E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myftinia e Durrësit ngre qendër tregtare në qendër të qytetit



Pas plot 12 vite debatesh, takimesh, propozimesh dhe ofertash, qindra seancash gjyqësore, duket se KRRT-ja e Bashkisë Durrës i ka dhënë “OK” myftinisë për ngritjen e një korpusi tregtar, pikërisht në qendër të qytetit. Komuniteti mysliman në Durrës, pasi ka marrë në pronësi të tij një sipërfaqe të konsiderueshme toke pranë Telekomit, ka siguruar edhe lejen e ndërtimit për transformimin e saj në një qendër të madhe tregtare. Sipas urbanistëve, atje do të ngrihen 6 objekte të lidhur me njëri-tjetrin që do të përbëjnë korpusin më të madh tregtar modern në Durrës.

Tashmë firmat kanë rrethuar territorin me llamarina dhe pasi t’i japin dorën e fundit marrëveshjes me Komunitetin Islamik në Durrës, do të fusin në punë ekskavatorët për të nisur hapjen e themeleve. Por, për të arritur tek marrëveshja e përfaqësueseve të Myftinisë dhe Bashkisë Durrës janë dashur më shumë se 12 vjet përpjekje me institucionet e shtetit.

KRRT

Trualli gjigand që ndodhet përpara Telekomit (tek valuta) përbën një ndër qendrat kryesore të qytetit. Myftinia në Durrës, pasi fitoi nga Komisioni i Kthimit të Pronave një sipërfaqe prej 4600 m2 troje dhe pasi e hipotekoi atë, e ka dhënë për ndërtim. Ndërsa Bashkia e Durrësit dhe KRRT e saj ka miratuar lejen e ndërtimit.

Ilir Vokshi, kreu i këtij komuniteti mysliman në Durrës, njëkohësisht edhe imami i xhamisë, deklaroi për “standard”: “Bashkia ka treguar mirëkuptim me komunitetin tonë, gjë që tregon marrëdhëniet e shëndosha mes nesh”. Në këtë shesh do të ngrihet një qendër tregtare apo biznesi e përbërë nga 3 blloqe ndërtimi me nga 2 godina secila, pra 6 të tilla.

Korpusi

Në Urbanistikën e Durrësit u shprehën se “projektet janë hartuar duke pasur parasysh studimin e qendrës urbane, i cili ka përcaktuar edhe kriteret e ndërtimit”. Objektet do të jenë nga 6 kate të larta dhe secili prej tyre do të ketë edhe 2 kate nëntokësore. Ato do të jenë të lidhura mes tyre. Ajo sipërfaqe përfaqësonte një territor problematik nga pikëpamja e mjedisit.

Mësohet se ndërtimet do të zënë 3050 m2 të sheshit, ndërsa pjesa e mbetur prej 1550 m2 do të transformohet në rrugë, parkingje dhe sipërfaqe të gjelbëruara. Në bazë të kontratës ndërmjet komunitetit islamik dhe 2 firmave të ndërtimit rezulton se pjesët e përfituara do të jenë 72% në favor të ndërtueseve dhe 28% në favor të komunitetit. Këta të fundit sqarojnë se mjediset që ata do të marrin, do të lëshohen me qera, pasi me Kuran, shitja e tyre ndalohet, kurse të ardhurat do të shkojnë në dobi të komunitetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›