E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muzika e së ardhmes – Beethoven, Liszt dhe e reja në muzikë

Më 9 shtator filloi në Bon të Gjermanisë Festivali i Bethovenit nën moton që të ngjallë kureshtje: "Muzika e së ardhmes. Bethoven, Liszt dhe e reja në muzikë". Festivali i parë u themelua nga Liszt në vitin 1845. Nga Express më 12 shtator 2011 në ora 08:33

Si gjithmonë Bethoveni dhe vepra e tij qëndrojnë në fokus të festivalit njëmujor, duke filluar nga një cikël i plotë me sonata në violinë, kuartet string deri në koncertet për piano dhe simfoni. Por një vend të rëndësishëm, festivali ia ka përkushtuar Franc Liszt-it dhe marrëdhënieve të tij të veçanta me Ludvig van Bethovenin. Liszt, i cili këtë vit feston 200 vjetorin e lindjes, nuk ishte vetëm një admirues i madh i Bethovenit. Ai e admironte muzikën e tij e para së gjithash e vlerësonte atë si një art që arrin deri në të ardhmen. Ilona Schmiel, intendantja e festivalit të Bethovenit sheh ngjashmëri të mëdha mes dy kompozitorëve inovativ.

Festivali i parë i Bethovenit në 1845

“Mbi të gjitha kanë qenë dy artistë që kanë ofruar inovacione të mëdha, si në muzikë ashtu dhe në çështjen se si mund të sillen me publikun. Dhe kur ne u menduam për programin e 2011 se çfarë jubileu special mund të festonim, u bë tërësisht e qartë se do të zgjidhnim Franz Liszt-in. Ai na ka ndihmuar jo vetëm nga respekti që kishte për Bethovenin, por edhe për faktin që në Bon në sheshin Münsterplatz, në vitin 1845 ai mundi të përurojë monumentin përkujtimor të Bethovenit. Dhe pastaj ai pati thënë me rastin i këtij përurimi, se kjo duhet të festohet. Dhe ky është pra i pari Festival i Bethovenit, në vitin 1845, ku për tre ditë gjatë gushtit, artistët u ngjitën në skenë."
Një nga koncertet që Franz Liszt organizoi në nderim të Bethovenit në 1845 dhe ku ai luajti vetë në piano dhe po ashtu si dirigjent, mund të përjetohet si "atëherë" më 7 tetor 2011 në sallën Bethovenhalle, si një nga pikat kulmore të festivalit .
Nga instrumentet historikë, sikurse u ushtruan atëherë, do të ofrohet një program kolazh, ndër to simfonia e pestë e Bethovenit, uvertura e tij Coriolanus, kuartet me Harpë dhe koncerti i pestë për piano me solist Alexander Melnikov.

Aktivitete për 200 vjetorin e lindjes së Liszt

Me një program të tillë në Bon do të festohet edhe përvjetori i Liszt-it me një të ashtuquajtur ‘Nata e Liszt-it’ më 24 shtator, ku do të ketë aktivitete të ndryshme rreth kompozitorit me origjinë nga Hungaria. Në dhjetë koncerte mund të përjetohen rrënjët e prejardhjes së tij të vendlindjes dhe të kënaqësisë së artit të tij në piano, si dhe të veprës së tij orkestrale.
Gjithsej do të jenë 62 koncerte në më shumë se 20 vende të Bonit dhe në rrethinën e tij. Dhe – sikurse prej 11 vjetësh traditë në Bon - ku mendohet edhe për ‘Të ardhmen ndërkombëtare’, për brezin e ri, që platformën e tij e gjen në orkestrën e të rinjve. Çdo vit një orkestër të rinjsh nga një vend tjetër jep koncert në Bon. Në 2010 ishte orkestra simfonike nga Brazili, këtë radhë do të jetë e ftuar orkestra e të rinjve nga Iraku. Shumica e muzikantëve të rinj kurdistanë dhe arabë do të luajnë më 1 tetor në sallën Bethovenhalle.
Të përforcuar nga muzikantë të orkestrës federale të të rinjve, irakianët e rinj do të luajnë krahas veprave nga Bethoveni dhe Haydn, edhe dy premiera botërore, që janë dhënë si një bashkëpunim i orkestrës së të rinjve me Deutsche Wellen. Deutsche Welle

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›