E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzicientët e ‘Shoqërisë 65’

Disa gazeta britanike këtyre ditëve po merren me përpilimin e listës së veteranëve të merituar muzikorë. Përveçqë janë pranë ‘pensionimit’, veteranët po bëhen edhe pjesë e listës së ‘Shoqërisë 65’.

Kur u shfaq, muzika rock’n’roll ishte ajo që prodhoi kultin e rinisë, andaj, qoftë edhe në ëndrrat më të çmendura ishte vështirë të paramendohej se protagonistët e saj do të arrinin të prisnin pensionimin.

“Shpresoj se do të vdes para se të plakem”, këndonte gjatë mesviteve të 60’a grupi The Who, në himnin e vetë të rebelimit “My Generation”.

“A do të të duhem ende, a do të më ushqesh ende kur t’i kem 64?”, pyeste Paul McCartney në vitin e largët 1967, i shoqëruar me tingujt e tre klarinetave, në albumin e famshëm të grupit The Beatles “Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band”.

Asokohe McCartney ishte 25 vjeç, dhe 64 vjet i dukeshin të largëta aq sa ndonjë ngjarje fantastiko-shkencore. Dhe vërtet, për një moment dukej se në skenë ishte shfaqur një gjeneratë që përmes këngëve të saj kishte patentuar eliksirin e rinisë, të cilin me xhelozi po ruante për vete.

Jeto shpejtë, vdis i ri

Imperativi i adoleshencës së përhershme dhe të pabrenga, me gjasë, u intonua më së miri në sloganin hedonist “jeto shpejtë, vdis i ri”, i cili së shpejti u shndërrua në moton reklamuese të makinerisë diskografike, dhe që u kultivua për vite me radhë. Mirëpo, që në dhjetëvjetëshin e ardhshëm, pjesëtarët e The Beatles, Rolling Stones dhe Pink Floyd (që asokohe ishin në të tridhjetat)u cilësuan si pleq të mërzitshëm, të cilët vala e re e muzikës punk do të shlyente nga faqja e dheut para se dikush të arrijë të thotë: “Never mind the bollocks”.

Por, siç e dimë, kjo gjë nuk ndodhi. Ç’është e vërteta, qoftë edhe një analizë sipërfaqësore e ngjarjeve në pop-skenën e vitit 2011 tregon se roku klasik i rrymës së mesme njëmend ndodhet buzë (vetë)‘shfarosjes’, por kjo po ndodhë shkaku i arsyeje shumë më prozaike: sepse bëhet fjalë për një zhanër muzikor që, të paktën deri më tani, sikur i ka shpenzuar rezervat e inspirimit dhe po tërhiqet në margjina, për shkak se ka disa vite që s’ka çfarë të ofrojë.

Njëkohësisht, interpretuesit që qysh në vitin 1977 ishin shpallur si dinozaurë, sot – pas një aktiviteti pre disa dekadash në skenën botërore – përfundimisht po i bashkëngjiten shoqërisë së pensionistëve.

Në fakt, ende mbetet e paparamendueshme që Iggy Pop – kumbara i punk muzikës në variantin e saj më dinamik – “të ulet në një bankë parku, të luaj me letra dhe të lexojë gazeta”, por ja që matematika nganjëherë di të jetë e rreptë. Punkeri veteran nga Detroiti në muajin prill do t’i mbushë plot 65 vjet.

Megjithatë, mbijetuan

Disa gazeta britanike këtyre ditëve po merren me përpilimin e veteranëve më të merituar muzikorë. Përveçqë janë pranë ‘pensionimit’, ata po bëhen edhe pjesë e listës së ‘Shoqërisë 65”.

Kështu, në ‘Shoqërinë 65’ ditë më parë ka hyrë David Bowie, muzicienti aktivitetet e të cilit sikur ‘vdiqën’ pas problemeve serioze me zemër, edhe pse kameleoni i madh i rokut - siç e quanin dikur – mbetet në qendër të interesimit të publikut të gjeneratave të ndryshme. Veç tij, aty radhiten edhe Elton John, kitaristi i grupit The Kinks Dave Davies, adoleshenti i përjetshëm Ronnie Wood, gati i harruari Meatloaf, virtuozi në kitarë Carlos Santana, ose gjithmonë vitalja Patti Smith (e cila muajin e kaluar e kremtoi ditëlindjen e sa me një koncert energjik në klubin njujorkez Bowery Ballroom).

Pa dyshim se vargjet e këngës “My Generation” tani përçojnë një porosi ndryshe: Ne mbijetuam, përkundër të gjithave. Ata vërtet u bënë gjithçka tjetër pos jo pensionistë të zakonshëm, duke i kundërshtuar kështu konventat urbane dhe ligjet biologjike.

E, sir Paul McCartney? Ai i ka tejkaluar tashmë edhe brengat e kësaj natyre.

Njëri nga dy pjesëtarët e mbijetuar të grupit The Beatles, në muajin qershor do t’i mbushë 70 vjet. Por, publiku shumëmilionësh këtë gjë s’do ta vërejë fare kur të blejë albumin e fundit të McCartney, “Kisses On The Bottom”.

Me sa duket, kemi të bëjmë me një gjeneratë së cilës i “është shkruar që të zhduket” në të vetmin vend ku ndjehet mirë dhe natyrshëm - në skenë. Tportal.hr

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›