E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët, kundër ndalimit të shamive në shkolla

Të krishterët, ende pa reagim për projektligjin e ri të arsimit parauniversitar që ndalon simbolet fetare

Projektligji i ri i arsimit parauniversitar ka gjetur kundërshtitë e para nga anëtarë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ndërkaq, “Standard” kontaktoi dje me komunitetin ortodoks dhe atë katolik, prej nga thanë se do të reagonin ditët e mëvonshme. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës deklaroi se projektligji në fjalë është në debat e sipër dhe nuk është varianti përfundimtar.

Burime nga Komuniteti Mysliman Shqiptar bënë të ditur dje se do ta kundërshtojnë këtë projektligj nëse ai kalon në këtë formë në variantin e tij përfundimtar. “Mbajtja e shamisë është pjesë e pandashme e besimit dhe nuk mund që të lejohet ndalimi i saj. Për më tepër ajo përbën një shkelje të Kushtetutës që përcakton qartë se besimi është i lirë të praktikohet nga individët. Gjithsesi, ne do të dalim me reagim zyrtar besoj ditët në vijim”, - bënë të ditur burime konfidenciale.

Myslimanët i frikësohen faktit që shamia do të jetë objekti i parë që “ndalon” projektligji i ri i arsimit parauniversitar. Sipas tyre, kjo vjen ndesh me vendime të mëparshme të gjykatave dhe për më tepër ekziston edhe një rekomandim i Avokatit të Popullit që deklaron se diçka e tillë është antikushtetuese.

Ndërkaq, komunitetet e krishtera nuk reaguan ditën e djeshme. “Standard” kontaktoi me Arqipeshkvinë Katolike të Tiranës dhe Durrësit, si edhe me Kishën Ortodokse Autoqefale, por nga të dyja institucionet u deklarua se do të dalin me një qëndrim zyrtar ditët në vijim. Burime nga Kisha Ortodokse, jo zyrtarisht, lanë të kuptohet se kjo ndalesë nuk pengon besimtarët ortodoksë, të cilët mund t’i fshehin këto simbole, por duke i mbajtur ato.

Njëkohësisht, nga Ministria e Arsimit bëhet e ditur se projektligji është ende në fazë drafti dhe për debat; si pasojë debati i hapur është i pranueshëm dhe vetëm pasi të merren mendimet e të gjitha grupeve të interesuara do të arrihet në një variant përfundimtar që do t’i shërbejë të mirës publike.

Në nenin 36, pika 4 e projektligjit të ri të arsimit parauniversitar shprehet se “ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare”, çka do të thotë se do të pezullohen të gjithë nxënësit që mbajnë simbole fetare, pra shami, kryqe apo qoftë edhe mjekër në vijimin e shkollës nëntëvjeçare apo shkollës së mesme.

Projektligji parashikon që “në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre; në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve”, si edhe se “ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit”.

Projektligji i arsimit të lartë, sipas rastit më të mirë, lë hapësirë për keqinterpretim, sipas juristëve, kur hartuesit mund të kenë pasur si qëllim ndalimin e simboleve në mjediset e shkollës, por që për shkak të formulimit, mund të kuptohet nga zbatuesit e ligjit si ndalim i mbajtjes së simboleve individuale, si shamitë apo kryqet.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›