Muzg marsi mbi varrin e Sandër Prosit
1. Ditët e fundit të marsit janë të ftohta. Dëbora që ka rënë para dy ditësh sjell me vete edhe një erë të ftohtë nga mali i Dajtit, por në varrezat publike të Sharrës rrezet e ngrohta të diellit e thyejnë fundin e dimrit dhe lajmërojnë ardhjen e pranverës. Bari i gjelbër ka mbirë rreth varreve dhe ndihet aroma e luleve të freskëta të vendosura aty – këtu nëpër varre nga njerëzit për të dashurit e tyre. Dita e diel ka shumë vizitorë në varreza, e në vargun e madh e të pafund të varreve, mes kolegëve, miqve dhe dashamirësve të artit, mes mijëra e mijëra banorëve të Tiranës, gjendet edhe varri i aktorit të madh Sandër Prosi. Ai prehet aty prej 24 vitesh, sot në një varr modern, por edhe klasik njëherësh, por gjithsesi një varr i thjeshtë për një njeri të madh. Sandër Prosi u nda nga jeta më 25 mars 1985. Deri në vitin 2003 varri i tij ishte i thjeshtë, i vetëm, madje në komunizëm edhe varret janë njëlloj, të varfër, por pranë tij, pas një jete të mundimshme, 18 vjet pas ndarjes nga i shoqi, një ditë u pre edhe bashkëshorjta e aktorit të shquar, Filomena. Ajo jetoi me kujtimin dhe pasionin e pafund për të shoqin. Jetonte çdo ditë e çdo moment sikur ta kishte pranë dhe nuk kishte ditë që të mos e sillte ndërmend edhe pse ai kishte vite që ishte larguar... Një vit më pas, në një vjetorin e lamtumirës së saj, djemtë i rregulluan varrin e përbashkët edhe ata sot janë përsëri bashkë si dikur në atë kohë që jetuan për mëse tre dekada së bashku... 2. I veshur me mermer të zi, në një formë të ndryshme nga varret e tjera, aqsa nuk gjen një të dytë si ai, Varri i Sandër Prosit është i veçantë. Në harkun oval të pllakës së sipërme qëndron një fotografi e përbashkët, kur Sandri dhe Filomena ishin të rinj, një kohën e njohjes apo martesës së tyre, poshtë me gërma të arta kapitale janë shkruar emrat e tyre si dhe viti i lindjes dhe i vdekjes, nga të cilat kuptojmë se Sandri jetoi 65 vjet, ndërsa Filomena 73 vjet, por ajo ishte 10 vjet më e vogël se Sandri dhe jetoi plot 18 vjet pas tij e vetme. Si sot më kujtohet takimi im me Filomenën, në shtëpinë e saj kur tregonte për njohjen me Sandrin, nxirrte albumet e fotografive dhe tregonte gjithë pasion e dashuri për atë ndjenjë të bukur që i kishte lidhur e mbajtur bashkë për tre dekada. Sandrin nuk e kam njohur, por e shoqja ishte një grua fisnike, e dhembshur, mjaft e dashur dhe me kulturë. Sot ajo ka “rigjetur” edhe një herë dashurinë e saj për të mos e lënë më kurrë, përjetësisht... 3. “Artisti i popullit” Sandër Prosi u nda nga jeta aksidentalisht, duke xhiruar metrat e fundit të filmit "Pranverë e hidhur", më 25 mars 1985. Ajo pranverë ishte vërtet e hidhur për të dhe për artin shqiptar. Sandër Prosi, ky mjeshtër i skenës dhe ekranit, një aktor i shkëlqyer, i papërsëritshëm, që mbetet i paharruar, edhe pse kanë kaluar 24 vjet nga ikja e tij pa kthim…, kujtohet e do të kujtohet gjithmonë, sa herë që të bjerë fjala për teatrin e për filmin dhe ka fatin se nuk janë vetëm familjarët që e kanë dashur dhe e kujtojnë por është popull i tërë, anembanë vendit, madje në tërë botën, kudo ku ka shqiptarë, që e kujton me respekt e flet me krenari për këtë aktor të madh e të rrallë të filmit dhe teatrit shqiptar... Në 35 vjet jetë artistike Sandër Prosi realizoi mbi 100 role në skenë dhe ekran, por kinemaja i dha atij përjetësinë, lavdinë që e meritoi edhe sa ishte gjallë. Krijimet e tij në kinematografi shënojnë kulme në mjeshtërinë e aktorit. 4. Sandër Prosi u lind më 6 janar 1920 në Tiranë. Pasionin për teatrin e kishte që i vogël kur shkonte në kinema. Gjatë kohës së gjimnazit, në vitet e luftës, merr pjesë në veprimtari artistike të grupit të shkollës, madje përgatitin të venë në skenë me këtë grup dramën e Shilerit "Vilhem Teli", por që kjo shfaqje nuk u dha, pasi u pengua nga autoritetet fashiste. Gjatë viteve të luftës Sandrit i del një bursë për stomatologji në Austri. U kthye në atdhe pas luftës, më 1946, ku për disa vite punoi si stomatolog përkrah xhaxhait të tij. Përveç aktrimit kishte pasion e talent edhe për muzikë. Ishte njohës i mirë i violinës, fizarmonikës, kitarës, ku ka interpretuar me virtuozitet në Shkodër e në Tiranë. Në vitin 1962 Sandër Prosi bën pjesë edhe si instrumentist në orkestrën e Festivalit të Parë të Këngës në Radio. Në Teatrit Popullor, Sandër Prosi u ngjit në skenë në vitin 1948. Roli i tij i parë, ka qenë roli i Shaqir Agës tek komedia "Prefekti" e Besim Lëvonjës, që u prit mjaft mirë. E më pas, vazhdoi me një sërë rolesh nga dramaturgjia jonë kombëtare dhe ajo botërore si Bektash Aga (“Halili dhe Hajria”), Vuksani (“Shtatë Shalianët”), Gjoni (“Përkolgjinajt”), Vangjeli (“14 vjeç dhëndërr”), Otello e Kason (“Otello”), Leartin e Horatin (“Hamleti”), Mister Fordin (“Gratë gazmore të Uindsorit”), Zebelinin (“Orët e Kremlinit”), Zezakun Bret (“Rrënjët e thella”), Astrovin (“Xhaxha Vanja”), Gjeneralin (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, etj. Ky artist i madh i skenës sonë, për më se tre dekada e gjysmë, krijoi mbi 80 role në 75 vepra të autorëve tanë e të huaj. Por klasi i lartë i tij, bëri që edhe pse kemi me dhjetëra figura të realizuar në skenë, asnjëra prej tyre nuk i ngjan tjetër, falë zbërthimit të personazhit dhe mjeshtërisë së lartë të interpretimit. Popullariteti i tij si aktor, lidhet me karakterin e thellë popullor të artit të tij. Vetitë fizike, trupin e drejtë, pamja fisnike, me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, nëpërmjet zërit të veçantë, i dhanë këtij aktori përmasat e një aktori të madh të skenës, që i vjen rrallë skenës shqiptare. Figurës kolosale të këtij aktori, nuk mund të shkëpusësh rolet e interpretuara në teatër, nga figurat e interpretuara në ekran. Janë 30 filma artistikë që e "rizbuluan" Sandër Prosin, e që i dhanë atij famën, për t’u bërë i dashur në të gjithë vendin. Krijimtaria e Sandër Prosit në film, është e larmishme. Ajo kalon nga roli i drejtorit në filmin "Debatik", që është edhe roli i tij i parë në kinematografi dhe vazhdon deri në filmin "Kush vdes në këmbë" në vitin 1984, pa futur këtu rolin e fundit të tij, që u la në gjysmë në filmin "Pranverë e hidhur" në 1985. Krijimet e Sandër Prosit në film, shënojnë kulme në mjeshtërinë e aktorit. Ai, si rrallë kush, krijoi në filmin artistik, në rolet e tij më të goditura, atë lidhje të shkëlqyer mes teatrit dhe filmit. Sandër Prosi i jepte krijimtarisë së tij një karakter të fuqishëm kombëtar. Figurat e tij mbeten madhështore, sepse çdo personazh, ka një mënyrë të vetën të menduari, të vepruari, të foluri e gjer në plastikën, veshje e grim. Ai u bë një ndër aktorët më të dashur dhe të respektuar të popullit, sepse mesazhi që ai solli në figurat e tij, ishte i thellë dhe këto figura, ai i kishte marrë nga vetë populli. Dhaskal Todri e Miti Vozari, Kapiteni i digës e Vuksan Sadrija, Jaho Labi e doktor Borova, Gjenerali e Ismail Qemali, janë kryerole që mbesin të pavdekshëm, një galeri portretesh sa të vërteta, aq edhe njerëzorë e që përbëjnë fondin e artë të kinematografisë sonë. Ai ishte një talent i rrallë, i përsosur nga ana artistike, e që arti i tij është i papërsëritshëm. 5. Sandër Prosi, vdiq atëherë kur mund t'i jepte akoma role të bukur skenës dhe ekranit. Ai është vlerësuar me disa çmime, urdhëra, tituj e medalje. Ka fituar tre herë kupën e festivalit shqiptar të filmit, në festivalin e parë për rolin e Jaho Labit në filmin “Në fillim të verës”. Për këtë rol ka marrë edhe Çmimin e Republikës së Klasit të Parë. Për rolin e Sefedinit në filmin “Gjeneral Gramafoni” dhe për rolin e Dhaskal Todrit në filmin “Udha e shkronjave”, në festivalin e tretë të filmit u nderua me kupën e festivalit. Po për rolin e Dfhaskal Todrit u nderua përsëri me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë. Ndërsa kupën e tretë të festivalit e merr në festivalin e gjashtë të filmit me rolin e profesor Mirushit në filmin “Dora e ngrohtë”. Ndërsa për rolin e Ismail Qemalit në filmin “Nëntori i dytë” u nderua me medaljon në festivalin e pestë dhe për herë të tretë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë. Për kontributin e madh në teatër dhe kinematografi u nderua me titullin e lartë "Artist i Popullit". Ai mbetet një yll teatri dhe i kinematografisë shqiptare, një yll që s'do të shuhet kurrë. Ka thënë: - “Kur shkonim në kinema, në pushimin e filmit jepeshin shfaqje nga grupi amator i drejtuar nga Mihal Popi. Unë futesha në kinema jo vetëm për të parë filmin, por edhe për të vëzhguar me dëshirë lojën e aktorëve, e cila më pëlqente. Pak më vonë pashë në Shkodër një pjesë teatrale ku luante dhe Loro Kovaçi. Më bëri përshtypje të madhe temperamenti i tij i vrullshëm, zëri i fortë, forca e interpretimit. Thellë në shpirt dëshiroja të luaja në skenë dhe të isha aktor”. - “Pas disa vitesh gjimnazi në Tiranë, me nismën e rinisë antifashiste vuri në skenë dramën e Shilerit “Vilhem Tel”. Më besuan rolin e Vilhem Telit. Ky qe një kulm në jetën time artistike, por për fat të keq shfaqja u anulua për shkak të frymës së saj kryengritëse, që i frikësoi autoritetet fashiste….”. - “Ndieja kënaqësi që luaja krah për krah me Loro Kovaçin, Mihal Popin, Marie Logorecin, Gjon Karmën, që hipnin në skenë si në shtëpi.” - “Mund të them se mua kinematografia më rizbuloi si aktor. Kjo është edhe arsyeja përse spektatori më njeh mua më tepër si aktor filmi sesa në skenë. Debutimi i parë imi në film është roli i drejtorit të shkollës në filmin “Debatik”). (Intervistë e botuar në revistën “Ylli, 1982).
...