Nipi i kryeministrit Mitrovica
Ai mëngjes, dikur pas orës 8, në mesvitin 1995, erdhi befasues. Gazetari i Televizionit Shqiptar, Avdulla Kënaçi, trokiti në derë. Me t’u futur brenda, në zyrë, dha lajmin:
-Sot, rreth orës 13, zbret në Aeroportin e Rinasit, aktori i njohur Rexhep Mitrovica.
I thashë se, me lajmin që përcolli, fitonte të drejtën për të bërë dokumentarin. Le të merrte operatorin frëngjishtfolës Ilir Kasneci, dhe një përkthyes nga departamenti i filmit të huaj. Grupi i xhirimit të ndiqte aktorin kudo, gjatë kohëqendrimit, në Shqipëri. Duke dalë kallxoi dhe një hollësi të rëndësishme:
-Rexhep Mitrovica është i ftuar i ambasadës franceze, në Tiranë. Ai nuk ka ftesë nga ndonjë institucion i Shqipërisë.
Kjo disi të çudiste. Ndoshta, francezët, me këtë rrugë, matnin pulsin e politikës së demokratëve ndaj Mitrovicës nip, që edhe për emër e mbiemër mbante atë të gjyshit, ish-kryeministrit Rexhep Mitrovica, i cili, nga politika komuniste, ishte cilësuar në histori si kryeministri kuisling. Nisur nga ky dyshim, i thash gazetarit, t’i përcillte aktorit Rexhep Mitrovica ftesën për të vizituar, menjëherë, Televizionin Shqiptar.
Kjo më aviti në kujtesë një tjetër kohë. Në fund të viteve ’80, gazetari i njohur për problemet ndërkombëtare, në gazetën “Bashkimi”, Napoleon Roshi, nëpër shumë mbledhje, përsëriste pa shpresë kërkesën për t’u lejuar disa gazeta, së paku katër: një në anglisht, një në frëngjisht, një në italisht dhe një në rusisht, për t’u përdorur në redaksi. Kjo qe kundërshtuar rregullisht, madje edhe shpërfillur vazhdimisht, me arsyetimin se “shteti nuk ka buxhet”. Por, shkaku i vërtetë qe mbyllja e vendit dhe frika e diktaturës komuniste, siç përsëritej shpesh, nga “molepsja me ideologjinë borgjeze e revizioniste”, e njerëzve që do t’i merrnin nëpër duar.
Dikur, aty nga viti 1989, u dha një thërrime. Në mënyrë të parregullt lejohej “Le Monde”. Atë gazetë e shfletoja, pavarësisht se nuk dija frëngjisht. Në një numër të saj, në sipërfaqe të dukshme, qe botuar një artikull, në krye të të cilit të tërhiqte vëmendjen fotografia bardhezi, shumë e madhe, e përdorur për ilustrim. Mbi foton e lartë, të njeriut veshur i tëri në të zeza, fotografuar gjatë një roli të luajtur, ishte shkruar me shkronja të dukshme emri i tij, i habitshëm për ne, por sidomos mbiemri disi i francezizuar: Rechep Mitrovitza. E vetmja gjë që mendova ishte mbiemri i tij që, me siguri, lidhej me emrin e qytetit verior të Kosovës - Mitrovicë. Në grimherë, nga Mitrovica e trojeve të ndara, mendja shtegtoi krejt në Jug, në qytetin e Përmetit. Atje, më 1974, gjatë një vizite në sallën ku ishte mbledhur Kongresi i Përmetit, më 24 maj 1944, të mbetej në sy parulla e stërmadhe, shkruar me të zeza, në murin e faqes perëndimore: ”Poshtë kryeministri kuisling Rexhep Mitrovica!”.
Artikullin ia dhashë për ta përkthyer Dhimitër Çamit, që punonte në një revistë të përmuajshme. Pasi njiheshe me përmbajtjen, të lindnin ndjenja për një shqiptar, personalitet i artit, që atë vit kishte merituar vlerësimin më të lartë, Kalorës i Arteve dhe Letrave të Francës. Përgatita klishetë dhe tekstin për botim. Por, dihej, gjithashtu, urdhëri i prerë për Kosovën dhe lidhur me të: nuk mund e s’duhej botuar asgjë, pa miratim nga zyrat më të epërme të pushtetit. Megjithatë, u zbritën në shtypshkronjë, për radhim e pastaj për t’u faqosur, në faqen e tretë të së djelës, në rubrikën “Shkencë - Kulturë - Art”. Pasi u kryen të gjitha proceset e ngadalta, me teknikën e Gutenbergut, i telefonova drejtorit të Drejtorisë së Shtypit. Ai, në mënyrë të zgjuar e të matur, tha dy - tri pyetje, për t’u sqaruar rreth problemit, që si duket nuk e njihte. Ndërkaq, theksoi të mos ngutet botimi.
Nuk qe e nevojshme pritja. Çështja ishte gjykuar serioze. Pa kaluar as gjysmë ore, ai mori në telefon dhe foli shkoqur që, “ artikulli dhe fotografia ndalohen rreptësisht për t’u botuar”. Shtoi se, po të kishte kaluar botimi, masa e menjëhershme, e padiskutueshme, do të ishte shkarkimi nga detyra e fajtorit. Kjo, sepse, “Rexhep Mitrovica është nipi i Rexhep Mitrovicës, ish-kryeministrit kuisling”.
Rexhep Mitrovica i dytë, ose Rexhep Mitrovica aktor, nuk kishte marrë nga Rexhep Mitrovica i parë, ose nga Rexhep Mitrovica politikan, vetëm gjakun. Vetëm emrin. Vetëm mbiemrin. Por edhe biografinë si kuisling. Arsyetohej se ata ndryshonin vetëm nga profesionet. I pari politikan me nazizmin, i dyti aktor me borgjezinë. Ashtu, siç e kishim mësuar historinë komuniste në shkollë, nuk dinim diç tjetër për Rexhep Mitrovicën gjysh:
Që Rexhep Mitrovica ishte firmëtar i aktit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, në Vlorë, më 1912.
Që Rexhep Mitrovica ka qenë ministër i Arsimit i Shqipërisë, duke dhënë një kontribut historik për shkollën e atëhershme shqipe, për krijimin e Muzeut Kombëtar si institucion dhe pasurimin e Bibliotekës Kombëtare, derisa e la postin, në shkurt të vitit 1924. Këtë akt e kreu, duke iu drejtuar mësuesve e pedagogëve, me një letër të gjatë prej 47 faqesh shtypi, botuar në numrin e posaçëm të revistës pedagogjike. Ai mbetet një dokument me vlerë, i denjë për të zënë vend në historinë e shkollës shqipe. Ai dokument përbën një testament të tij, që përpos pajisjes me dije, të formojë edhe qytetarin atdhetar, të cilët të mbajnë të papërlyer krenarinë kombëtare.
Që Rexhep Mitorovica, pas vitit 1924, për rreth 15 vjet, emigroi jasht vendit, pa hequr dorë nga veprimtaria politike.
Që Rexhep Mitrovica, pas prillit 1939, u kthye në Shqipëri, si kundërshtar i fashizmit, ndaj burgoset e mbahet në internim, deri në kapitullimin e Italisë.
Që Rexhep Mitrovica u bë kryeministër, në vitin 1944, mbajti një fjalim të shkëlqyer, historik, për çështjen e Kosovës, dhe u largua nga detyra me dorëheqje.
Që pas luftës, deri sa vdiq, në Turqi, më 1967, bëri jetën e dhimbshme të mërgimtarit, pa u tërhequr nga idetë e tij për një Shqipëri etnike, të lirë, demokratik e të pavarur.
Ky, Rexhep Mitrovica, nip i ndaluar për të shkelur e për t’u publikuar në Shqipëri, pavarësisht se përfaqësonte një madhështi në art, u soll nga ambasada franceze në Tiranë, pa asnjë ftesë nga institucionet përkatëse shqiptare, ta zemë të Ministrisë së Kulturës, të Akademisë së Arteve apo Teatrit Kombëtar. Grupi i xhirimit iu bashkëngjit aktorit shqiptaro - francez, që në aeroport, në hotet “Rogner”, ku u vendos bashkë me shoqëruesin e tij zezak nga Karaibet, i cili fliste dhe e çmonte aktorin, sikur përkujdesej për një perëndi.
Një ditë pas mbërritjes, aty nga ora 19, e prita Rexhep Mitrovicën në zyrën e drejtorit të Televizionit Shqiptar. Bashkë me të ishte dhe këshilltari kulturor i ambasadës, Mishel Taron. Përballë famës, aktori se si të dukej ashtu, i pakët në shtat, i brishtë si qënie, mjaft i hajthëm në strukturë, flokët në të verdhë, të rritur e të krehur përpjetë, fytyrën të bardhë me quka të shquara. Por, sidomos, duart, duart çuditërisht i kishte me fuqi shprehëse, deri në magji. Nuk mund të thoshte asnjë fjalë të vetme në shqip. U shfajësua e u ndje ngusht për këtë. Tha se i ati kishte shkuar në Francë i vogël, vetëm 7 vjeç. Përveç kësaj, ai qe vendosur diku, në një zonë ku nuk kishte asnjë familje shqiptare, nga që shihej, si biri i një kuislingu dhe mund të vëzhgohej nga policia e fshehtë komuniste e Shqipërisë. Ose, ai, ishte kujdesur për të mos pasur më tej historira të vështira. Atje, i ati, ishte martuar me një franceze.
Edhe Kosova, për aktorin e madh, ishte atdhe dhe duhej ndihmuar. Por, në mendjen e tij, ajo vinte diçka e mjegullt. Si i paftuar nga ndonjë institucion dhe duke mësuar shpejt se Televizioni Shqiptar përbënte pushtet të vërtetë, që në nisje të bisedës, fare pa droje, Rexhep Mitrovica tha dy kërkesa: “ Nuk do të kthehem, kurrësesi, në Paris, pa shkur në Theth e, pastaj, pa shkuar dhe në Butrint”. Kur e pyeta, përse donte të udhëtonte në Theth dhe nga i kishte lindur ky mendim, ndoshta nga leximet e rastit, ai dha përgjigje të çuditshme: “Thethi është zemra e Alpeve dhe e racës shqiptare”. Por, ato ditë kishin rënë shira përmbytës. Zhavorri i shumtë i pati vënë nën vete rrugët andej. Madje, edhe ndonjë urë, qe gërryer e shembur. Vajtja atje, në mos e pamundur, vështirësitë i kishte, diku, te caku i pakalueshmërisë. Sidomos, për një parisien, duke qenë njëherësh edhe i pamësuar.
-Do të gjej një Land Rover, tha. Në Theth do të shkoj se s’bën, përsëdyti këmbënguljen. Pa shkuar atje nuk ka Paris.
Udhëtimi për në Butrint nuk ishte ndonjë shqetësim. Edhe kërkesa për të shkuar atje qe e kuptueshme. Ndoshta, kishte njohuritë e duhura për qytetërimin e lashtë të Butrintit. Mirëpo, për të thënë se edhe në Butrint do të shkonte se s’bën, rrëfeu synimin e vet, që përbënte shkak tejet bindës. Ai tha se Jean Anounilh (1910 - 1987), është autor i tragjedisë “Euridika” (1942). Sipas mitologjisë, Euridika ishte gruaja e Orfeut. Ajo vdiq e pickuar nga gjarpëri. Orfeu zbriti në Ferr që ta merrte. Por për ta bërë të mundur këtë, i duhej të delte nga Ferri para saj dhe të mos kthehej asnjëherë për të parë prapa. Orfeu nuk e zbatoi rregullin dhe e humbi, përgjithmonë, Euridikën. Autori ngjarjet e tragjedisë i ka vendosur në Butrint. Unë, tha Rexhep Mitrovica, pas shpjegimit të shkurtër, kam filluar të vuaj nga dëshira e papërballueshme për të vënë në skenë “Euridikën”, pikërisht në Butrint, aty ku autori i vendos ngjarjet. Më duhet të formoj një trupë franceze. Do të përfshij edhe ndonjë aktor shqiptar. Do të mund të arrij të bëhet transmetimi i drejpërdrejt i tragjedisë nga amfiteatri i Butrintit, në televizionin francez.
Ky, dhe kaq sa tha, nuk mund të kalonin pa vëmendje. Ai vetndjehej shumë francez, por thellë, së brendshmi, ishte zgjuar edhe shqiptari. I bëra të ditur se kisha caktuar grup xhirimi për të përgatitur një dokumentar, për ta bërë, aq sa ishte e mundur, të njohur edhe në Shqipëri. I premtova se, pas transmetimit, do t’i dërgohej një kopje në Paris. I thashë se do të përpiqesha që të mund t’i kapte të dy skajet Theth - Butrint, ose Qiell-Tokë, brenda ditëve të pakta. Për këtë, patjetër, nevojitej një helikopter. Aktori i shquar shqiptaro - francez, i famshëm, sidomos, përmes “Ditari i Nijezhinskit”, nuk meritonte të trajtohej sikur kishte ardhur Kurrkushi dhe të largohej si Askushi.
Nuk kishte as kohë dhe as mundësi të tjera. I telefonova Presidentit Berisha, për t’i folur imtësisht rreth mbërritjes se papritur të Mitrovicës dhe se ishte në nderin dhe detyrën e qeverisë që ai të trajtohej si i ftuar i shtetit shqiptar. Pas kësaj, Ministria e Kulturës luajti rolin e duhur: E kthyen Mitrovicën të ftuar të tyre. Caktuan shoqëruese aktoren Marjeta Ljarja. Nga Ministria e Mbrojtjes u huajt një helikoptër për udhëtimin në Alpe. Shoqëruesi zezak u la në “Rogner”, pasi këshilltari kulturor i ambasadës, shfaqi dëshirë të papërmbajtur, për të shkuar vetë atje, sepse, tha, “po më afron koha e largimit nga Shqipëria dhe nuk do të kem rast t’i shoh ato vende të famshme”. Përpara largimit, Rexhep Mitrovicën e priti edhe Presidenti Sali Berisha. Informacioni që doli nga ai takim, kishte të bënte me dy gjëra me vlerë: Mbështetja e çështjes së Kosovës, vënia në skenë e “Euridika”, në Butrint dhe transmetimi drejtpërdrejt nga televizioni francez. Për atë ndërmarrje artistike të admirueshme, të mundshme, Presidenti ofroi mbështetjen e qeverisë së Shqipërisë.
Gjatë përgatitjes së dokumentarit, përkthyesja L.M. ndërtoi një lojë ngatërruese, thjeshtë për udhëtim në Francë. Ajo bëri fakt të kryer shndërrimin e vevetes, nga përkthyese në skenariste, duke shmangur gazetarin e caktuar për përfundimin e dokumentarit. Kjo nuk u pranua, edhe për shkak se përkthyesja kurrë nuk ishte marrë me skenare e tekste. S’di pse u vu në përplasje të pakuptimtë: drejtoria e Televizionit, përkthyesja, këshilltari i ambasadës dhe Rexhep Mitrovica? Çoku i bilardos së saj, me një fax, përcolli pështjellim, deri në Paris, te një organizëm mbi të drejtat e autorit, i cili, duke folur në emër të aktorit, kërkonte që dokumentari të mos transmetohej nga Televizioni Shqiptar. Për këtë çështje, në drejtorinë e Televizionit erdhi edhe zoti Taron. Në thelb iu tha që dokumentari ishte prodhim i TVSH, trajtonte vizitën e aktorit Rexhep Mitrovica në Shqipëri dhe famën e tij në Francë. Nuk kishte asnjë marrëveshje paraparake, mes TVSH dhe Mitrovicës, kërkuar nga ky i fundit. Aktori i njohur nuk e kishte kundërshtuar grupin e xhirimit dhe nuk paratha kurrfarë kushti në ardhje, as në ikje e as më pas. Por, këshilltari nuk i quajti këto të mjaftueshme dhe bëri me dije se, “Dokumentari nuk duhet të transmetohet pa ardhur pëlqimi nga Parisi”.
Megjithkëtë, dokumentari u transmetua, me plot sukses dhe pa kurrfarë ngurimi, në natën e dytë të programit të Vitit të Ri 1996, në kohën e zgjedhur. Pak ditë më vonë, gjatë një pritjeje në mjediset e ambasadës, në Rrugën e Elbasanit, e pyeta këshilltarin nëse e kishte parë dokumentarin dhe ç’mendim kishte për të. Ai u përgjigj: “ S’ka shumë rëndësi si është, por që të mos transmetohej pa lejen e zotit Mitrovica”. Kuptova se ngatërresa ende rrinte e pështjelluar lëmsh, por të bindur se aktori duhet të ishte jashtë rrymës së fakseve që thurnin intrigë dhe ngrenin keqkuptim.
Pas pak muajsh, Rexhep Mitrovica, me perlën e tij, “Ditari i Nijezhinskit”, ndërmori një udhëtim në Sankt Petërsburg, Bukuresh, më duket edhe në Shkup. Siç kishte premtuar, erdhi dhe në Tiranë. Atë natë, aty rreth orës 24, ra telefoni në shtëpi. Bujar Kapexhiu, drejtor i Akademisë së Arteve, foli në emër të këshilltarit të ambasadës dhe të vetin. Si bëri të ditur se Rexhep Mitrovica kishte mbërritur, përsëdyti, në Shqipëri, se kishte ardhur me “Ditari i Nijezhinskit”, se do të shfaqej vetëm një herë dhe vetëm në Akademinë e Arteve, qartësoi që, gjithçka gjindej në prag të dështimit. Salla kishte probleme të pazgjidhshme për ndriçmin artistik të skenës. Duke qenë e gjitha lojë vetëm e një aktori, pa artin e të ndriçuarit, as që bëhej fjalë për shfaqje.
Në mëngjes, specialistët u urdhëruan të zbërthenin pultin e ndriçimit, që Televizioni kishte në gjendje të përhershme, në Pallatin e Kongresve, dhe të dërgohej enkas për “Ditari i Nijezhinskit” dhe aktorin Rexhep Mitrovica. Suksesi ishte i plotë. Sekretarja e ambasadës, telefonoi në emër të zotit Taron: “Nga e marta deri të shtunë, caktojeni ju se kur. Atëherë kur ju të vendosni, do të jepet një darkë për zotin Mitrovica”. Në shtëpinë e tij u mblodhëm një numër i kufizuar: Drejtori i TVSH, aktorët Rikard Ljarja e Agim Qirjaqi, artisti Zhani Ciko, Rexhep Mitrovica, Mishel Taron dhe tezja e tij.
Në një çast të gjetur, iu drejtova aktorit, duke i thënë se kisha lexuar fjalimin e shkëlqyer, programatik, të përurimit të Rexhep Mitrovicës si kryeministër. Ai i kushtohej, thuajse tërësisht, çështjes së pazgjidhur të Kosovës. Përbënte, në tërësinë e tij, një shtjellim të atillë sa duhet të kishin lakmi politikanë shqiptarë të fundshekullit. I tregova, gjithashtu, se kisha mundur të shohë gjashtë fotografi të panjohura të kryeministrit Rexhep Mitrovica, si dhe nënshkrimin e tij në dokumentin e Shpalljes së Pavarësisë, në Vlorë, më 1912, ku ai kishte qenë pjesëmarrës, por që gjatë viteve të diktaturës, firma e tij ishte retushuar nëpër publikime, deri në mbulimin me harresë dhe mosekzistencë.
-A mund t’i kem ato foto dhe atë fjalim? - tha dhe këqyri.
-Po. Rexhep Mitrovica i dytë, me vështrim të palëvizshëm, pa u ndjerë aspak ngushtë mes të ftuarve, nisi të lotojë për faqe.