Muzika e Diellit
Dielli ka qenë gjithmonë burim frymëzimi për muzikantët dhe këngëtarët. Por tani shkencëtarët kanë arritur të regjistrojnë dhe ta bëjnë të dëgjueshme për njeriun muzikën që vetë ylli është në gjendje të prodhojë. Në fakt, këtë simfoni diellore nuk mund ta dëgjojmë, sepse frekuenca e valëve zanore është poshtë frekuencës së pragut të dëgjimit njerëzor. Njerëzit mund të perceptojnë tinguj nga 20 në 20 mijë hertz, valët zanore diellore janë të rendit mili-hertz. është një harmoni muzikore që krijohet nga fusha magnetike në pjesën e jashtme të atmosferës së tij, shumë e ngjashme me atë të kordave të një kitare. Regjistrimi është realizuar nga një grup shkencëtarësh, të cilët tri vjet më parë, gjatë një konference të “Shoqërisë astronomike mbretërore”, kishin arritur të shpjegonin në detaj fenomenin e kësaj harmonie të veçantë diellore. Robertus von Fáy-Siebenbürgen, koordinatori i grupit të astronomëve të Universitetit të Shefildit, ka vënë re se si harqet e mëdha magnetike që krijohen në kurorën diellore prodhojnë valë zanore të cilat mund të krahasohen me ato të kordës së një kitare. Në raste të tjera, prodhohen valë të ngjashme me ato që krijohen nga instrumentet frymore (flauti, klarineta etj).
Për të prodhuar tingujt, shkencëtarët anglezë kanë përdorur imazhet e fotografuara nga sateliti i këtyre harqeve magnetike, të cilat mund të arrijnë një gjatësi prej 96 mijë kilometrash, ndërsa më pas kanë gjetur frekuencën, në mënyrë që edhe veshi i njeriut të mund t’i dëgjojë. “Shtjella të fuqishme nxehtësie, gaz i jonizuar në atmosferën e Diellit, sillen si një instrument muzikor”, thonë shkencëtarët. Këto “kurora diellore” lëshojnë valë akustike shumë të ngjashme me tingullin e një note të lëshuar nga instrumentet frymore. Shpërthimet diellore, të quajtura ndryshe “mikro-erozione”, krijojnë tinguj që më pas u transmetohen “kurorave diellore”.
Nuk do të kishte asgjë më të mrekullueshme sesa kjo melodi, megjithatë ata që e kanë dëgjuar, thonë se është një “mërzitje e vërtetë”. “T’i dëgjoje për herë të parë këta tinguj që u nxorën nga një burim kaq i madh dhe i fuqishëm, ishte vërtet një eksperiencë e bukur. Jemi përballë një muzike që do të na lejojë ta studiojmë Diellin në një këndvështrim tjetër dhe të kuptojmë më mirë se çfarë ndodh në shtresat e jashtme, ku temperaturat arrijnë miliona gradë”, është shprehur profesori për “Daily Telegraph”.
Harqet magnetike, bëjnë të ditur ekspertët, lëkunden nga ngacmimet e shpërthimeve të fuqishme që ndodhin në bazat e tyre. Valët akustike që krijohen nga secili prej këtyre shpërthimeve përhapen me një shpejtësi e cila varion nga 45 mijë, në 90 mijë milje për orë dhe mund të lëshojnë një energji të barabartë me një milion bomba hidrogjeni. “Kurora” është një atmosferë gazesh të nxehtë të ngarkuar elektrikë, ose në gjendje plazmore, që rrethojnë diellin. Temperatura e kurorës është 300 herë më e lartë se sipërfaqja e dukshme e Diellit, ose fotosfera, dhe asnjë nuk mund ta shpjegojë përse.
Studimi i shkencëtarëve britanikë mund t’i ndihmojë astronomët të parashikojnë stuhitë e frikshme diellore. Javën e kaluar, NASA ka rikujtuar se aktiviteti diellor po rritet vazhdimisht: pasoja do jetë emetimi në sistemin diellor i niveleve të energjisë magnetike shumë të larta, brenda vitit 2013. Për ekspertët, kjo gjë mund të çojë në një kohë shumë të shkurtër në çrregullimin e aparaturave elektrike, duke e lënë kështu planetin në errësirë. Gjithashtu mund të dëmtojë edhe sistemin e komunikimit e të gjitha pajisjet GPS.
“Studimi i muzikës së diellit mund të na japë mundësinë t’i kuptojmë më mirë dhe t’i parashikojmë këto stuhi diellore”, ka thënë profesor Fáy-Siebenbürgen. Për docentin, perspektivat e ardhshme për të njohur Diellin në tërësinë e tij janë inkurajuese: “Këto harqe lëkunden si kordat e një kitare, ose ajri në një instrument muzikor me frymë. Me kalimin e kohës, valët zhduken vazhdimisht, dhe kjo mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë atë që ndodh në atmosferën diellore”, përfundon ai.
#