E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i klandestinëve, në pranga shoferi i linjës së autobusëve Shkodër-Athinë



Shoferi i linjës së autobusëve Shkodër-Athinë u arrestua nga policia në pikën kufitare të Kakavijës, pasi akuzohet se do të kalonte ilegalisht katër femra në tokën greke. Në prangat e policisë së Gjirokastrës ra 41-vjeçari Zyber Coli. Sipas burimeve nga policia, i ndaluari shfrytëzonte punë e tij si shofer autobusi i linjës për në Greqi, ku edhe nëpërmjet maskimit dhe fshehtësisë tentoi që të kalonte katër klandestinet kundrejt pagesës 1500 euro për person. Por, ai u zbulua pas kontrollit të punonjësve të Policisë Kufitare, duke u vënë në pranga. 41-vjeçari u shoqërua në mjediset e komisariatit të Gjirokastrës për t’u marrë në pyetje.

Arrestimi

Rreth orëve të para të mëngjesit të ditës së diel, autobusi i linjës Shkodër-Tiranë-Athinë ka qenë në pikën kufitare të Kakavijës për të kaluar në anën tjetër të kufirit. Punonjësit e Policisë Kufitare kryen një kontroll tek pasagjerët në mjet. Nga verifikimi i imtësishëm i kryer, rezultoi se dy femra ndodheshin aty pa dokumentet e duhura për të kaluar në anën tjetër të kufirit, ku ishte përcaktuar të mbërrinte autobusi. Ndërkohë që dy femra të tjera u gjetën të mbuluara me batanije në pjesën e pasme ku lihen bagazhet. Policia shoqëroi në komisariat shoferin e dytë të autobusit, drejtuesin 41-vjeçar Zyber Coli si dhe katër klandestinet.

Hetimet

Sipas burimeve, nga policia 41-vjeçari ishte shofer i dytë i autobusit të linjës për në Greqi. I ndaluari Zyber Coli ka lindur në Dibër, por banon në Paskuqan të Tiranës. Nga hetimet e kryera 41-vjeçari do të ndihmonte katër shtetaset nga rrethe të ndryshme të vendit për të kaluar kufirin për në shtetin grek kundrejt fitimit 1500 euro për person. Këto të fundit nuk ishin të pajisura me lejen e duhur për të kaluar në tokën helene. Gratë janë nga qyteti i Kukësit, Laçit, Tepelenës dhe Beratit. Gjatë marrjes në pyetje, rezultoi se marrëveshja ishte bërë nga bashkëshortët e grave së bashku me të akuzuarin, të cilët gjithashtu ndodheshin si pasagjerë me dokumente të rregullta në autobus dhe po udhëtonin për në vendin fqinj. Policia ka shoqëruar për në qelitë e paraburgimit 41-vjeçarin, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale të “dhënies ndihmë të paligjshme në trafikun e klandestinëve”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›