pavioni i artit e kulturës, këndi i botanikës, i zoologjisë, fotografi të fosileve disa miliona vjeçare të cilat ndodhen në një pllajë shkëmbi buzë lumit Vjosë, afër Shkëmbit të Balenës dhe kënde të tjera që mund të sugjerohen përgjatë punës studimore të grupit të punës që ka marrë përsipër vënien në jetë të këtij projekti.
Dihet që emri i qytetit tonë lidhet me atë të fshatit Memaliaj i cili është një pagëzim jo më shumë se pesë shekullor por në lashtësi njihet me toponime të tjera. Duke u nisur nga kjo, për ne ekziston një Memaliaj dhe duhet shembur kjo ndarje që na i trashëgoi monizmi dhe duhet të dalim me një muze të përbashkët i cili është i domosdoshëm dhe i pakundërshtueshëm. Jo pa qëllim së shpejti do sjell një shkrim për bashkimin e dy Memaliajve. Në pavionin e lashtësisë, është e vështirë të sigurosh dhe të ekspozosh sende arkeologjike mbasi në vendet ku janë gjurmët, bashkia duhet t’i drejtohet në rrugë ligjore ministrisë së Kulturës për të dërguar një ekspeditë arkeologësh për të bërë kërkime dhe për ato gjetje që janë të lëvizshme dhe që mendohen se mund të ekspozohen, tu sigurohet strehim në pavionin e lashtësisë. Padyshim që ka mbetje në këto gjurmë pasi një sasi e vogël edhe janë evidentuar. Në pamundësi për të siguruar këto, mbasi është një proces i gjatë, shumë mirë mund të sigurohen fotografi nga këto vende siç janë gjurmët e vendbanimit të hershëm ne Kordhaj, në vende të ndryshme në kodrën ku shtrihet fshati Memaliaj sidomos tek lagja e vjetër Dedgjonaj mbas kodrës, Gropa e Bilos, varret Ilire që ndodhen mbi rrugën mbi varrezat aktuale të qytetit, Vari i Bizdrenit, duke i shoqëruar edhe me legjendën e tyre. Të bëhet e mundur të realizohet ndonjë kopje nga shtatoret si ajo e Perëndisë Vjosë që daton më shumë se 2 mijë vjet të cilën e kam parë në muzeun e Tepelenës në kohën e monizmit dhe sot ndodhet në Muzeun Kombëtar. Tjetër me interes do të jenë edhe statujat si ajo e “Erosit” e gjetur në fshatin Qeserat, që i përket shekullit III-II p.e.r., e gjetje të tjera në zonat