E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Mandati i dytë i nevojshëm për projektin e “Shqipërisë Evropiane”

 

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e pranishme në ceremoninë përkujtimore të 60-vjetorit të masakrës së Qafë-Valmirit, shprehu  respektin dhe mirënjohjen e saj për të gjithë burrat e gratë e Mirditës, të cilët u vranë nga regjimi komunist për shkak të vendosmërisë së tyre në besimin tek liria. “Unë gjithmonë kam vlerësuar një edukatë të fortë, një vlerë të madhe: forcën për të falur. Është gjëja më e madhe”. “I fortë dhe me kurajo është ai që fal dhe që s’mendon kurrë për diçka tjetër dhe ju e keni bërë këtë më shumë se gjithkush tjetër me një fisnikëri të paparë, me një forcë dhe kurajo të jashtëzakonshme. Kjo është gjëja më e mirë. Nuk ka qenë rastësi që vëmendja, terrori, dhuna më e madhe është ushtruar në Mirditë. Ishte zona që qëndroi më fort, më gjatë dhe ndaj së cilës regjimi nuk mundi të gjente zgjidhje tjetër, por veçse të provonte më ekstremen, t’i përçante njerëzit, ta përçante krahinën dhe të tentonte t’i vendoste njërin kundër tjetrit”, tha Topalli. Kryeparlamentarja theksoi se mandati i dytë i marrë nga demokratët ishte shumë i rëndësishëm për Shqipërinë. “Jetojmë në një Shqipëri që kishte absolutisht nevojë, dhe këtu nuk flas si partiake, por pikë së pari si qytetare, që të vazhdonte me qeverisjen e projektit të Shqipërisë evropiane. Ky mandat ishte shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për shqiptarët, për të rinjtë, të cilët votuan në mënyrën më ekselente projektin e një Shqipërie vërtet perëndimore, evropiane”, tha Topalli. Ajo shtoi se “është një Shqipëri me projektin e vet, që Kryeministri Berisha e quan “projekti i bashkimit kombëtar me idealet evropiane”. Ky është vetëm një element. Elementë të tjerë të shumtë janë vendosur në të ardhmen për t’u zhvilluar. Kjo të bën të ndihesh një komb i ringjallur, një komb që ka një histori jashtëzakonisht të vështirë, por me një energji të paparë, me një popull jashtëzakonisht inteligjent, që hidhet, që beson te liria dhe te mundësitë e veta”. “Sot ne ndihemi më krenarë se kurrë, në një Shqipëri që po ecën përpara, po zhvillohet ekonomikisht. Në një Mirditë ku kalon një infrastrukturë moderne e jashtëzakonshme, në një Shqipëri që është anëtare e NATO-s”, tha numri dy i PD-së. Të pranishmit në këtë ceremoni përkujtuan viktimat e masakrës së Qafë Valmirit, e cila njihet si një nga masakrat më të përgjakshme të regjimit komunist. Ngjarja e 17 gushtit 1949 me 14 të ekzekutuar e qindra familje mirditore të internuara vinte 10 ditë pas vrasjes në Qafë Valmir të deputetit dhe sekretarit politik të Partisë në Mirditë, Bardhok Biba, pinjoll i derës së kapedanit të Gjomarkajve, pas një prite që i ishte bërë në emër të “Komitetit të Maleve”. Dhjetë ditë pas vrasjes së Bibës, u pushkatuan dhe u varën 14 banorë të zonës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›