Zbulohen “spiunët” e Dajtit në polici
Trazhgim Sokolaj
I shumëkërkuari Dritan Dajti kishte “miq” në policinë e Durrësit, Korçës, Fierit dhe Dibrës. Hetimi i lidhjeve të personit më të kërkuar në Shqipëri për gjashtë vjet, ka përparuar dukshëm ditët e fundit. Zyrtarë të Ministrisë së Brendshme patën dje një takim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda me grupin hetimor të vrasjes së katër oficerëve të policisë. Në këtë takim mësohet se është bërë edhe ballafaqimi i informacioneve e provave të mbledhura nga hetimet e deritanishme. Mbi bazën e këtyre të dhënave është rrëzuar versioni, sipas të cilit pesë efektiva të policisë kishin komunikuar me Dritan Dajtin dhe kunatin e tij, Erges Xhoxhi. Informacionet e fundit të administruara dje në dosje, tregojnë se bëhet fjalë vetëm për katër efektiva policie, edhe pse në menynë e celularit të kunatit të Dajtit janë gjetur në fakt pesë numra që i përkasin punonjësve të rendit. Ngatërresa me numrin 5 është bërë për shkak se dy prej numrave janë përdorur nga një person i vetëm, inspektor i policisë së Durrësit në zonën e pistës “Iliria”, ku i shumëkërkuari kishte marrë banesën me qira ku strehohej prej disa muajsh. “Në momentin e parë pas gjetjes së 5 numrave gjatë këqyrjes së celularit, u mendua se bëhej fjalë për pesë efektiva të policisë që kishin mbajtur kontakte herë pas here me kunatin e Dajtit. Por informacionet dhe provat e mbledhura tani tregojnë se dy numra janë përdorur nga një person i vetëm, inspektor i policisë së Durrësit”, thanë burimet nga Prokuroria.
“Spiunët” e Dajtit
Kalibri i personazhit të Dritan Dajtit, por edhe suksesi i tij në fshehjen ndaj policisë për gjashtë vjet, pas arratisjes nga Gjykata e Tiranës, u bënë shkak për dyshime rreth një dekonspirimi të mundshëm të aksionit të 7 gushtit 2009 në Durrës. Hetuesit e patën këtë dyshim që në momentet e para pas ngjarjes, por hamendësimet e tyre shkuan edhe më tej, gjatë këqyrjes së telefonit të kunatit të Dritan Dajtit. Erges Xhoxhi u arrestua bashkë me të shumëkërkuarin, ndërsa verifikimi i telefonit të tij zbuloi pesë numrat e dyshimtë, katër prej të cilëve me serinë 41, që u përket telefonave me kontratë të punonjësve të policisë. Numri i pestë ishte edhe ai me kontratë, i serisë 20, por edhe ai i përkiste inspektorit të policisë së Durrësit, që në kontaktet e tij me kunatin e Dajtit kishte përdorur edhe numrin tjetër të serisë 41. Pas këtyre konfirmimeve, grupi i hetimit ka verifikuar dje edhe identitetin e tre oficerëve që mbajnë numrat e tjerë të gjetur në telefonin e kunatit të Dajtit. “Bëhet fjalë për një oficer të policisë së Fierit, një oficer të policisë së Korçës dhe një efektiv të policisë së Dibrës”, thanë burimet zyrtare të hetimit.
Në Korçë hetohet për distinktivin
Vrasja e katër policëve në Durrës i kushtoi Dritan Dajtit jo vetëm plagosjen e rëndë me katër plumba, por edhe arrestimin. Pas kapjes së tij, në makinën “Tuareg” me të cilën ai kishte lëvizur u gjet një dokument identiteti i falsifikuar, i cili më parë është përdorur nga Dajti për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kontrolleve të policisë. Distinktivi mbante foton e Dajtit, por emri ishte Artan Zeneli, komisar në policinë e Korçës. Prokuroria po heton rreth këtij dokumenti, ndërsa dje, pas identifikimit të numrit të oficerit të Korçës, gjetur në celularin e kunatit të Dajtit, ndaj këtij efektivi kanë nisur hetimet për rolin që ka pasur në pajisjen e të kërkuarit me dokumentin e rremë si punonjës policie. Prokuroria po heton kontaktet e oficerit të policisë së Korçës me kunatin e Dajtit, me qëllim konfirmimin nëse ky punonjës shtetëror kishte “emëruar” të shumëkërkuarin në policinë e këtij qyteti duke e ndihmuar me distinktivin e falsifikuar, i cili përmban gjithë elementët e sigurisë së një dokumenti zyrtar.
“Spiunët” e Dritan Dajtit
1. Inspektor zone në policinë e Durrës Ka përdorur dy numra celularë
2. Oficer i policisë në qytetin e Fierit
3. Punonjës i policisë në Dibër
4. Oficer i policisë në qytetin e Korçës
Takimet në burg, babai i Dajtit në Prokurori
Tirane – Hasan Dajti, babai i të akuzuarit për vrasjen e katër oficerëve të policisë, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feska, Sajmir Duçkollari, është paraqitur përsëri dje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, duke kërkuar autorizim nga organi i akuzës për lejimin e takimeve të familjarëve me të arrestuarin që mbahet në Spitalin e Burgjeve në kryeqytet. Për më shumë se 30 minuta, babai i Dritan Dajtit ka qëndruar në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku ka kërkuar që organi i akuzës të lejojë takimet e familjarëve me Dritan Dajtin si një e drejtë e ligjshme që nuk cenon aspak procesin penal që po zhvillohet ndaj 38-vjeçarit të arrestuar me akuzën e vrasjes së katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Tri ditë më parë edhe bashkëshortja e Dritan Dajtit kërkoi të njëjtën gjë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Organi i akuzës refuzoi të vendosë nëse do të lejojë apo jo takimet e Dritan Dajtit me familjarët e tij për shkak të pamundësisë së 38-vjeçarit për të lëvizur nga qelia për në dhomën e takimeve, por edhe për shkak të specifikës së hetimit të çështjes. t.s
Dajti, pyetet kreu i aksionit
Trazhgim Sokolaj
Drejtuesi i operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit merret në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po heton masakrën e 7 gushtit në Durrës. Arjan Muça, drejtues i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, është marrë në pyetje nga një zv/prokuror i Krimeve të Rënda. Zyrtari i lartë i policisë ka dhënë shpjegime në Prokurori lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në qytetin e Durrësit ku katër oficerë, vartës të tij u qëlluan për vdekje nga Dritan Dajti në tentativë për arrestimin e të shumëkërkuarit. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se kreut të Antikrimit të Organizuar në Polici, i janë kërkuar shpjegime në lidhje me dinamikën e veprimeve policore të datës 7 gusht 2009, që kanë çuar deri tek përplasja me armë e katër agjentëve me të shumëkërkuarin Dritan Dajti pranë pistës “Iliria” në qytetin e Durrësit. Burimet zyrtare të prokurorisë, thanë se marrja e deklarimeve nga Arjan Muça, është bërë pas sekuestrimit të dokumentit të planit operacional të policisë për kapjen e Dajtit, ku një nga firmëtarët e tij është edhe shefi i Antikrimit të Organizuar. Dokumenti për planin e kapjes së Dritan Dajtit, mban firmën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ahmet Prençi, kreut të Antikrimit të Organizuar Arjan Muça dhe shefit të skuadrës së Operacioneve Speciale Fatos Xhani, i cili gjeti vdekjen në përballje me Dritan Dajtin. Pas marrjes së dokumentit nga policia, organi i akuzës ka saktësuar se kryepolici Prençi ka firmosur dokumentin si drejtues strategjik i Policisë së Shtetit, ndërsa situata është ndjekur hap pas hapi nga Shefi i Antikrimit Arjan Muça, i cili kishte në varësi edhe skuadrën që po ndiqte 38-vjeçarin e shumëkërkuar. Burimet e Prokurorisë refuzuan të bëjnë publike të dhëna rreth dëshmisë së dhënë nga zyrtari i lartë i policisë. Megjithatë, mësohet se Muça ka pohuar se gjatë ndjekjes së Dritan Dajtit në terren si dhe gjatë hartimit të planit operacional janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore të nevojshme. Gjatë dëshmisë së tij zyrtari i policisë mësohet se ka shpjeguar me detaje të gjitha veprimet e kryera nga policia gjatë ndjekjes së Dajtit si dhe urdhrat e dhënë për konfirmimit se i kërkuari ndodhej në makinën tip “Tuareg” pranë pistës “Iliria” në Durrës. Nga deklarimet e Muçës në Prokurori, por edhe nga hetimet në rrugë të tjera, organi i akuzës ka mësuar se nuk ka pasur urdhër të dokumentuar për ndërhyrjen e agjentëve me qëllim arrestimin e Dajtit. I vetmi dokument që bën fjalë për këtë fakt, është urdhri i përgjithshëm, që ligjëron veprimet e policisë me “qëllim kapjen e të dënuarit në mungesë Dritan Dajti”. Shkresa në fjalë nuk përmban instruksionet operacionale për veprimet konkrete që do kryenin efektivat e policisë. Sipas akuzës, nga të gjitha provat dhe deklarimet e mbledhura deri tani, duket se iniciativa për të ndërhyrë me qëllim kapjen e Dajtit i është “faturuar” drejtuesit të skuadrës së agjentëve Fatos Xhani, i cili gjeti vdekjen në Durrës pasi u qëllua me armë nga i shumëkërkuari.
“Dajtin e lidhëm në shtrat për arsye sigurie”
TIRANE - Dritan Dajti, autori i masakrës ndaj policëve në Plazhin e Durrësit më 7 gusht, po kurohet në Qendrën Spitalore të Burgjeve i lidhur me pranga në shtrat. Kreu i Spitalit të Burgjeve Ylber Vata, pohoi dje se krerët e policisë së këtij institucioni, duke u nisur nga arsyet e sigurisë dhe frika e arratisjes së të burgosurit, e kishin vlerësuar të tillë situatën, ndërsa kanë vendosur këto masa sigurie. Sipas Vatës policia e Spitalit të Burgjeve po zbaton një plan të tillë masash ndërsa kjo nuk ndikon aspak në kurimin e të arrestuarit. Duke folur për gjendjen shëndetësore të Dajtit, Vata pohoi se 38 vjeçari i prangosur nuk rrezikon të vdesë nga tre plumbat që ka marrë gjatë përleshjes së 7 gushtit në qytetin e Durrësit, por nuk përjashtohet mundësia që të mbesë i paralizuar përjetë. Kjo, sipas kreut Vata, i cili në profesion është mjek, ka të bëjë me prekjen e palcës kurrizore nga njëri prej plumbave që Dajti mori gjatë përleshjes me policinë. Po kështu, plumbi që Dajti ka marrë në këmbë e ka dëmtuar rëndë atë duke bërë që të mos ketë mundësi për ta komanduar normalisht. Ndërsa humbja e jetës së Dritan Dajtit si pasojë e tre plumbave që mori në Durrës është e pamundur pas atij nuk i është dëmtuar asnjë prej organeve jetësore. Pak ditë më parë sipas drejtorit Vata, Dajti i është nënshtruar një operacioni ekzaminues nga një grup mjekësh në Spitalin e Burgjeve, ku janë përcaktuar dëmtimet që ai ka marrë nga “beteja” e 7 gushtit. Burime të Spitalit pohojnë se plumbi i parë i policisë e ka goditur Dajtin në këmbë, çka ka bërë që ai të rrëzohej përtokë. Në atë momenti ai ka marrë një plumb tjetër në ije dhe një të tretë në shpatullën e djathtë. Pikërisht këta dy plumba i kanë shkaktuar problemet më të rënda, pasi plumbi që e ka goditur në ije ka depërtuar deri në shtyllën kurrizore ku ka prekur palcën. Ndërsa plumbi që e ka goditur në shpatull ka depërtuar deri në mushkri. Mjeku Vata pohoi se ende nuk është vendosur se kur do të kryhet operacioni për heqjen e dy plumbave nga trupi i Dritan Dajtit. Kjo sipas tij mund të bëhet në ditët në vazhdim, pasi nuk është vlerësuar si problem akut nga grupi i mjekëve që e ekzaminuan të arrestuarin 38 vjeçar. Po kështu, mjeku Vata, i pyetur për moslejimin e takimit të Dajtit me familjarët e vet si dhe moslejimin e dërgimit të ushqimeve të familjes në qelinë e tij, pohoi se kjo është e drejtë ekskluzive e organit të akuzës. Drejtori tha se Prokuroria ka vendosur që Dajti të mos kryejë takime me familjarët, si dhe të mos marrë ushqimet që ata i dërgojnë në qeli. fa.ma.