Myslimanët në protesta kundër policisë në New York

Kërkesa ka ardhur pasi një memorandum i brendshëm u publikua, duke treguar rritjen e përgjimeve të komunitetit shiit në qytet.
Gjatë fundjavës, komuniteti mysliman u mblodh përpara selisë së Departamentit të Policisë së New Yorkut, për të protestuar kundër këtyre zbulimeve. Krerë të lartë të policisë insistojnë se policia ka ndjekur rrugë ligjore në operacionet e saj.
Memorandumi, pjesë e një raporti të vitit 2006, tregon zgjerimin e operacioneve të përgjimit të policisë së New Yorkut të xhamive shiite dhe qendrave islamike të qytetit.
Ai i adresohej komisionarit të policisë, Ray Kelly, i cili të enjten e cilësoi memorandumin si një “plan të rastësishëm” në rast të një konflikti ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, edhe pse një gjë e tillë nuk përmendej në dokument.
Dokumenti u publikua nga “Associated Press”, si pjesë e një seri raportimesh mbi përgjigjen e policisë së New Yorkut ndaj fenomenit të terrorizmit.