Zgjedhjet në Maqedoni: Sfidat dhe risitë e dy komuniteteve
Zënka me Greqinë për çështjen e emrit kushtetues të vendit, po fokuson atmosferën zgjedhore në vendin e vogël fqinj. Sigurisht se ajo e presidentit është edhe gara më e rëndësishme, e cila ka bërë që të drejtohet vëmendja kryesore e opinionit kombëtar e atij ndërkombëtar, por këto zgjedhje kanë sjellë edhe shumë risi e vlerësohen si test primar për vendin
Pasi bëri emërimin e aeroportit ndërkombëtar të Shkupit me emrin “Aleksandri i Madh“ në vitin 2007, gjë e cila irritoi pa masë Greqinë fqinje, qeveria maqedonase duket se pas vetos greke në prill të vitit të shkuar, nuk ka ndryshuar aspak kurs e nuk ka nxjerrë asnjë leksion. Heroi kombëtar i lashtësisë e mitologjisë, i pretenduar nga të dyja palët, tashmë mbulon me hijen e emrin e tij mitik, edhe autostradën kryesore maqedonase. Babai i Aleksandrit që vdiq në vitin 336 para Krishtit, Filipi II, ndërkohë ka pasur nderin të pagëzojë Sallën e madhe të lojrave të shtetitë të vogël dymilionësh ballkanik në kryeqytet. Një monument tjetër i ri i Aleksandrit , do bëjë që t’ i rikthehet qytetit, që pas rindërtimit me kahje moderne, të motivuar nga tërmeti shkatërrimtar i vitit 1963, sërish një shije antike.
Zënka me Athinën zyrtare mbi emrin kushtetues të vendit doli në dritë menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së vendit nga ish-Federata Jugosllave në vitin 1991. Athina, që ia ka frikën gllabërimit të së drejtës – sipas saj - legjitime për ta pretenduar emrin Maqedoni, të cilën e mban gjithashtu provinca e saj veriore – ka ndërmarrë disa hapa të fortë politiko-diplomatikë, duke bërë presion të pastër, siç ishte rasti i fundit kur iu desh të bllokonte pranimin e Maqedonisë në Aleancën Veriatlantike, gjatë vitit që shkoi. Pa anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE, edhe politikanët shqiptarë në Maqedoni, që përfaqësojnë komunitetin e dytë më të fortë nacional në vend, paralajmërojnë rrezik. “Shqiptarët në Maqedoni do të ndjekin vëllezërit e tyre në Shqipëri e Kosovë drejt rrugëtimit të tyre në NATO e BE – pavarësisjht se çfarë kapacitetesh posedon qeveria e paaftë nën udhëheqjen e Gruevskit për ta çuar vendin atje“, ka paralajmëruar ditë më parë, Menduh Thaci, kryetar i PDSH-së, tashmë në opozitë.
Kandidati socialdemokrat, Ljubomir Frckoski ndodhet aktualisht, sipas sondazheve më të fundit me vetëm 9,7 përqind të votave, shumë larg kandidatit rival, George Ivanov (me 23,1 %), që mbështetet nga partia qeverisëse. Pas debateve, parregullsive e zënkave që pasuan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në vend, të mbajtura gjatë vitit që shkoi, edhe Brukesli tashmë po sheh me më shumë vëmendje zhvillimet në Maqedoni: nëse do të vëreheshin ngjarje të ngjashme, atëherë kjo do të bënte të shtyheshin bisedimet për anëtëërsimin e Maqedonisë në BE, vlerësojnë analistët.
Një përqasje drejt historisë së demokratizimit - Në vitin 2001, në vend u regjistruan përpjekje të armatosura mes forcave të sigurisë maqedonase, të dominuara plotësisht vetëm nga pjesëtarë të etnitetit sllavo-maqedonas dhe çetave të së ashtuquajturës “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” me pjesëtarë të komunitetit shqiptar në Maqedoni. Vendi praktikisht i preku caqet e luftës civile. Vetëm ndërhyrja energjike e Uashingtonit dhe BE-së penguan shpërthimin e një lufte tjetër shkatërrimtare në një territor të ish-Jugosllavisë. Marrëveshja për paqe që pasoi, në gusht të vitit 2001, e nënshkruar në Ohër, siguroi në mënyrë të ngadaltë angazhimin dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve në qeverisjen e vendit. Gjithsesi, ky proces nuk ka njohur përparimin e duhur dhe shqiptarët ankohen vazhdimisht për një neglizhencë me dashje nga autoritetet maqedonase e mungesë vullneti për përfshirjen e plotë të tyre, sipas angazhimeve paraprake që parashikon marrëvëshja e cilësuar historike e tetë viteve më parë. Në vend, akoma ndjehet një “hendek etnik“, siç parapëlqehet të thuhet shpesh në retorikat aktuale politike atje. Sidomos e thellë është kjo ndarje mes zgjedhësve shqiptarë e atyre maqedonas, por edhe mes etnive të tjera në këtë shtet të vogël ish-jugosllav.
Risitë që vijnë nga këto zgjedhje - Për herë të parë në këto zgjedhje një kandidat shqiptar tenton të kalojë murin ndarës mes etnive e partive, duke kandiduar si një risi e duke e cilësuar veten si “Obama i Maqedonisë”: Imer Selmani më parë ka qenë kryebashkiak i asaj pjese të Shkupit që banohet me shqiptarë (Çarshia) dhe sipas gjykimit të përgjithshëm të opinionit publik, e ka bërë mirë punën e tij gjatë atij mandati. Edhe si ministër arsimi në qeverinë e koalicionit me kryeministrin aktual, Nikolla Gruevski, ai ka mbetur në kujtesë si një njeri i mirëangazhuar. Ai flet shkëlqyeshëm maqedonisht, gjë ecila të paktën, tek shqiptarët e brezit të ri të shqiptarëve në shtetin e vogël ballkanik, nuk është më diçka “e vetëkuptueshme”. Fushata e tij e dërgoi atë madje në vende si Stipje, një qytet i banuar plotësisht nga maqedonasit sllavë në lindje të vendit. Askush tjetër nga poliktikanët shqiptarë më parë, nuk kishte shkuar në mend ndonjëherë idenë, të zhvillonte atje fushatën e tij elektorale. Stili i Selmanit – vlerësojnë analistët - ndryshon qartazi prej të tjerëve. Ai nuk luan me kartën shqiptare, ai don të marrë vendime që sipas tij do ta çojnë vendin përpara. Pragmatisti që cilësohet tashmë si kundërshtari personal i kryeministrit të vendit, Nikola Gruevski, ka llogaritur edhe shancet që mund të ketë po të marrë me vete edhe votat e sllavo-maqedonasve e pjesëtarëve të etnive të tjera në vend. Në disa sondazhe, ai madje shpesh ka zënë vendin e tretë, porse shumë nga këto sondazhe, në Maqedoni janë vlerësuar si “jo korrekte” apo si “jo të besueshme”. Nëse ai kualifikohet për në raundin e dytë zgjedhor, në fillim të prillit, ai tashmë do të duhej të kishte besimin e pjesës më të madhe të maqedonasve përveç shqiptarëve, për t ia dalë mbanë.
Por gjithsesi, mendohet se kjo llogari, paraprakisht, pak gjasa ka të ndodhë. Si kandidati më i mundshëm për t’ u votuar si President i vendit nga maqedonasit, vlerësohet se do të jetë Georgi Ivanov, kandidat i partisë në pushtet “VMRO-DPMNE” ose “Partia Demokratike për Bashkimin Kombëtar Maqedonas”, e cila në randin e parë mendohet të mbledhë më shumë vota. Nëse punët kanë mbërritur deri këtu, ai - vlerësojnë analistët vendas - duhet t’ ia dijë më shumë për nder angazhimit të partisë që e ka kandiduar, se sa karizmës së tij personale. Ivanov është profesor në shkencat politike në Universitetin e Shkupit, dhe si i tillë, ka preferuar të paraqitet edhe në fushatë. Ndër kundërshtarët apo rivalët etij për garën presidenciale, renditet si më i fortë, ish-ministri i brendshëm, Ljube Boshkoski, që garon si kandidat i pavarur. Ai u akuzua në mars të vitit 2005, për rolin e tij gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001, nga Tribuinali i Hagës për Krimet në ish-Jugosllavi, por u la i lirë parra rreth një viti. Qysh nga rikthimi i tij në politikë, ai ka preferuar fjalorin me tendenca nacionaliste, drejtuar posaçërisht përkrah etnisë sllavo-maqedonase, duke bërë që dy partitë e mëdha populiste në vend, ta mënjanojnë. Edhe sikur kandidatura e tij të shkonte sërish në raundin e dytë në kutitë e votimit, ai nuk mund të ketë asnjë shanc të bëjë përpara, pasi zgjedhësit shqiptarë, thjesht do të votonin në bllok kundër tij.
Lidhja Socialdemokrate Maqedonase (SDSM), atdheu politik i presidentit aktual, që nuk preferoi të kandidonte për një mandat të dytë, Branko Crvenkovski, ka nxjerrë si emrin më të mbështetur të sajin për të garuar, ish-ministrin e jashtëm, Ljubomir Frçkoski. Ai e ka zhvilluar fushatën e vet ndër të tjera, me qortimin se qeveria maqedonase nëpërmjet provokimeve të panevojshme ndaj Athinës, ka bërë që shancet e një zgjidhjeje për çështjen e emrit të Maqedonisë, dhe së bashku me të, edhe çështja e pandashme e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike , të marrë një goditje të pashpresë. Kompromisi me Greqinë, siç është edhe marrja e emrit të mundshëm “Maqedonia Veriore“, sipas tij, do të kishte qenë e nevojshme, nëse vendi kërkon të shkojë drejt Brukselit.