Tahiri: Qeveria asnjë masë për sigurinë e jetës së qytetarëve
Partia Socialiste bën përgjegjës Qeverinë dhe Kryeministrin Sali Berisha për vrasjet e shumta të ndodhura gjatë kësaj periudhe. Deputeti socialist, Sajmir Tahiri në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se “shprehim shqetësimin e PS për mungesën e theksuar të sigurisë së jetës në vend, por gjithashtu për mungesën e theksuar të masave parandaluese dhe mbrojtëse, që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare”. “Kronikat e lajmeve janë të mbushura me vrasje, vetëvrasje, plagosje, aksidente rrugore, aksidente në punë, pra të gjitha ato ngjarje të përditshme ku humbasin jetën nëna, fëmijë, burra, gra, të moshuar, në gëzimin e një dasme, në plazh, në punë, në rrugë, në shtëpi e kudo. Tashmë muaj pas vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi, ngjarje ende pa autor e pa përgjegjës, ngjarjes tragjike të para pak ditëve ku humbën jetën 4 efektivë të policisë, dëgjojmë e shohim ngjarje të rënda e të tjera vetëm në dukje më pak të rënda, por njëlloj tragjedi të mëdha individuale dhe shoqërore për ata që humbasin jetën, familjet e tyre dhe për mbarë shoqërinë”, tha Tahiri. Sipas tij, këto vrasje që po ndodhin në Shqipëri përbëjnë një bilanc lufte. “Varfëria, skamja, uria, mungesa e mundësive për të jetuar, pabarazia sociale, mungesa e perspektivës, mungesa e rregullave ose mungesa e vullnetit për ti zbatuar ato në mënyrë të barabartë e jo selektive, injorimi nga shteti e ndonjëherë injorimi edhe nga ata vetë që janë të ngarkuar të garantojnë integritetin e jetës së qytetarëve, janë shkaqet e vërteta që bëjnë me përgjegjësi të plotë Qeverinë e paaftë të Sali Berishës, e cila në vend që të mbrojë me çdo çmim jetën e qytetarëve, ka vendosur një çmim të rëndë në kurrizin e tyre për interesat e saj të ngushta e korruptive, një çmim që e paguajnë me jetën e tyre ata që ikin dhe me sakrifica të përditshme të tjerët që janë ende gjallë”, theksoi Tahiri. Ai shtoi se “Për këtë situatë, PS bën përgjegjës të drejtpërdrejtë Sali Berishën dhe Qeverinë e tij, të cilët nga kujdesi për të ruajtur kolltukun e pushtetit e për t’u pasuruar me çdo kusht, janë verbëruar në paaftësi e korrupsion, duke mohuar padrejtësisht përkujdesin dhe përkrahjen që meriton jeta e çdo shqiptari, qoftë ky i varfër apo i pasur”.