Kartat e identitetit sulmohen nga ata që kanë frikë nga vota e shqiptarëve
Kryeministri Sali Berisha sulmoi sot opozitën e Edvinit, e cila po i shkurajon shqiptarët që të mos i marrin kartat e identitetit, edhe pse ai është dokumenti më i rëndësishëm për lëvizjen e tyre të lirë, por edhe për të marrë pjesë në votimet e 28 qershorit
Kryeministri Berisha ka vlerësuar dje se letërnjoftimet elektronike do të jenë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit në BE. Pas interesimit të medias, kryeministri, duke u ndalur në procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftimet elektronike, vlerësoi se ky është një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm, sepse sot e tutje shqiptarët ngado që lëvizin identifikohen me një dokument ndër më modernit në Europë dhe barazojnë identifikimin e tyre me qytetarët e vendeve më të zhvilluara. Ky dokument, tha Kryeministri, do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Europian. Por ky dokument do të jetë dokumenti më kryesor për shumë shërbime të cilat do t`u afrohen qytetarëve në mënyrë më moderne. “Ka sot nga ata, të cilët përpiqen t`ju shkurajojnë ju për blerjen e tij, ka sot nga ata të cilët përpiqen ta paraqesin të pavlerë dokumentin më të vlefshëm që ju keni marrë gjatë jetës suaj. Ka sot nga ata, të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’u bëjnë me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, të cilët me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime”, tha Kryeministri. Duke ju bërë thirrje qytetarëve të pajisen me dokumentin e ri të identitetit, Kryeministri Sali Berisha tha se ata që përpiqen t`i shkurajojnë shqiptarët për këtë dokument kanë frikë nga votat e qytetarëve.
...