Në prag të 95-vjetorit të lindjes së Shuteriqit
Dhimitër S. Shuteriqi, me emrin dhe mbiemrin e sotëm si shkrimtar dhe historian i letërsisë dhe i kulturës shqipe, ai që do t’i jepte shkëlqim pemës gjenealogjike të Shuteriqëve, u lind më 26 korrik 1915 (13 sipas kalendarit arab), kur flakët e Luftës I Botërore ishin ende larg Elbasanit. Këtë datë e saktëson vetë Simoni, i cili në librin e familjes shkruan : « Mbë 13 të korrikut 1915, për të hanë, mbë 3 të natës ka lemë im bir, Dhimitër-Bardhuli. Qoftë me jetë të gjatë ! » Ashtu si e pohon edhe vetë, Shuteriqi bën pjesë në brezin e pestë të Shuteriqëve që mbahen mend në Elbasan. Simoni ishte në Bërzeshtë te miku i tij i rinisë Shaban Blloshmi, kur e mori lajmin e gëzuar. Me Shabanin, patriot që bënte pjesë në rrethin shoqëror të frashërllinjve, ai ishte njohur që kur ishte mësues në Tushemisht. Dhe me kalimin e kohës miqësia e tyre qe forcuar. Shabani pati shumë dëshirë të bëhej kumbarë, por Shuteriqët kishin tashmë Xhuvanët. Atëherë ai iu lut Simonit që të paktën t’i vinte djalit emrin e bukur shqiptar Bardhul. Vërtet foshnjës ia vunë emrin Bardhul, por emri i dytë sipas ritit ortodoks, ishte Dhimitër. Katerina, gjyshja, prej gëzimit që ringjalli emrin e të shoqit, nuk e thirri kurrë me emrin e parë. Kështu emri Bardhul ca nga ca u harrua.
Foshnja e sapolindur u gjend mes një mjedisi të qetë e të ngrohtë familjar. Katerina e mallëngjyer e përkundte dhe i këndonte te koka ninulla, duke uruar në heshtje që ai të rritej i mbarë. Foshnja qante, por ishte i shëndetshëm dhe u shkathtësua shpejt. Gjëja që binte në sy menjëherë te ai, ishte dëshira për të lëvizur. Atë e tërhiqnin gjërat e reja, veçanërisht ngjyrat. Kur mbushi një vjeç, sipas ritualit dhe traditës vendase, atij i vunë përpara një kobure, një qeleshe dhe një libër, si simbole të mendësisë popullore për virtyrtet e njeriut. Fëmija e vështroi me çudi sininë e rrumbullakët, por rrëmbeu me të dyja duart librin. Ky ishte thjesht një veprim i rastësishëm, megjithatë ata që ishin rreth vogëlushit u gëzuan së tepërmi. Pra, « çuni do të bëhej i ditur »!
Kur dilnin prindërit, vogëlushi mbetej mes kujdesit dhe përkëdheljeve të dy gjysheve. Kështu që s’kishte si të mos rritej i shëndetshëm një bebe i rrethuar me një kujdes që vinte nga dy përvoja. Shëndeti i mirë i Dhimitrit foshnjë ishte burim kënaqësie për të gjithe familjen, por veçanërisht për Simonin dhe Efemien që ëndërronin shumë për të birin.
Gjithsesi periudha e lumtur e çiftit Shuteriqi, filloi të turbullohej shpejt. Endrra e tyre fisnike prej prindi që djali të rritej normalisht e në qetësi, u pre në mes. Flakët e luftës që kishte qenë disi larg, mbërritën në Elbasan në mënyrën më të llahtarshme. Tërë Shqipëria ishte kthyer në shesh beteje. Lufta solli varfëri e çrregullime të mëdha në Shqipëri, por në Elbasan ra menjëherë zia e bukës që u pasua nga epidemia e kolerës. Familja e Shuteriqëve u gjend në ngushticë ekonomike. Luigji (Gurakuqi) që ishte Drejtor i Arsimit në kohën e Austrisë, sillte pak bukë gruri austriake që e mbanin në kyç për Dhimitrin. Ajo bukë e shpëtoi të voglin nga rakitizmi ose edhe nga vdekja e sigurt. Merret me mend që prindërit nuk ia kanë treguar të birit kur u rrit të gjitha mjerimet që solli lufta, se nuk donin ta brengosnin, por një pjesë të tyre ai sidoqoftë i mësoi nga të tjerët.
Në Elbasanin e pushtuar, kuptohet, shkollat u mbyllën dhe vjeshta e vitit 1917, e gjeti Simonin pa punë. Familja ra ekonomikisht dhe u fut në borxhe. Më së fundi, ai u detyrua të shiste ullishtën, të vetmen pasuri që trashëgonte nga i ati, për ca kilogramë misër, që të mos vdisnin urie. Ishte një ullishtë e vogël me njëzet rrënjë ullinj. Në Elbasan kolera po bënte kërdinë. Qytetin e mbuloi ankthi i vdekjes. Gati një shekull më parë kolera pati shuar 400 shtëpi, nga të cilat 70 vetëm në lagjen Kala. Këtë herë nga familja e tyre kolera mbërtheu Katerinën. Ajo grua kurajoze që kishte përballuar vuajtje, hidhërime e sakrifica të panumërta me vdekjen e Mitrushit dhe të pesë fëmijëve, nuk i bëri dot ballë sëmundjes. Simoni e vuan si një humbje të madhe vdekjen e mëmës. Ajo kishte qenë edhe një mbështetje e madhe shpirtërore për të. Dhimitri nuk ia mbante mend as fytyrën dhe as zërin, sepse ishte vetëm dy vjeç kur ajo iku nga kjo jetë, por duhej të ishte pesë apo gjashtë vjeç, kur një pasdite Simoni i tregoi një fotografi të bërë mbi « kartë të kuqërreme » Ditën e të Vdekurve në varreza dhe e pyeti në e gjente dot se cila ishte gjyshja. Megjithëse në fotografi ishin disa gra, vogëlushi e vendosi dorën në mënyrë intuitive pikërisht te Katerina. Simoni në mes gëzimit u shpreh: « Domosdo, domosdo, gjaku s’bëhet ujë ». Sidoqoftë vogëlushit nuk i mungojnë përkëdhelitë. Ishte gjyshja tjetër që Shuteriqi do ta kujtonte me dashuri edhe në pleqërinë e thellë. Fotografinë e saj të madhe, futur në kornizë si tablo pikture, do ta gjesh te shtëpia e Andonëve në Elbasan. Ajo ka dalë aty me të shoqin Jani Andoni, ditën e dasmës. Një çift i bukur, i lumtur, që vdekja tragjike e njërit, do t’ia ndërpriste jetën edhe tjetrit.
Pjesë nga libri ”Dhimitër S. Shuteriqi” që është bërë gati për botim
#