E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e dy policëve në Krujë, “Burg përjetë” për Sokol Halilajn

Hetimi, Halilaj e Rexhepi, vrasës me pagesë për ekzekutimet në Krujë. Veçohet dosja për Dritan Rexhepin, shkak lajmërimi në burg në Itali

Prokuroria e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në kryeqytet kërkoi dënimin me burgim përjetë të të pandehurit Sokol Halilaj dhe 20 vjet burg për të pandehurin tjetër Shefet Seferi, të akuzuar për vrasjen e dy policëve të Krujës gushtin e 1999-s. Ndërsa është veçuar dosja për të pandehurin tjetër Gramoz alias Dritan Rexhepi, pasi ky shtetas ndodhet në burg në Itali dhe do të dërgohet letërporosi në këtë shtet. Ky ka qenë një nga shkaqet pse Apeli ktheu për rigjykim dosjen, pasi shtetasi Rexhepi duhej lajmëruar në Itali për gjyqin në ngarkim të tij, ndërsa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga gjykata pa u vënë në dijeni se po gjykohej. Në pretencën e djeshme, prokuroria ka deklaruar fajtor për vrasjen e trefishtë të pandehurin Sokol Halilaj, të cilësuar si vrasës me pagesë, ndërsa me 20 vite burg bashkëpunëtorin e tij dhe të Rexhepit, të pandehurin Shefqet Seferi. Sipas akuzës, roli i Seferit ka qenë si ndërmjetësues mes dy vlonjatëve "vrasës" dhe personit të paidentifikuar që ka paguar për eliminimin e dy policëve. Tre të pandehurit akuzohen për “Vrasje për shkak të detyrës” të dy efektivave të policisë, Arben Keqin dhe Durim Kasmin, në vitin 1999 në Krujë. Në ngjarje, rastësisht u vra dhe pronari i një lokali në Krujë, Raim Bakiasi. Tre të pandehurit akuzohen si vrasës me pagesë dhe që krimin e kanë kryer me porosi të shtetasit Shkëlqim Haka nga Niklaj i Krujës. Sipas njërit prej vëllezërve të policit Keqi, Besnikut, vrasja është porositur nga Shkëlqim Haka (tashmë i vrarë) dhe për të zbuluar një fakt të tillë dhe mënyrën sesi kanë rrjedhur ngjarjet, kanë bërë një hetim privat. Sipas Besnik Keqit, Shefqet Seferi ka qenë kallëzuar për dy vlonjatët e paguar për krimin. Sipas akuzës, dy policët e Komisariatit të Krujës në verën e vitit 1999 kishin një konflikt me një person, i cili ka kërkuar nga Shefqet Seferi t'i organizonte ekzekutimin e tyre. Seferi ka paguar dy vlonjatët Rexhepin dhe Halilajn për të kryer krimin mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 në Krujë. Arrestimi i Sokol Halilajt u bë në shtetin fqinj, për t’u deportuar më pas në Shqipëri, pas vuajtjes së dënimit që kishte kryer atje për disa grabitje me dhunë. Ndërsa i pandehuri Dritan Rexhepi, i arratisur nga qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Durrësit, është vënë në pranga nga autoritetet holandeze dhe pritet të ekstradohet së shpejti në vendin tonë.

Akuzat

Sokol Halilaj nga Gjormi i Vlorës dhe Dritan Rexhepi po nga Vlora akuzohen si vrasës me pagesë të dy policëve të Krujës në vitin 1999. I pari, Halilaj është tradhtuar nga arma me të cilën janë kryer vrasjet. Me të njëjtën armë që ka përdorur për vrasjen e kryer në Vlorë kur ka marrë pjesë në grabitjen e një arke kursimi në vitin 1997, Halilaj ka qëlluar edhe mbi dy policët e Krujës. Skema e vrasjes së dy policëve të Krujës në vitin 1999 ka qenë e njëjtë. Autori i vrasjes ka ndjekur të njëjtën rrugë dhe ka lënë në vendin e ngjarjes të njëjtën çantë. Sipas akuzës, i pandehuri është dënuar në Itali me 10 vite burg, por nuk është arrestuar asnjëherë nga drejtësia e këtij vendi. I pandehuri Sokol Halili, sipas organit të akuzës, akuzohet se në bashkëpunim me Dritan (Gramoz) Rexhepin dhe Shefqet Seferin kanë kryer vrasjen e dy policëve në Krujë, në vitin 1999. Për organin e akuzës ekzistojnë të gjitha provat e mjaftueshme për të argumentuar vitet e rënda të dënimit të kërkuara dje nga përfaqësuesi i akuzës, Anton Martini. Ata dyshohet se i kanë kryer vrasjet kundrejt pagesës. Prokurori u shpreh se Arben Keqi, punonjës i Policisë Kriminale (roli bazë) në Komisariatin e Policisë Krujë është vrarë me armë zjarri më datë 27 gusht të vitit 1999, pranë turizmit të këtij qyteti. Ky punonjës policie ishte plagosur dhe më parë, më datë 8 nëntor të vitit 1997, në kohën kur po kthehej nga një aksion për kapjen e personave, që kishin hapur zjarr mbi forcat e policisë. Ndërsa Durim Kasmi, punonjës policie i grupeve të gatshme të komisariatit të policisë Krujë është vrarë më datë 6 tetor të vitit 1999, ngjarje në të cilën ka mbetur i vrarë dhe pronari i lokalit ku u zhvillua ngjarja, Ramë Bakiasi, i cili është qëlluar rastësisht nga plumbat, pasi Bakiasi nuk ka qenë objekt i atentatit ndaj Kasmit. Gjykata e Rrethit Vlorë e ka dënuar Halilin me 25 vjet heqje lirie në mungesë për 3 grabitje të kryera në arkat e kursimit të tre komunave të rrethit Vlorë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›