Muzika e lartë, ish-polici vret në plazh 30-vjeçarin
DURRES/ OERD ULQINI
Ish-polici ekzekuton me armë automatike 30-vjeçarin pas një konflikti për muzikën e lartë në lokalin e tij. Marenglen Jahoelezi gjeti vdekjen nga plumbat e marrë, ndërsa autori i këtij krimi, Zihni Dushku, 53 vjeç, u arrestua me akuzën e vrasjes. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 23:15 të së hënës në plazhin e Hamallajt, tek lokali (tip kioske) i Dushkut. Ish- polici pensionist nga Hamallaj-Sukth kishte në plazh një biznes sezonal të vetin. Ngjarja e ndodhur në plazh mund të cilësohet edhe si kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Kjo, pasi konflikti ndërmjet viktimës e autorit kishte nisur që të dielën e kaluar. Shkak ishte bërë muzika e lartë që kishte vënë në lokal autori 53-vjeçar. Sipas policisë, Dushku dhe Jahoelezi kishin lokale sezonale afër njëri–tjetrit në plazhin e Hamallajt në afërsi të zonës së Hidrovorit. Muzika e lartë e lokalit të Dushkut ka sjellë reagime të ashpra të 30-vjeçarit nga Tirana, aq sa ata janë rrahur me grushte. Pas këtij konflikti të dy u shoqëruan në policinë e Durrësit. Blutë i lanë të lirë, por pasi më parë iu morën nga një deklaratë, ku të dy palët shprehnin dëshirën për të mos e përsëritur më konfliktin. Pas firmosjes së kësaj deklarate, ata lanë ambientet e policisë, por debati nisi një ditë më pas. Të hënën në mbrëmje, në lokalin e autorit të vrasjes, viktima shkoi me disa miq të tij për t’i bërë edhe presion psikologjik në mënyrë që muzika e lokalit të tij të mos ishte në volum kaq të lartë. Sipas dëshmitarëve, Jahoelezi me miqtë e tij kanë shkuar rreth orës 23:15 te lokali i ish-policit duke rifilluar konfliktin. Dushku, kur ka parë grupin e të rinjve me sa duket është trembur, pasi nuk mund t’i përballonte i vetëm. Ai është futur menjëherë në lokal, ku ka marrë një armë automatike që e mbante pa leje. Më pas doli jashtë lokalit dhe pasi i kërcënoi të gjithë të rinjtë, e zbrazi armën në drejtim të 30-vjeçarit, pronar i lokalit ngjitur me të tijin. I riu mbeti i plagosur në dyshemenë e lokalit të Dushkut, ndërsa shokët e tij e morën menjëherë duke e transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Por i plagosuri nuk mundi t’u mbijetojë plumbave dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital. Sapo blutë morën njoftimin për të shtëna armësh në zonën e Hamallajt, dërguan shërbimet e policisë për verifikim të informacionit. Pas identifikimit të autorit, policia kreu arrestimin e tij në orën 03:30. Duke qenë se i kërkuari ishte me të kaluar në Policinë e Shtetit, ai mësohet se nuk kishte bërë asnjë rezistencë në momentin e ndalimit. Ekspertët e policisë kriminale bllokuan 5 gëzhoja model 56 si dhe armën automatike.