E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zamira Çaka: Gjonçaj të dorëhiqet

 

Aristir Lumezi

“Po përgatitet një farsë elektorale në PS me zgjedhjet për kryetarin e partisë”. Ish-kryetarja e komisionit zgjedhor në PS, Zamira Çaka e dorëhequr nga ky post në vitin 2007 kur Rama u zgjodh në krye të PS-së, u shpreh dje se ka elementë që tregojnë për një proces të manipuluar.  “Procesi i votimit të anëtarësisë socialiste për të zgjedhur mes Edi Ramës dhe Arben Malajt do të jetë një farsë”, shprehet Zamira Çaka, e cila i kërkon dorëheqjen kreut aktual të këtij komisioni, Genci Gjonçajt. “Përfshirja e Genci Gjonçajt në projektet e Bashkisë së Tiranës, hedh dyshime mbi paanshmërinë e strukturave që numërojnë votat”, thotë Çaka. “Duhet të japë dorëheqjen. Nëse është i punësuar në Bashkinë e Tiranës, ai krijon lidhje direkte dhe konflikt interesi. Pavarësisht se statuti ka vendosur pengesa të tjera, por kjo është një lidhje direkte e zotit Gjonçaj, i cili nuk duhet të pranojë të bëhet pjesë e kësaj farse elektorale në PS. Ky është një proces fars. Është një pabarazi midis dy kandidatëve sepse zoti Rama ka të gjitha emërtesat në strukturat e partisë, ndërsa kandidaturat e tjera nuk kanë asnjë mbështetje përveçse vullnetit”, shprehet Çaka. Në vitin 2007, kur Edi Rama u zgjodh kryetar i socialistëve me parimin “Një anëtar, një votë”, Zamira Çaka dha dorëheqjen për shkak të manipulimeve gjatë procesit. Caka thotë se po vihen re shenjat e para të një procesi të parregullt. “Po shikoj që këtu ka filluar ajo farsë elektorale që ishte edhe në vitin 2007. Do të ketë manipulim dhe sa jam në dijeni po bëhen manipulime edhe përsa i përket thirrjes së delegatëve të kongresit. Do të thërriten delegatët që janë pro Ramës dhe nuk do të thirren delegatët që kanë pasur zërin e tyre në PS që para se të vinte zoti Rama dhe tashmë që është zoti Rama”, thotë Çaka. ajo e krahason garën mes Edi Ramës dhe Arben majat, i cili deri tani është shprehur se do të jetë në garë me kreun aktual të ngjashme me atë të 2007 kur përballë Ramës konkurroi Shkëlqim Meta. “Në rast se ndodh, ajo që pritet, Arben Malaj do të jetë në çift me Shkëlqim Metën, si dy kandidatë të humbur përballë Edi Ramës në garën për kryetar me parimin “Një anëtar, një votë”, u shpreh Çaka. Në kandidaturën e tij të parë për kryetar të Partisë Socialiste, në kongresin e dhjetorit 2003, Rama humbi përballë Fatos Nanos, por votimi i atëhershëm u krye nga delegatet e kongresit dhe jo nga anëtarësia socialiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›