E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja, edhe skeptikët tani e shohin pretendente

Nga Julian Kasapi

Të gjithë janë të impenjuar për ndeshjen me Gramshin, për të cilën kthehet Byzhyti dhe disa futbollistë të tjerë

Lushnja nuk ka kohë të festojë. Myzeqarët nuk mund të flenë mbi dafina dhe kanë nisur menjëherë punën për takimin e radhës. Pavarësisht zhurmës së krijuar në lidhje me golin e fitores të shënuar nga Canka në ndeshjen me Ilirinë, çdo gjë në kampin lushnjar po shkon mirë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: klubi lushnjar disponon pamjet filmike të ofruara nga një televizion lokal, që vërtetojnë rregullsinë e golit në Mamurras.

Në minutën e 82-të, Canka, i ndodhur në gjysmëfushën lushnjare, ka kthyer një top prapa te Metushi, i cili e ka nisur menjëherë për në kundërsulm dhe sulmuesi i shpejtë, i nisur nga gjysmëfusha e skuadrës së tij, ka kaluar me sprint kundërshtarin, ka dalë i vetëm para portierit kundërshtar dhe ka shënuar një tjetër gol me peshë. I pyetur për rastin në fjalë, Canka tregon:

Ishte një rast kundërsulmi dhe unë e kalova mbrojtësin me sprint. Në momentin, kur po i afrohesha  zonës kundërshtare, mu afruan dy mbrojtës të tjerë dhe parapëlqeva parabolën për të shkuar te goli. Ndryshe nga sa mund të thonë kundërshtarët, goli ishte i kulluar dhe nuk mund të përgojohet.

Më vjen mirë që edhe ky gol i dha pikët e plota Lushnjës, por jam edhe më shumë i kënaqur për ecurinë pozitive të skuadrës këto javët e fundit. Nuk mund të kënaqemi me kaq dhe duhet të punojmë më shumë, sepse kampionati është mjaft i gjatë, – ka theksuar mes të tjerash sulmuesi Canka.

Gramshi Në kampin lushnjar është parë një impenjim më i madh pas fitores së fundit, e 5-ta radhazi për stafin e drejtuar nga Malko dhe e dyta në transfertë. Janë tregues domethënës, që i japin Lushnjës portretin e një pretendenti të denjë për superligën. Besimi i drejtuesve të skuadrës është mjaft i madh dhe askush nuk mund të flasë më për një skuadër, që nuk mund ta realizojë objektivin.

Sakaq, edhe kundërshtari i kësaj jave, Gramshi, ka marrë vlerësimin maksimal. Kundërshtari është pranë me pikë, mban vendin e 6-të dhe javën e fundit mposhti Luftëtarin kryesues në shtëpi. Janë këto faket që e kanë rritur vigjilencën e lushnjarëve para ndeshjes me gramshiotët në stadiumin Roza haxhiu. Gjithsesi, stafi teknik lushnjar është i qetë, sepse për ndeshjen e radhës kthehen Byzhyti dhe disa futbollistë të tjerë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›