E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria po ndryshon” - Berisha inauguron punimet e autostradës Milot-Fushë Krujë

Kryeministri Berisha deklaroi dje në Fushë-Krujë se ka si synim kryesor të mandatit të dytë qeverisës që Shqipëria, si anëtare e NATO-s, të ketë infrastrukturën më të re dhe më moderne, një dëshmi të transformimit të saj madhor, pas vitit 2005


Në kuadër të turit “Shqipëria po Ndryshon”, Kryeministri Berisha inauguroi sot punimet për shndërrimin e segmentit rrugor Milot-Fushë Krujë, në një autostradë me katër korsi. Ky investim me vlerë 50 milionë euro, parashikon dublimin e superstradës Milot-Fushë Krujë në 9 lote, me një gjatësi të rrugës ekzistuese 13 km, duke e kthyer nga një rrugë me dy korsi në një autostradë me katër korsi dhe një korsi emergjence me gjerësi 26 m. Gjithashtu në këtë investim parashikohet dublimi i të gjitha urave ekzistuese, mbikalimeve, nënkalimeve duke e bërë këtë një rrugë të standardeve më të larta. Ky aks është një pjesë e rëndësishme e aksit Durrës-Kukës-Morinë dhe vitin që vjen është parashikuar investimi për dublimin e pjesës që vazhdon drejt Lezhës, Thumanës, Durrësit dhe Tiranës. Në fjalën e tij, gjatë këtij inaugurimi Kryeministri Berisha tha se ky segment rrugor, pjesë e autostradës që do të lidhë Shkodrën me Vlorën dhe Kurbinin me Tiranën do të shndërrohet në një autostradë të parametrave moderne dhe do të krijojë sigurinë e shkallës më të lartë, në një rrugë që për numrin e aksidenteve ishte bërë lënduese për banorët e Kurbinit dhe të gjithë shqiptarët. Kryeministri nënvizoi më tej se kjo është një dëshmi e transformimit të Shqipërisë nga kjo qeveri dhe se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të jetë një nga vendet me infrastrukturën më të re dhe më moderne. Për të gjithë ata, të cilët ndryshimin e kuptojnë me vepra, vijoi më tej Kryeministri, me ndryshim kuptojnë rrugë të reja, shkolla të reja , rritjen e rrogave dhe të pensioneve, internetin në shkolla, zhvillimin e zonave rurale, për të gjithë ata që me ndryshim kuptojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kuptojnë kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian, janë të sigurtë se këto po ndodhin dhe ky ndryshim dallon si nata me ditën nga ndryshkimi me fjalë boshe, me retorikë boshe, me sharje dhe mashtrime. Rrugët po i bashkojnë më shumë shqiptarët - Fjala e Kryeministrit Berisha gjatë inaugurimit të punimeve për dublimin e superstradës Milot-Fushë Krujë Kam dy urime të mëdha për ju. Ju uroj sot gëzuar ju dhe mbarë shqiptarëve ditën e parë të demokracisë, ditën e bardhë të 22 marsit. Ju uroj gëzuar ditën e Nevruzit një ditë të bardhë për të gjithë shqiptarët. Vëllezër e motra, Sot jemi mbledhur për të inauguruar së bashku shndërrimin në autostradë me katër korsi të segmentit të autostradës që lidh Shkodrën me Vlorën, lidh Kurbinin me Tiranën, të arteries kryesore të Shqipërisë. Sot ne gjithashtu inaugurojmë punimet për shndërrimin në katër korsi dhe krijimin e sigurisë të shkallës më të lartë në një autostradë që për aksidentet është bërë lënduese për banorët e Kurbinit dhe për të gjithë shqiptarët. Sot ne jemi këtu për t`u dëshmuar shqiptarëve se së bashku do të transformojmë tërësisht infrastrukturën e këtij vendi, se Shqipëria anëtare e NATO-s do të jetë një nga vendet me infrastrukturën më të re dhe më moderne. Vetëm këtu ku jemi, në Kurbin, përveç autostradës do të fillojë ndërtimi i mbikalimit , i cili është i domosdoshëm për qytetin e Laçit, do përfundojë asfaltimi i rrugës së Patokut, po përfundon projekti dhe do të fillojë rikonstruksioni i plotë i rrugës së vjetër që lidh të gjitha fshatrat e zonës dhe Laçin me Tiranën. Pra siç e shihni Shqipëria po ndryshon, Laçi po ndryshon, shkollat e Laçit po ndryshojnë, rrogat e punonjësve të administratës po ndryshojnë, pensionet e fermerëve dhe pensionistëve në fshat po ndryshojnë. Me 3-4 prill firmoset anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në NATO. Për të gjithë ata të cilët ndryshimin e kuptojnë me vepra me ndryshim kuptojnë rrugë të reja shkolla të reja , rritjen e rrogave dhe të pensioneve, internetin në shkolla, zhvillimin e zonave rurale, për të gjithë ata që me ndryshim kuptojnë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kuptojnë kandidimin e Shqipërisë për në Bashkimin Europian janë të sigurtë se këto po ndodhin dhe ky ndryshim dallon si nata me ditën nga ndryshkimi me fjalë boshe, me retorikë boshe me sharje dhe mashtrime. Por unë jam sot këtu për t`ju deklaruar ju të dashur qytetarë dhe qytetare të Kurbini, për t`iu deklaruar të gjithë qytetarëve shqiptarë se këto që kemi realizuar në katër vjet, sado që janë më të mëdhatë të realizuara në historinë e këtij vendi nuk përbëjnë motivin kryesor për të cilin unë kërkoj votën e shqiptarëve. Këto përbëjnë një bazë besimi për të gjithë ju, për çdo shqiptar se kjo forcë politike mban fjalën e dhënë, këto përbëjnë një bazë të fuqishme vlerësimi për ato që ne do të arrijmë. Vërtet sot ne kemi nisur këtu shndërrimin në katër korsi të autostradës Shkodër-Vlorë, para pak kohësh inauguruam segmentin Plepa-Rrogozhinë, së shpejti do të inaugurojmë segmentet e tjera Kurbin-Lezhë, Lezhë –Shkodër. Por ju garantoj ju se katër vitet që vijnë Shqipëria do të jetë vendi i rrugëve më të shkurtra. Projekte të mëdha nisin dhe janë në vazhdim, Rruga e Arbrit që shkurton distancën midis Peshkopisë dhe Tiranës, midis Shkupit dhe Tiranës pothuajse 100 km, boshti qendror i jugut, që afron Sarandën me Tiranën me mbi 120 km, rruga Qafë-Plloçë-Qukës dhe më pas, rruga e re Tiranë -Elbasan që afron Korçën me të gjithë Shqipërinë Juglindore mbi 70 km me Tiranën. Unë u ndala më shumë tek rrugët por ju garantoj ju se reforma e shëndetësisë dhe garantimi i shërbimeve shëndetësore moderne për ju do të jetë një nga objektivat më madhore të kësaj qeverie. Rritja e madhe e rrogave dhe pensioneve sikundër këto katër vite, por më e fuqishme është një nga platformat më të rëndësishme të qeverisë time. Kush nga ju mendonte tre vjet më parë se sot shqiptarët do të merrnin 30 % më shumë rroga dhe pensione më shumë se bullgarët dhe rumunët. Shumë të paktë ishin ata që besonin ose mendonin këtë, por ne sot e kemi shndërruar në realitet. Në mandatin e dytë ne do të synojmë të kapim vende shumë më të zhvilluara të Bashkimit Europian në rroga dhe pensione. Sot në mbarë vendin, qytetarët shqiptarë po marrin një dokument të ri të identitetit të tyre. Ky është realisht një dokument jashtëzakonisht i vlefshëm për ju sepse sot e tutje ju kudo që të shkoni ngado që të lëvizni paraqisni për veten tuaj një dokument ndër më modernit në Europë, barazoni veten në identifikimin tuaj me qytetarët e vendeve më të zhvilluara. Ky dokument do të jetë një bazë e fuqishme për lëvizjen e lirë gjatë procesit të integrimit tonë në Bashkimin Europian. Por ky dokument do të jetë dokumenti më kryesor për shumë shërbime të cilat do t`u afrohen ju në mënyrë më moderne. Ka sot nga ata të cilët përpiqen t`ju dekurajojnë ju për blerjen e tij, Ka sot nga ata të cilët përpiqen ta paraqesin të pavlerë dokumentin më të vlefshëm që ju keni marrë gjatë jetës suaj. Ka sot nga ata, të cilët për 8 vite ju mashtruan se do t’u bëjnë me dokumente të reja identiteti dhe nuk ju bënë dot kurrë, të cilët me populizmin e tyre shpërndajnë mashtrime. Unë ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë ta marrin dokumentin e ri, me të cilin ka 1001 arsye që secili nga ne të ndihet krenar. Ata që ju shkurajojnë për këtë dokument kanë frikë nga votat tuaja, por kjo është çështje e tyre. Ne së bashku ecim drejt modernitetit. Votën ju dini se kujt t`ia jepni. Orën ju nuk e ktheni prapa pse duan të tjerë. Ora juaj është djathtas, majtas do të thotë prapa dhe ne nuk kemi ndërmend të kthehemi prapa. Ndaj dhe njëherë gëzuar festat sot, gëzuar inaugurimin e ri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›