Problem me ujin e pijshëm në Durrës
Edhe pse sezoni veror ka 2 muaj që ka mbaruar, kur rrjeti ka qenë i mbingarkuar, sërish në Durrës, shfaqen problemet me furnizimin e popullatës me ujë të pijshëm, gjë e cila ndodh jo vetëm në qytet, por edhe me zonat periferike, kryesisht Currila, lagjen 13 plazh, në Porto Romano, Gjirin e Lalësit. Ujësjellës-Kanalizimet Durrës prej vitesh mbajnë në gatishmëri rrjetin e furnizimit me ujë nga Fushë-Kuqja deri në pikat më të largëta të shpërndarjes, nisur edhe nga kërkesa e madhe për ujë. Drejtori i Ujësjellësit, Agron Islami, ka deklaruar për “standard” se “avaritë e ndryshme që ndodhin tek stacioni i pompave në Fushë-Kuqe, tek nënstacioni elektrik, ndërprerjet e paligjshme gjatë rrugës nga Fushë-Kuqja deri në Durrës dhe një sërë ndërprerjesh të paligjshme të tubacioneve kanë ulur sasinë e ujit për konsumatorët”. Sipas tij, Durrësi në ditët më të mira merr afro 38 mijë m3 ujë në 24 orë, duke humbur gjatë rrugës si pasojë e ndërhyrjeve dhe keqpërdorimit të rrjetit më shumë se 15 mijë m3 ujë. Ndonëse Ujësjellësi ka bërë disa investime deri tek investimi 1.5 milion dollarë në Kënetë, zona të tëra përballen në mënyrë të përsëritur me mosfurnizimin me ujë të pijshëm. Shumë familje, mjedise të tjera apo edhe biznese në afërsi të Urës së Dajlanit kanë mbetur pa ujë, rast që ndodh rrallë në Plazh, për shkak edhe të masave që ka marrë drejtoria e Ujësjellësit. “Defekte të tilla si prishja e një saraçineske sjellin jo pak anomali, pasi ndryshon e gjithë skema e furnizimit dhe shkakton çorientim tek familjarët, pasi shumë nga këto saraçineska në nyje të ndryshme janë të vjetruara dhe kërkojnë zëvendësim, ndërsa një veprim i tillë kryhet vetëm në kohën e bllokimit”. Sezoni veror që sapo kaloi, krijoi edhe shtimin e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjetin kryesor dhe atë dytësor. Tashmë ka shkuar në treshifror numri i lidhjeve të paligjshme në gjatësinë e linjës së ujit të pijshëm nga Fushë-Kuqja. Kjo ka sjellë rritjen e sasisë së ujit që humbet dhe pakësimin e ujit për pushues e qytetarë. Sipas specialistëve të Ujësjellësit Durrës, vetëm lagja 13 me një popullsi 60 mijë banorë, ka dhjetëra e dhjetëra lidhje dyfishe dhe defekte duke penguar furnizimin normal me ujë. Drejtori Islami tha: “Ka një predispozicion maksimal nga gjithë personeli i Ujësjellësit, po çdo vit çështja e ujit të pijshëm në Durrës vjen e vështirësohet”. Sipas tij, zgjidhje e vetme mbetet vetëm një investim i ri. Konkretisht, mbetet shqyrtimi i një nga 4 variantet e propozuara deri tani si zgjidhje përfundimtare për Durrësin. Nga specialistët është hedhur ideja e ndërtimit të një tubacioni nga Fushë-Kuqja deri në Durrës vetëm për qytetin, duke e shkëputur nga linjat e tjera. Varianti i dytë mbetet Ulza, për të pasuar me tubacionin nga Tirana për në qytetin bregdetar. Por, ndër më të diskutuarit dhe më i besueshmi thuhet se është ndërtimi i një rrjeti të ri nga Rrogozhina drejt Durrësit. Katër puset që kanë nisur të thellohen në Rrogozhinë, do të nxjerrin mesatarisht 200 litra ujë në sekondë. Kjo prurje mendohet të shkojë 60 litra për sek. për Kavajën dhe 120 litra për sek. për zonën turistike të Durrësit. Zbatimi i një projekti të tillë pritet të shuajë etjen e Durrësit për ujë të pijshëm. Zgjidhja mendohet të vijë gjatë vitit 2010, periudhë që do të nisë edhe zbatimi i projektit të madh. Në Rrogozhinë ka përfunduar një vit më parë kërkimi gjeologjik dhe pas vendosjes së gjurmëve, ka filluar edhe hapja e katër puseve të mëdha. Mendohet se viti 2010 do të jetë edhe periudha e zgjidhjes përfundimtare të problemit të furnizimit me ujë të Durrësit dhe zonave bregdetare të tij.